“Nuk ka fond që kompenson boshllëkun”/ Rama tregon për ndihmën që do marrë familja e policit të vrarë: Fëmijët do jenë krenarë për babain që i shërbeu deri në fund shtetit

Sep 29, 2021 | 13:58
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama zhvilloi homazhe për policin e vrarë në krye të detyrës, Saimir Hoxha. Në një prononcim për gazetarët, Kreu i Qeverisë u shpreh se asnjë ndihmë financiare nuk mund të mbulojë boshllëkun që la polici, por u shpreh se është miratuar një mbështetje e konsiderueshme financiare.

Ndërsa për fëmijët e policit të ndjerë, Rama beri te ditur se do të marrin 170% të rrogës së babait të tyre, derisa ata të jenë në moshë madhore.

“Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë së shtetit, patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen.

Duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes dhe duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut, e shoh të udhës të bëj me dije se qeveria ka vendosur një mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, por njëkohësisht me të hyrë në fuqi ligji për fëmijët nën kujdesin e republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë.

Nuk ka fonde dhe nuk ka mbështetje materiale që kompenson boshllëkun, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm por të ndihen deri në fund të mbështetur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenar jo vetëm për prindërit, por edhe për shtetin që babai i shërbeu deri në momentin e fundit”, u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura