“Nuk kishim çfarë jepnim më shumë ndaj Anglisë”, Bushi optimist: Kundërshtarët e nivelit tonë… i rrahim!

Nov 15, 2019 | 21:17
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, foli për mikrofonin e “Rtsh” pas humbjes së pastër 0-3 ndaj Anglisë për 21-vjeçarë.

alban bushi

Bushi u shpreh se përtej mungesave dhe lojtarëve me moshë të vogël që kishte në dispozicion, ekipi i tij bëri më të mirën në fushë, dhe nuk kishte ç’të jepte më shumë ndaj Anglisë.

Ju kënaq loja?

E dinim që kishim një kundërshtar të fortë përballë. Rrallë të bie të luash me këta kundërshtarë. E kishim përgatitur të luanim te zona 1, dhe t’i kapnim me kundërsulm. Atë që përgatitëm, ia arritëm qëllimit. Krijuam 2-3 raste që mund të shënonim, por nuk ia arritëm. Ky ishte objektivi jonë, të luanim mbrapa e të dilnim para shpejt.

Çfarë mund të bënit më tepër?

Nëse lë një hapësirë me këto ekipe, ai të shënon. Në pjesën e parë, ata pothuajse nuk patën asnjë rast për gol pothuajse. Golin e parë e shënuan me një goditje standarde, për të cilat i kisha lajmëruar lojtarët, sepse për një faull ai lojtari i Sitit e ka një gol. Edhe goli i dytë, erdhi nga rreth 25 metra jashtë zonës, që i kishim marrë masat të rrinim në atë zonë. Ndonjëherë edhe fati nuk është me ty. Anglia ishte superiore gjithë kohës, nuk diskutohet. Duhet t’i dimë mundësitë tona. Dhanë maksimumin, nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Por, kjo më bën optimist sepse ky grup ka çfarë të japë. Ekipet e nivelit tonë nuk do i kemi problem t’i rrahim.

Do bënit një ndeshje tjetër nëse do kishit lojtarët që keni çuar te U-19?

Kemi pasur shumë mungesa, tre janë te U-19. Vrioni dhe Muçoli kanë qenë të dëmtuar. Selmani u dëmtua dje në stërvitje. Po t’i kishim ata, patjetër që do bënim disa sulme më shumë. Sidomos me Brojën që e tërheq ekipin para. Gjithsesi, jam i kënaqur sepse e di çfarë kërkon tifozi, të luftojmë deri në fund. Në botë nuk janë të gjitha ekipet si Anglia. Hiq 4-5 ekipe të mëdha, ekipet e tjera ne mund t’i përballojmë nëse punojmë dhe sakrifikojmë si sot.

Për çfarë luhet në ndeshjet e mbetura?

Ne çdo ndeshje do luajmë për fitore, që këta djem të rriten dhe kur të shkojnë te ekipi A, të kenë një farë eksperience dhe të japin më të mirën. Siç e kanë bërë shumë të tjera. Vetëm dje kishte 4-5 në fushë nga Shpresat, tek ekipi A. Objektivi kryesor është të marrim sa më shumë pikë ndaj kundërshtarëve të nivelit tonë. Gjithsesi, edhe me Anglinë mund të luanim më ndryshe.

Do ndërtohet një ekip më konkurrues për të ardhmen?

Ne sot kishim 7 lojtarë të ditëlindjes 2000, që nuk duhej të ishin këtu, sepse janë të vegjël. Anglia kishte lojtarë me vitin 98. Duke qenë më i fortë, edhe 2 vite më i madh që në këto mosha bën diferencën, bëhet më e vështirë. Gjithsesi, unë jam i kënaqur sepse kur të vijë edicioni tjetër, këta lojtarë do bëjnë më mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura