Nuk ka asnjë ankesë të formuluar, veç lotët që i shkojnë çurg faqeve/ Adoleshentja e prekur nga skolioza dhe epilepsia

May 22, 2020 | 23:21
SHPËRNDAJE

Ekipi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në fshatin Dishnicë të Korçës.

adoleshentja-768x431

Këtu jeton familja Kokonozi. Vajza e vogël e famljes quhet Kristjana, është 15 vjeç. Kristjana nuk arrin dot të flasë, është prekur skolioza dhe epilepsia. Situata është tepër dramatike pasi mjekët i kanë thënë prindërve se jeta e vajzës është në rrezik madje në moshën 16 vjeçare do të jetë fatale.

Kristjana nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë. Nuk ka asnjë mikeshë, ajo njeh vetëm familjen e saj, askënd tjetër. Për shkak të gjendjes shëndetësore ajo sot po lufton për jetën. Dhimbjet e kockave që i shtypin mushkëritë i shtohen edhe krizat e herë pas hershme të epilepsisë. Adoleshentja nuk arrin dot t’i thotë familjarëve për dhimbjet por shtylla kurrizore e deformuar flet vetë.

Ndonjëherë më kafshon nga inati që nuk ia kuptoj dot dhimbjet që ka, më çjerr. Nuk e kuptoj se çfarë përpiqet të më thotë. E di që ka dëshirë të shprehet. Do doja të ishte e zonja për veten, ose të kërkonte njëherë bukë me gojën e saj. Më lëngon shumë zemra. Shpëtimi i vetëm është operacioni sa më parë”,-thotë e ëma e vajzës.

Nuk ka asnjë ankesë të formuluar, por veç lotët që i shkojnë çurg faqeve. Në portret Kristjana duket sikur nuk ndien dhimbje, duke sikur në çdo moment buzëqesh. Motra e saj e madhe e cila është dhe mbështetja e saj, shkëmbi që e mban me shpresë thotë se “portreti i buzëqeshur i së voglës”, ua dyfishon dhimbjen më shumë. “Sa vij nga shkolla merrem me motrën , me lojërat formuese, e kam regjistruar në një shkollë speciale por nuk kemi makinë ta dërgojmë atje, Dua vetëm që motrës t’i shpëtohet jeta asnjë tjetër”,-thotë motra e Kristjanës.

Familja Kokonozi ka të ardhura modeste, mbahen vetëm me rrogën modeste të kryefamiljarit. Mjekët i kanë thënë familjes se operacioni në shtyllën kurrizore i Kristjanës kushton 25.000 euro. Për prindërit kjo është një shumë që ata as nuk mund t’i afrohen me të ardhurat që sigurojnë. Për prindërit kjo është një dramë e rëndë dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta shpëtuar. Madje ata janë përpjekur të shesin edhe shtëpinë që e kanë në ndërtim e sipër. As kredi nuk kanë përfituar dot, shtëpinë nuk ua blen njeri.

Adelina e ëma e vajzës nuk e kalon pragun e derës dhe kujdeset çdo moment për të bijën e sëmurë. Sot ajo u bën thirrje shqiptarëve për ndihmë. “Kur ishte 11 muajshe, mjekët më thanë se ka kaluar temperaturë të brendshme, para 2 vite e gjysmë nisi t’i deformohej kurrizi. Në Athinë na thanë se operacioni duhet t’i bëhet brenda 3 muajsh, na thanë që nuk dihet nëse do shkojë 16 vjeç, kur ajo fle gjumë e kontrolloj nëse ende merr frymë. Nuk më zë gjumi. Më është përvëluar zemra, nuk ka më keq për një nënë që shikon fëmijën të rënkojë”-shprehet e ëma.

Ndërhyrja duhet të kryhet sa më shpejtë pasi jeta e saj është vërtetë në rrezik serioz. Por a do ketë shpresë për Kristjanën? Këtë përgjigje e japin shqiptarët…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura