Nuk kanë bindur, ja dy lojtarët që rrezikojnë rinovimin me Flamurtarin

SHPËRNDAJE

Flamurtari “në ajër”. E ndërsa jemi në finishin e kampionatit, klubi nuk s’ka nisur ende punën për rinovimin e kontratave me futbollistët. Pjesa më e madhe e tyre në fund të këtij muaji dalin të lirë. Përpos deklaratave të administratorit Sinan Idrizi se do të niste punën për rinovimin e kontratave, deri dje nuk kishte asnjë informacion zyrtar për këtë çështje.

Pavarësisht kësaj, asnjë futbollist nuk e di nëse do të rrijë apo do të largohet. Lojtarët kryesorë të Flamurtarit, Alvesh, Bushiç, Nurkoviç, Bicaj, Siljanovski, Veliu, Musta, Pollozhani, Useini, nuk kanë kontratë për sezonin e ardhshëm. Nga ky grup lojtarësh pritet të ketë largime. Burime të besueshme pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se nuk e kanë të sigurt rinovimin disa lojtarë kryesorë që kanë pasur peshën gjatë kampionatit, por që nuk kanë përmbushur pritshmëritë.

flamurtari

Në pikëpyetje është qëndrimi edhe i kapitenit Tomislav Bushiç. Zëra pranë drejtuesve të klubit konfirmojnë se sulmuesi edhe mund të largohet për shkak se nuk ka qenë në pritshmëritë që klubi ka pasur. Lëkundje drejtuesit kanë edhe për Pollozhanin, kjo për shkak të moshës që ka lojtari. Në pikëpyetje mbetet edhe Alvesh. Ky i fundit mbylli sezonin para kohe për shkak të dëmtimit, por në klub drejtuesit dyshojnë se braziliani edhe mund të mos kthehet nëse do të ketë ndonjë ofertë më të mirë se vlonjatët. RINOVIMET- Drejtuesit e Flamurtarit dhe stafit teknik kanë mbledhur tashmë mendjen për ata lojtarë që duan t’i kenë pjesë sezonin e ardhshëm. Portieri Nurkoviç ka bindur dhe me shumë gjasa drejtuesit do t’i ofrojnë rinovimin. Mësohet se pëlqehen që të jenë pjesë e sezonit të ardhshëm edhe Bicaj, Siljanovski, Veliu, Musta dhe Useini.

Siç dihet edhe këtyre lojtarëve u përfundojnë kontratat, por duket se ata kanë bindur dhe do t’u kërkohet qëndrimi edhe një sezon tjetër. Mësohet se drejtuesit e Flamurtarit kërkojnë që të firmosin një kontratë me Ardit Hoxhajn, që deri tani ka qenë i huazuar nga Skënderbeu. Po ashtu drejtuesit kuqezinj kërkojnë të bëjnë lojtarë të tyre edhe Sidiben që ka ardhur i huazuar nga Besëlidhja. Po ashtu po pëlqehet edhe Fjoralb Deliaj. I riu vlonjat me largimin e Duros ka marrë minuta si titullar dhe ka fituar simpatinë e trajnerit Behari dhe stafit teknik.

ZHGËNJIMET- Te Flamurtari ka edhe lojtarë që kanë zhgënjyer totalisht. Mes tyre edhe ndër blerjet e janarit. Nga blerjet dimërore duket se po e justifikon vetëm Muarem Muarem. Por kanë zhgënjyer totalisht Igor Nedeljkoviç dhe Fisnik Zuka. Problemi është se ata janë nën kontratë dhe gjithçka duhet të zgjidhet mes palëve, por gjasat janë që të largohen. Larg pritshmërive ka qenë edhe Kamara, por edhe Tunkara që erdhi me bujë nga Lacio. Tunkara nuk arriti dot të ambientohej në Vlorë dhe shanset të largohet në fund të muajit janë të mëdha.

E.Sika

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.