Nuk ka rritje të biletës urbane, Bashkia rimburson TVSH-në dhe akcizën! Veliaj: Ja kushtet për plotësimin e kërkesave të operatorëve të transportit

Oct 26, 2021 | 10:01
SHPËRNDAJE

autobuseterionveliaj

BESARTA BASHA/ Pesë ditë përpara ultimatumit të operatorëve urbanë për të reduktuar më tej flotën urbane në qarkullim, Bashkia e Tiranës është ulur në bisedime me ta për një zgjidhje të mesme.

Nuk bëhet fjalë për heqjen e akcizës së naftës e as për uljen e TVSH-së, por subvencionimin e tyre përmes një fondi prej 1 milion eurosh që do të dalin nga arka e bashkisë. Shuma nuk do të ndahet në mënyrë proporcionale bazuar në numrin e operatorëve që operojnë në kryeqytet, por në bazë të qarkullimit që ata kryejnë. Kështu, ndihma do të jepet vetëm pasi të plotësohen disa kushte apriori.

KUSHTET E BASHKISË

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në takimin me operatorët e transportit la të kuptohej se beson që në të vërtetë ata ndodhen përballë një vështirësie të madhe ekonomike, por nga ana tjetër, nuk la pa përmendur rezervat mbi mosrespektimin e marrëveshjes nga ana e tyre, që ka në thelb mungesën e transparencës. Nisur nga kjo e fundit, kryebashkiaku artikuloi disa kushte, për të proceduar më tej me plotësimin e kërkesave, pas “OK” të marrë nga kreu i qeverisë.

“Po diskutojmë heqjen TVSH-së. Por ajo që ne do të bëjmë është rimbursim i TVSH-së dhe akcizës. Pasi ajo lë vend për abuzime. Kjo do të bëhet a posteriori dhe nuk mund të bëhet pa vendosur GPS-in. Nuk mund t’i themi qeverisë na rimburso në momentin që s’bëjmë transparencë. Nëse ju pranoni, mund të vazhdojmë pastaj me TVSH-në dhe akcizën”, nënvizoi Veliaj. 

Kushti i dytë lidhet me kompensimet për kategori të ndryshme sociale të cilat gjithashtu duhet të jenë transparente së pari, me qëllim që ministritë e linjës të akordojnë mbulimin e kostove.

“Ligji thotë që këto kategori subvencionohen, dhe me të drejtë ju shqetësoheni pasi nuk e merrni. Por edhe këtu duhet bashkëpunim. Sa njerëz janë të këtyre kategorive që qarkullojnë me urban në mënyrë që operatorët të marrin subvencionin ose pjesën që ju takon?!”. 

Një tjetër kusht për përfitimin e ndihmës lidhet me respektimin e formatit të aboneve. I pari i Bashkisë kërkoi dakordësi për vendin dhe mënyrën se si shiten, me qëllim që të mos lihet vend për abuzime.

“O biem dakord për mënyrën si shiten dhe vendet ku shiten, ose e lëmë fare. Ne vazhdojmë ende ta shesim abonen në dorë dhe ju jeni pjesë e këtij informaliteti”, shtoi kryebashkiaku.

Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka vendosur të përfshihet direkt në zgjidhjen e kësaj krize, duke akorduar një shumë për subvencionimin e operatorëve për kapërcimin e kësaj krize.

“Kam porositur drejtorin e financave që në buxhetin e 2022-shit të akordojë një fond prej 1 milion eurosh. Është një mënyrë për të dhënë ca para, për të bërë ca kompensime, por cilësinë e rrit transparenca, abonoja e formalizuar dhe GPS-i. Nuk janë paratë e mia, por të publikut, shpërndarjen e kësaj paraje do ta bazoj në të dhënat që na vijnë nga ai”, tha Veliaj duke u shprehur i gatshëm ta rishikojë sërish buxhetin nëse kjo shumë nuk mjafton

KËRKESAT E TRANSPORTIT

Përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Qytetas Rixhin Qosja artikuloi sërish kërkesat kryesore të operatorëve, duke theksuar se në asnjërën prej tyre nuk është kërkuar rritje çmimi, por mbështetje financiare nga pushteti.

“Jemi në vështirësi të jashtëzakonshme financiare. Nuk mjaftojnë paratë për të operuar siç duhet, kemi detyrime kundrejt tatimeve, furnitorëve tanë dhe bankave. Ne kemi disa kërkesa emergjente për t’u zgjidhur. Moszgjidhja e këtyre problematikave emergjente do të na çojë në pamundësinë e ofrimit të shërbimit, me pasoja shumë të rënda për kompanitë tona, por edhe qytetarët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura