Nuk ka rroga të çmendura, te Kukësi sforco vetëm për Xhovinkon

Jan 15, 2022 | 13:29
SHPËRNDAJE

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë sezon Kukësi ndryshoi politikë sa u përket shpenzimeve për pagat e lojtarëve. Nuk pati çmendurira në merkato për të afruar futbollistë të superpaguar, duke i mëshuar më shumë faktit që të krijojnë një grup ambicioz.

kukesi

Deri më tani, kur është mbyllur thuajse gjysma e kampionatit, verilindorët kanë bërë një sezon të kënaqshëm, pasi janë në vendin e dytë, kur të paktë ishin ata që e mendonin këtë ecuri pozitive. Duket se e njëjta filozofi do të vazhdojë deri në fund dhe këtë po e tregon në njëfarë mënyre edhe merkatoja e dimrit, ku nuk po mendohet të bëjnë sakrifica financiare, me përjashtim të rastit Xhovinko për të cilin një sforco mund të ishte e mirëkuptuar.
Xhovinko

 

Gjithsesi, edhe në këtë rast, nëse italiani do të ulej në bisedime, do të shihej se deri ku do të shkonin pretendimet e tij, pasi Kukësi vetëm sa do të sforcohej pak, por jo me një shifër përtej logjikës në futbollin shqiptar. Sakaq, burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se tratativat gjatë këtyre ditëve në merkato nuk janë konkretizuar për shkak të kërkesave financiare që kanë pasur lojtarët e piketuar, duke kërkuar më tepër nga sa ofronin verilindorët.

AFRIMET – Duke qenë se deri në këto momente ekipi i Longos e ka krijuar një filozofi të vetën në lojë, janë të kënaqur edhe nëse nuk bëjnë asnjë afrim tjetër, për aq kohë sa kanë besim te lojtarët aktualë. Krahu i majtë i mbrojtjes, i cili ishte i vetmi rol i padubluar, u plotësua me afrimin e Emiljano Mustës, ndaj në Kukës tani presin vetëm ndonjë ofertë të kënaqshme.

Nga ana tjetër, ka skaduar edhe afati i vendosur nga tekniku Longo për të bërë merkato, ndaj nuk është çudi që në Kukës të vazhdojnë të bëjnë llogaritë me kontigjentin që kanë. Megjithatë, burimet pohojnë se dera nuk është plotësisht e mbyllur për askënd, sepse deri ditën e fundit të merkatos mund të dalë në skenë ndonjë futbollist që i bën vërtet punë skuadrës dhe nuk ka nevojë për shumë ambientim me pjesën tjetër të ekipit.

SITUATA – Prej disa ditësh ekipi i Kukësit është i kapluar nga COVID-19, ku disa lojtarë kanë rezultuar pozitivë dhe nuk po stërviten aktualisht me skuadrën. Me shumë gjasa, edhe pse në ndeshjen me Dinamon mund të jenë gati, nga ana fizike nuk do të jenë në maksimumin e tyre dhe Longo ka nisur t’i bëjë llogaritë me ata që ka aktualisht në dispozicion. Mbetet për t’u parë gjithsesi deri të mërkurën se si do të vijojë kjo situatë në kampin verilindor.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura