“Nuk ka lidhje me vrasjen, e thotë raporti”, avokati i Izet Haxhias: Berisha të përballet në gjyq për akuzat e bëra

Jun 10, 2018 | 15:47
SHPËRNDAJE

Avokati i Izet Haxhia, Bashkim Nikolla, në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në ‘News24″ ka dhënë detaje nga dosja “Hajdari”. Ish-truproja i Sali Berishës, i cili akuzohet për vrasjen e Azem Hajdarit, po përballet me drejtësinë, ndërsa ka kërkuar rihapjen e dosjes pasi pretendon se ka prova të tjera. Duke qëndruar në këtë linjë, avokati Nikolla shprehet se Haxhia nuk i ishte shmangur drejtësisë, por i ishte rrezikuar jeta. Mes të tjerash, ai tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe se kishte qenë mik i Hajdarit dhe se disa herë i kishte mbrojtur jetën.

izet-haxhia

Nikolla shpreson që Gjykata e Tiranës të pranojë kërkesën për rivendosje në afat të ankimimit, në mënyrë që t’i hapë rrugë rigjykimit të çështjes. “Rasti Haxhia është një rast si gjithë të tjerët. Njohja ime me Haxhian është njohje në distancë, pastaj njohjet e tjera kanë qenë në dinamikën e ngjarjeve. Rasti që kërkon të ballafaqohet është i hershëm dhe jo i sotëm. Por që të realizohet kjo, duhet edhe garanci reciproke. Midis shtetasit dhe shtetit. Ka disa shkaqe që quhen shkaqe madhore. Nëse marrëdhëniet e individit me shtetin janë të tilla, që s’do të lejojnë që unë të realizoj mbrojtjen time me atë që pretendohet me rregullat kushtetuese, jam i privuar nga liria e të thënët të gjerave. Pra, më vihet në pikëpyetje jeta, ekzistenca, do të ruhem nga kjo dhe në rrethana të tjera nuk do të zhdukem, por do të përballem kur kushtet janë të bazuara tek e drejta. Kjo e ka penguar klientin tim.

Nuk i është fshehur drejtësisë. Ka ikur nga vendi pas ngjarjeve të 14 shtatorit, por jo për këtë çështje që iu faturua. Më pas, ka marrë vesh në mënyrë të njëpasnjëshme pasojat që mund të vinin nëse paraqitej. Shteti shqiptar, përmes përfaqësuesit të organit të Akuzës, nuk ka qoftë një dokument që të provojë njoftimin procedural për vendimin e marrë në mungesë. Njoftimi ka rregulla dhe duhet të jetë efektiv dhe i kuptuar nga tjetri. Ai mund të thotë ‘refuzoj’ ose e ‘mora vendimin’. Është edhe ‘barra e provës’ që i takon shtetit. Individi mund të thotë: ‘unë e mora vendimin dhe e grisa’, shteti nuk e gris se ka nënshkrimin tim. Ndaj, që nga kjo datë, më thotë se: “Ke shkelur afatet”. Teksa u ndal te provat e reja, avokati tha se: “Kërkesa e zotit Haxhia është e ligjshme, kërkesë si e çdo shtetasi shqiptar. Nuk ka ndonjë specifike. E vetmja është një mbështetje ligjore. E drejta e tij për rivendosjen e afatit.

haxhia (1)

Kurdoherë kur kam një provë të re, mund të shkoj në gjykatë të paraqes kërkesën. Kërkesa e përfaqësuesit, që unë mbroj, është e mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë. Provë është kjo mbështetje ligjore, që s’ka Zot që mos t’i japë të drejtën që i takon ligjit. Ne kërkojmë afat”. Ai tha gjithashtu se në asnjë pjesë të dosjes hetimore nuk ka qenë emri i Izet Haxhias i përmendur në të, duke iu referuar kështu edhe një raporti të SHIK të vitit 1998. Dokumenti në fjalë i shpjegon Presidentit të atëhershëm, Rexhep Mejdanit dhe Kryeministrit Majko dinamikën dhe arsyet e vrasjes së Azem Hajdarit. Kështu, dokumenti nis me tre autorët, që sipas SHIK-ut, janë Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Feriz Kërnaja. Ky grup kishte armiqësi me Azem Hajdarin që kishte nisur që pas tentativës së dështuar të ish-deputetit të PS-së, Gafur Mazreku për të vrarë Azem Hajdarin në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, më 18 shtator të vitit 1997.

Sipas dokumentit, PD-ja tentoi të bënte një protestë në Tropojë për ngjarjen e rëndë, por kreu i Komisariatit atje, Fatmir Haklaj, nuk u dha leje, duke sjellë edhe përplasjet e para me Azem Hajdarin. Aty nisi edhe zinxhiri i vrasjeve. Gjithashtu, në dokument, Azem Hajdari përmendet si i përfshirë në trafikun e armëve në Kosovë. Në këtë trafik, ishin të përfshirë si ortakë edhe vëllai i Izet Haxhias, Isamedin Haxhia dhe Halil Haklaj. “Është një shërbim specifik për çdo shtet dhe shërbim inteligjent dhe nuk ka probleme psikike. Ka datë, numër protokolli, grup informativ dhe është i cikluar dhe drejtuar Kryeministrit Pandeli Majko dhe Presidentit Rexhep Mejdani, iu drejtohet autoriteteve të larta dhe në asnjë vend nuk është emri i Izet Haxhias.

Nga doli kjo? Kjo është një aneks-kontratë që të bëhet libri i plotë. Por kjo është nonsens, pastaj faturohet që ka pasur paramendim. Që të kesh paramendim, duhet të kesh bashkëpunim dhe komunikim dhe motiv. Izet Haxhia ka qenë mik me heroin e demokracisë dhe e ka mbrojtur në shumë raste atë dhe Presidentin e vendit. Jeta e heroit të demokracisë Azem Hajdari është kërcënuar edhe 6 herë të tjera. As historikisht dhe as në momentet e çastit, s’e lidh me Izet Haxhian. Para disa ditësh po lexoja një libër që do bëjë një miku i tij dhe i kam marrë leje ta përdorja diku dhe ja, po e bëj tani. Titulli i librit është ‘Arkëmortja e shqiptarëve’. Ai ka një trajtë tjetër, po ne kemi ‘dëshirë’ që të zhdukim njëri-tjetrin.

Ngatërrohemi aq shumë me njëri-tjetrin, sa të bëjmë gjëra fatale. Ka qarkulluar dikur një thënie; ‘të gjejmë vrasësin e vrasësit’. Klienti im s’e sheh veten as direkt dhe as indirekt. Ndaj ka qenë këmbëngulja e tij që të vij, pasi ka qenë në një farë mënyrë dëbim. Ka pasur dëshirë që të vijë, madje ka deklaruar se nëse vërtetohet se e ka bërë krimin, të vuajë dënimin përjetësisht.

Nuk është vjedhje nga ligji, për vetë karakterin dhe kulturën e tij. Vitet që ka kaluar, janë vite, kaluar burgut dhe i është faturuar diçka që s’e ka bërë. Madje ka bërë edhe vetëmohim, për të mbrojtur personalitetet me vlerë që ka prodhuar ky vend”, pohoi avokati. Mes të tjerash, avokati tha se ish-Kryeministri Sali Berisha duhet të shkojë në Gjykatë përballë Haxhias, pasi duhet të respektojë ligjin. “Në pjesën profesionale, duhet të çojë prova te deklarimi. Unë di që zoti Berisha respekton ligjin. Si çdo shtetas, sipas ligjit, duhet të përgjigjet, ndaj duhet të mësojë të përgjigjet”, tha avokati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura