“Nuk më intereson vendi i dytë”, Brdariç ngacmon Imamin pas fitores: Gaboi shumë… pak

Oct 20, 2021 | 17:11
SHPËRNDAJE

Tomas Brdariç nuk e ka fshehur gëzimin për fitoren spektakolare ndaj Dinamos. Trajneri i Vllaznisë ka gjetur kohën pas ndeshjes për të ngacmuar edhe Eni Imamin, i cili pati thënë një ditë para sfidës në “Loro Boriçi” se miqtë e tij në Shkodër do të mërziten, pasi do të munden nga Dinamoja. Mirëpo, në fushë ndodhi e kundërta dhe gjermani është krenar me skuadrën që drejton. Ai e shprehu këtë edhe në prononcimin pas ndeshjes, ku iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve.

brdaric imami

Një fitore me shumë gola dhe spektakël. Jeni i kënaqur?
I kam qejf shumë ditë si kjo. Mendoj se ishte një ditë shumë e mirë për ne. Jam shumë i lumtur për ekipin tim dhe për atë që treguan në këtë takim. Do të dëshiroja të tjera fitore si kjo.

Do t’i frikësojë kjo Vllazni me këtë paraqitje skuadrat e tjera?
Do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Po nëse zhvillojmë lojëra të tilla, atëherë mund të themi se jemi në rrugën e duhur, por jo gjithçka shkon si në këtë takim.

Me të vërtetë që keni shënuar 6 gola, por keni pësuar 3. Duket se keni shumë për të korrigjuar…
Natyrisht që po. Kemi shumë gjëra për të rregulluar. Kemi gabime që kemi bërë, por duhet që të marrim fitoren dhe të shikojmë gjërat avash-avash.

Ka qenë ndër ndeshjet e para që ekipi funksionoi si grup në të dyja fazat e lojës. Çfarë ka pasur deri para këtij takimi?
Gjëja më e rëndësishme është që ne kemi qenë shumë të duruar. Ky takim ishte një pune skuadre. Ne kemi punuar shumë dhe morëm atë që prisnim.

Eni Imami tha se do të mërziteshin shkodranët, por deklarata e tij para ndeshjes nuk u konfirmua në fushë…
Mund të them se Eni gaboi shumë pak. Mendoj se ishte shumë i motivuar, por fusha tregoi gjithçka dhe na dha të drejtë ne për këtë takim.

Jeni të dytët tashmë. Si e shikoni vazhdimësinë e kampionatit dhe kur do ta shohim Vllazninë në krye?
Nuk më intereson vendi i dytë. Jam i lumtur për këtë fitore. Do të përqendrohemi pastaj për këtë ndeshje dhe për pozicionimin e radhës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura