Nuk ka dyshime, Momo Salah zgjidhet lojtari më i mirë i sezonit në Angli

Apr 23, 2018 | 10:23
SHPËRNDAJE

Tashmë është zyrtarisht edhe më i miri në Angli. Mohamed Salah, autori i 41 golave në të gjitha kompeticionet dhe 31 në Premier Ligë, është votuar nga kolegët e tij si futbollisti më i mirë i sezonit 2017-18, duke lënë pas një tjetër kampion, Kevin de Brujnen e Mançester Sitit dhe Herri Kejnin e Totenhemit.

Salah

Sulmuesi egjiptian u nderua në ceremoninë e 45-të gala të “PFA Awards” mesnatën e së dielës, në hotel “Grosvenor”. Ai bëhet lojtari i shtatë i Liverpulit që e fiton këtë çmim dhe i pari egjiptian. “Është një nder i madh. Kam punuar fort dhe jam shumë i lumtur që e fitova. Shpresoj të mos jetë i fundit. Jam krenar dhe falënderoj skuadrën. Pa ta nuk do kisha mundur dot ta fitoja. Tani dua të thyej rekordet e mbetura të golave”, tha sulmuesi.

TALENTI I VITIT – Leroi Sane është talenti më i mirë i sezonit në Angli. Gjermani i Mançester Sitit la pas sulmuesin e Totenhemit, Herri Kejn dhe shokët e skuadrës, Rahim Sterling, portierin Ederson, Rashfordin dhe Sesenjon. “Jam me të vërtetë i nderuar që fitoj këtë çmim. Dua t’i them gjithashtu faleminderit të gjithë tifozëve, shokëve të skuadrës, trajnerëve dhe kolegëve, të cilët më votuan mua për këtë çmim.

Sepse kishte shumë lojtarë të rinj që e meritonin këtë çmim për shkak të sezonit të shkëlqyer që kanë bërë me skuadrat e tyre”, tha pas marrjes së çmimit mesfushori i kampionëve të Anglisë. I transferuar nga Shalke dy sezone më parë për shifrën fillestare të 37 milionë paundëve, 22-vjeçari garoi edhe sezonin e shkuar për këtë çmim. Por këtë vit ai ka shkëlqyer me “qytetarët”, duke shënuar 13 gola në të gjitha kompeticionet (9 në Premier Ligë dhe 12 asiste).

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura