“Nuk më latë t’i jepja lamtumirën që meritonte”- Aktori Ervin Bejleri ka një mesazh për policët: Ju fal! Fyerjet nuk ishin për ju por për ata që luajnë me ne

May 19, 2020 | 13:22
SHPËRNDAJE

Aktori Ervin Bejleri ka dhënë një mesazh pas shoqërimit në polici për qëndresën ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

ervin bejleri1

Në një video të regjistruar, aktori shihet duke përdorur një gjuhë fyese dhe për këtë u ka kërkuar falje policëve.

Në një mesazh drejtuar uniformave blu, ai shprehet se ata nuk e lejuan t’i jepte lamtumirën që duhej Teatrit. Ndërsa shtoi se gjuha fyese nuk ishte për policët por për politikanët që luajnë me ta.

“Për ju moshatarët e mi të veshur me uniformë: Jeni te stevitur, jeni të mësuar që ndaj çdo provokimi të jeni gjakftohtë. Por unë fatkeqësisht jo. Sepse sot u sulmua në mënyrë barbare shtëpia ime. Ju ishit në detyrë, por edhe unë isha në shtëpi. E ju nuk më latë ti jepja të paktën lamtumirën që meritonte.

E megjithatë ju FAL . Siç edhe ju kërkoj NDJESË për çdo fyerje ndaj jush. Por nuk ishte për ju po për ata që luajnë me ne. Me ju dhe me mua. Shpresoj sinqerisht që ata që janë fyer të më kuptojnë,”– shkroi Bejleri.

Ndërsa në një postim tjetër publikoi një foto nga rrënojat e Teatrit dhe në sfond është reklama e shfaqjes së tij dhe shkruan: “Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë, jam në dritët të vërtetë, (Naimi).”

Aktori u shoqërua në polici ditën e djeshme dhe më pas u lirua.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura