“Nuk ka një strategji të qartë”, flet eksperti: Numri i rasteve s’ka justifikuar ashpërsinë e masave

May 27, 2020 | 16:35
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Kur kemi hyrë në javën e 12 të pandemisë COVID-19, ka shumë paqartësi mbi strategjinë e ndjekur nga qeveria për të menaxhuar situatën e krijuar.

Erion Dasho
Erion Dasho

Numri i ulët i rasteve të konfirmuara pozitive, por edhe shkalla e ulët e agresivitetit, nuk përligjin masat shtrënguese të ndërmarra përgjatë këtyre muajve. Në të tillë konkluzion dalin edhe ekspertët. Në një prononcim dhënë për gazetën, mjeku Erion Dasho thotë se kufizimet e vendosura nga qeveria, nuk kanë qenë në proporcion me situatën e krijuar nga COVID-19.

Ndryshimi i fashave orare të liri-daljes, ndalimi për të shkuar në park apo edhe komunikimi në minutën e fundit i kufizimeve të caktuara për fundjavat, kanë ngjallur veçse pështjellim. Sipas doktorit, në çdo vendimmarrje mungon arsyetimi apo logjika mbi ç’bazë po ndërmerret dhe çfarë është më e rëndësishme duhet një strategji e qartë në raport me qasjen ndaj virusit, pra nëse po tentohet “imuniteti i grupit”, shpërndarja e kontrolluar apo kemi të bëjmë me një taktikë tërhiq e lësho.

“Që nga fillimi i muajit prill, plani i masave nuk ka qenë proporcional me situatën epidemiologjike. Numri i rasteve nuk ka justifikuar ashpërsinë e masave, të cilat ia kalonin edhe vendeve me një numër rastesh për popullsi shumë herë më të lartë se tonën. Mbi të gjitha, mua më ka shqetësuar mungesa e një konsistence në masat e marra. Fashat orare kanë ndryshuar shumë shpesh dhe pa ndonjë logjikë të qartë, politika e kufizimeve të lëvizjes në fundjavë është bërë e njohur vetëm në momentin e fundit, lejimi apo ndalimi i shëtitjeve në parqe nuk është shpjeguar siç duhet, politika e përdorimit të maskës në publik dhe në vende të mbyllura akoma nuk zbatohet siç duhet etj. Nëse duam të kemi sukses në kontrollin e COVID-19, nevojiten masa të thjeshta, të kuptueshme, që kontrollohen lehtë nga Policia apo inspektorati dhe që qartazi tregojnë se jemi duke i lehtësuar masat kufizuese pa krijuar ulje-ngritje të pajustifikuara. Mbi të gjitha na duhet një strategji e qartë se cili do të jetë përafrimi ynë ndaj virusit. Imunitet i grupit? Eliminim i virusit? Shpërndarje e kontrolluar? Taktike tërhiq e lësho? Publiku ka të drejtë të informohet, pasi kjo lidhet direkt me zbatueshmërinë e masave të propozuara”, ka pohuar eksperti i shëndetit, Erion Dasho.

Tri ditë më parë, është prezantuar edhe plani i masave. Ka qenë sërish Kryeministri Rama që ka bërë të ditur kufizimet për ditët dhe javët në vijim. Paradoksalisht me situatën, Rama ka paralajmëruar kufizim të lëvizjes edhe për dy fundjavat në vijim. Ndërkohë që duke nisur nga data 1 qershor, do të hapen plazhet por vetëm për resortet. Në ditët në vijim, Ministria e Turizmit pritet të publikojë edhe udhëzimin përkatës mbi protokollet e sigurisë që do të vihen në zbatim për të mos lejuar përhapjen e infeksionit. Por edhe për hapjen e plazheve, ekspertët ndajnë mendim të kundërt. Ata kanë kërkuar nga qeveria që të mos vendosen kufizime.

Sipas doktorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i goditur në botë nga koronavirusi, por qytetarët amerikanë nuk janë penguar të bëjnë plazh.

“SHBA-të janë vendi më i goditur në botë nga COVID-19 dhe sot qytetarët amerikanë kanë bërë plazh. SHBA-të kanë gjithashtu shkencëtarët më të zotë në planet, të cilët janë të aftë të gjykojnë mbi rreziqet dhe dobitë e plazhit. Mendoj se çdo koment tjetër do të ishte i tepërt”, thekson Dasho. Edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti, referuar një studimi të realizuar nga Universiteti i Milanos ka vënë në dukje se plazhet nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e infeksionit dhe se kripa dhe rryma janë armiq natyror të virusit.

“Tjetër studim nga Universiteti i Milanos, që siguron së nuk ka risk sanitar nga ujërat e zeza dhe ujërat e lumenjve. Pra, nëse vetë ujërat e zeza nuk janë të rrezikshme për transmetimin e virusit, si mund të ketë risk në detin ku derdhen këto ujëra?! Kujtojmë që deti ka edhe kripë (rreth 3.9% Adriatiku Jugor, rreth 3.7-3.8% Joni Lindor), jon dhe kripëra të tjera, si edhe rryma dhe temperaturë të lartë, të cilat janë të gjithë armiq natyrore të virusit”, ka shkuar doktori në rrjetet sociale.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura