Nuk legalizohen, 90 mijë familje përfitojnë strehim

Nov 23, 2015 | 16:14
SHPËRNDAJE

Familjet që përjashtohen nga procesi i legalizimit do të kenë mundësi të përfitojnë nga programet e strehimit, siç janë banesat sociale dhe ato me qira.

Shteti ka marrë përsipër të sigurojë një strehë edhe për këtë kategori, duke mos i lënë në mëshirë të fatit. Një gjë e tillë është e përcaktuar në strategjinë kombëtare të strehimit, hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

big_gjermeni_strehimi

“Qëllimi i strategjisë është t’u japë alternativa strehimi njerëzve në nevojë, që nuk kanë mundësi të blejnë në treg të lirë. Këtu bëjnë pjesë edhe kategoria e familjeve që nuk përfitojnë nga procesi i legalizimit”, pohon Aida Seseri, drejtoresha e Strehimit. Kështu, veç familjeve në nevojë, grave të dhunuara, jetimëve, si edhe personave me aftësi të kufizuara, në skemë do të përfshihen rishtazi edhe familjet që do të skualifikohen nga legalizimi.

Nga ALUIZNI më herët është bërë e ditur se janë 90 mijë ndërtime në të gjithë vendin, të cilat nuk mund të pajisen me tapi për shkak se bien ndesh me kriteret e përcaktuara nga qeveria, që do të thotë janë në afërsi të akseve rrugore, janë mbi kolektorë, në zonat e mbrojtura, zonat arkeologjike etj. Për të mos i lënë në qiell të hapur këto familje në momentin që do të përballen me fadromat e ndërtimorëve, është projektuar përfshirja e tyre në programet e strehimit. Seseri shton se ky proces do të paraprihet fillimisht nga ndryshimet ligjore.

“Finalizimi i kësaj nisme do të diktojë ndryshime ligjore, të cilat ne do t’i mundësojmë më vonë në bashkëpunim me institucione të tjera. Ajo çfarë bën strategjia që ne kemi prezantuar është se identifikon këtë problem dhe jep vizionin politik për këto raste”, vijon më tej drejtoresha e Strehimit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

PROGRAMET

Banesa me qira që subvencionohen nga shteti dhe banesa me kosto të ulët do të jenë dy nga programet e strehimit, të cilat do të vihen në zbatim gjatë 10 viteve të ardhshme. Ndërkohë lidhur me programin e kreditimit të zbutur, pra, 3 për qind Ministria e Zhvillimit Urban është duke rishikuar skemën. Gjatë këtij viti njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë pranuar aplikime. Kjo do të thotë që po rishikohet mundësia për rihapjen apo jo të këtij programi.

Nga Ministria e Zhvillimit Urban pohojnë se janë në marrëveshje me PNUD për rijetësimin e kësaj skeme dhe nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë pritet të ketë ndryshime për sa u takon kritereve që do të aplikohen për pranimin dhe përzgjedhjen e përfituesve. Deri më tani nga kreditë me 3 për qind interes kanë përfituar gjithsej rreth 3800 familje. Ndërkohë vetëm përgjatë dy viteve të fundit listës i janë shtuar 503 familje.

TË PASTREHËT

Nga të dhënat zyrtare, në vendin tonë janë rreth 35 mijë familje të identifikuara si të pastreha. Strategjia parashikon që ky numër të vijë gjithnjë e në rritje. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. Sipas saj, në 10 vitet e ardhshme synohet që të sigurohet strehim për 70 për qind të familjeve në nevojë.

 

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura