“Nuk ka fonde”, gangrena që po vdes teatrin

Jan 20, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

NAUN SHUNDI

naun shundi

J o çdo përgjegjësi për mosmbajtje premtimesh e ka dhe duhet ta marrë drejtori i Teatrit Kombëtar. Kushdo qoftë. Në këtë rast kemi Çulin. Sado politika shumë të mira, të bukura të mund të ketë në mendje iks drejtor, nëse nuk ka mbështetjen e duhur nga strukturat përkatëse, nuk e  realizon dot. Vijmë nga vijmë dhe kthehemi sërish në të njëjtën pikë. Te fondet, pra, te lekët. Nëse mungon paraja, ne nuk bëjmë dot asgjë. Nuk vihet shfaqja me frymën e shenjtë në skenë.

Nuk bëhet një Festival Kombëtar çdo një vit ose dy vjet. Në qoftë se ministria përkatëse nuk akordon fondet përkatëse për ta zhvilluar këtë si festival, s’ka si të organizohet ai. Aq më keq për ata që e kanë në dorë këtë para. E dini ju që teatri nuk e di sa vite ka që nuk ka bërë asnjë turne jashtë Tiranës? Nuk ka vajtur në një qytet tjetër për të vënë shfaqje të repertorit të tij. Pse? Mungesë fondesh.

Na çmendën me këtë “mungesë fondesh, mungesë fondesh”. Sa fonde u dashkan për të lëvizur trupa e Teatrit Kombëtar për të dhënë një shfaqje brenda territorit. “Nuk ka” na u bë gangrenë. E dimë tani që nuk ka, por duhet të përpiqemi t’i nxjerrim ato lekë, se ndryshe nuk ecën.

Po jap disa shembuj që kanë një pikë të përbashkët. Na është bërë me dije disa herë që do të mblidhet Teatri Kombëtar, aktorë, regjisorë për të diskutuar atë ligjin e famshëm mbi teatrin. Edhe ne kemi thënë që: Unë mendoj kështu, kjo pikë e ka gabim, ose ajo, ose ata që e kanë hartuar këtë ligj nuk marrin vesh nga kjo punë. Dhe këtë e them me bindje të plotë, ata që kanë bërë këto punë, nuk e kuptojnë teatrin, nuk e dinë, nuk e njohin atë. Si kundër ai arkitekt që ka bërë “Arturbinën” nuk e ka idenë se ç’do të thotë teatër. Ai investim që quhet “Arturbina” nuk është Teatër. Ashtu siç e bënë, është gjynah, por ai nuk është teatër. Lekët u hodhën, miliona euro…dhe në fund, asgjë. Është matematikë e lartë që të merresh me ndërtesën e një teatri. Kërkon kushte specifike. Nuk është pallat banimi teatri.“Do të keni dushe të laheni”, a thua se ne po qelbemi të tërë si aktorë dhe a thua se mbetëm tani të na vihen dushe në teatër për t’u larë. Ky është turp. Kjo histori është çështje prioriteti. A themi ne prioritet drama shqipe? Urdhëro, pra, na krijo mundësinë të punojmë. Sa për temën në është i lirë teatri shqiptar, mendoj se teatrin nuk e pengon askush dhe asgjë të jetë i lirë.

Për mendimet se “mungon liria” për Teatrin Kombëtar e për teatrot e tjera në rrethe, kjo e ka një shpjegim. Nëse ka opinione, zëra, mendime që teatrit i mungon liria, në gjykimin tim është për faj të vetë teatrit. Me keqardhje vë re se e vetmja gjë që i mungon teatrit, ose që e ka me tepri në raste të caktuara, është autocensura. Flas nisur nga vitet që unë kam në atë teatër. Kjo lloj autocensure nxjerr kokë edhe sot.

Liria fillon te dramaturgu – te lënda e parë. Nuk them që mbaron aty, por në qoftë se dramaturgu nuk është i lirë, atëherë është e kot të pretendosh për liri të teatrit. Fatkeqësisht këtë lloj lirie, jo se ia privon njeri dramaturgut të sotëm, por ai e privon veten nga kjo lloj lirie. Me sa duket, nën ndikimin me dashje apo pa dashje, tek ajo autocensurë që ka ekzistuar prej kohësh. Kjo jo vetëm për dramën, por edhe te romancierët, edhe te poetët e kështu me radhë. Në këndvështrimin tim, “Leximi i veprave shqipe” nga një trupë e caktuar, me një regjisor që punon për pak kohë në tavolinë dhe e paraqet për ata që e shikojnë, qofshin këta spektatorë të zakonshëm ose edhe ai komision i cili në fund do të përcaktojë cilat vepra meritojnë sipas tij të shikojnë dritën e skenës, mua nuk më duket metodë e mirë për të vetmen arsye. Mendoj që po ta vë veten në pozicionin e atij që është i detyruar të gjykoj, unë do të pretendoja të mos dhunohesha nga ajo çfarë shikoj. Do të ishte më mirë për mua që përfytyrimin për këtë vepër ta krijoja duke lexuar të zezën mbi të bardhë, vetëm si individ. Aty unë mundem të marr emocionin, mendimin, ashtu siç më vjen mua, siç e përkthen filtri im.

Jo sipas filtrit të dikujt tjetër. Kjo më  privon. Kjo më thotë mua “shiko se kjo vepër është kështu. Këta personazhe janë kështu”. Jo, jo! Nuk më duhet ajo. Pra, e marr gjysmë të gatshme. Unë e di që ka përvoja edhe ndërkombëtare, madje që operojnë me këtë lloj metode.

Kjo punë që të sistemohet fillon që me ligjin. Ai bordi i dikurshëm me nga një anëtar të Ministrisë së Kulturës, një nga Ministria e Financave…. unë s’mund të jem dakord, gjithmonë me këto kushte që është praktikuar. Një shprehje e Stanislavskit te vepra “Jeta ime ne art” thotë: Regjisori mund të bëjë shumë në një vepër, por jo gjithçka. Kryesorja mbetet në duart e aktorëve, të cilët duhen mësuar dhe orientuar drejt. Si do që të vijë puna, edhe pse profesori i nderuar thotë se kryesorja mbetet në duart e aktorëve, prapë e vazhdon mendimin duke thënë .. “të cilët duhen orientuar drejt”. Tani, nëse i referohemi kësaj fraze, cila është kryesorja, regjisori apo aktori? Edhe kjo frazë e Stanislavskit nuk na qartëson, sepse është një bashkëpunim shumë i ngushtë. Dhe duke mos qenë teatri dhe artet e tjera shkenca ekzakte, detyrimisht krijohen hapësira për subjektivizma, për gjykime të drej ta ose jo. Sepse në fund të fundit, kush e vendos të drejtën?

Cili është ai që merr përsipër të thotë se “unë e vendos sipas kriterit tim të gjykuarit që kjo është vepra më e mirë, ose nuk është e mirë. Çdo regjisor, kur merr të vendosë një vepër, mendon se do ta bëjë mirë këtë punë. Aksidentet që mund të ndodhin gjatë rrugës, që ai nuk e realizon dot objektivin e vet, janë të njohura. Kemi përvoja jo vetëm shqiptare, por edhe botërore, ku regjisorë shumë të mirë kanë dështuar në raste të caktuara, sepse është pikërisht kjo që thashë më lart, nuk është shkencë ekzakte. Unë shkruaj nën ata që emërtohet si “autor absurd”. Shkruaj në këtë stil sepse kështu më vjen natyrshëm. Nuk e di në e bëj mirë apo keq, mund të ketë edhe persona që thonë “ore, ti, akoma me absurdin?”. Unë, në veprat e mia, nuk i vë qëllim vetes se apostafat të bëj një vepër absurde. Ndërsa për sa i përket gjykimit në tërësi të autorëve shqiptarë, do t’i thosha se “Më mirë të mos shkruash asnjë gjë, sesa të shkruajnë me zor”.

Më ka qëlluar kur isha në skenë, si spektator, por edhe si aktor, t’ia ndiej sikletin autorit – ia ndien kontraksionin e brendshëm që i ka vënë vetes qëllim që “O e bën, o s’ka”. Nëse një autori i vjen një gjë për ta thënë, ta thotë si t’i vijë, jo me zor, sepse kontraktohem unë kur një dialog nuk më shkon fare. Kontraktohem unë kur lexoj një gjë që s’ka natyrshmëri dhe pyes “pse është munduar kaq shumë të më gënjejë”, se ai gënjen. Një dramë është e mirë sipas gjykimit tim atëherë kur ndjen që autorit, domosdoshmërisht i është dashur ta thotë gjënë, mendimin, mesazhin, idetë, nëpërmjet veprës së tij. Pra, duke i ardhur si një ngacmim i brendshëm, si një nevojë e brendshme, për të thënë që ai dramaturg ka pasur brenda vetes.

Dëshira për t’i ballafaquar, për të ndikuar edhe pse jo edhe te të tjerët me idetë e tij, me veprën e tij, e bën atë vepër detyrimisht të pëlqyeshme, flas për njerëz profesionist. Nëse ai e ka si detyrim dhe ulet dhe shkruan për detyrë, kjo pastaj ndihet, kushdo qoftë ai dramaturg, i ri ose i njohur. Ai përpiqet ta fshehë këtë siklet të tiji, por sa më shumë përpiqet ta fshehë, aq më shumë ajo evidentohet. Unë do t’i këshilloja këta lloj dramaturgësh që më mirë të heshtnin kur nuk kanë gjë për të thënë, sesa të flasin budallallëqe. Regjisorët që marrin vepra të tilla për t’i vënë, nëse regjia nuk ngacmohet, nuk është njësh me dramaturgun sikur e ka shkruar ai vetë, është i destinuar të dështojë.

Gjithmonë na kanë thërritur nga teatri dhe na kanë kërkuar mend neve si aktorë të teatrit dhe trupës dhe ne kemi thënë vërejtjet tona. Absolutisht asnjë nga ato vërejtje që ne kemi thënë publikisht nuk është marrë parasysh.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura