Kreu i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, menjëherë pasi është shëruar me koronavirus, është rikthyer në zyrën e tij.
Veliaj deklaroi në një lidhje në News24 se tashmë është koha që të kursejmë sharjet, pasi jemi një familje dhe jemi të gjithë shqiptarë.
“Ndjehem shumë mirë, është dita e parë e lirisë mbas dy javë e gjysëm izolim. Ka qenë një periudhë që më ka mësuar shumë, që jam pjekur. Nuk u infektova me koronavirus në bashki. Jam ndjekur nga spitali “Shefqet Ndroqi” në shtëpi nga infermierë dhe doktorë si Perlat Kapisysi, Adelina, infermierja. Si komb patjetër që duhet të përballemi me pjesën e fatkeqësisë dhe pjesën e pandemisë, por besoj që ka ardhur momenti që edhe të piqemi pak edhe të kursejmë fjalën e keqe, të kursejmë mallkimin, të kursejmë sharjet dhe të sigurohemi që mbi të gjitha jemi një familje, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe duhet të mundohemi që të respektojmë autoritetet, të respektojmë bluzat e bardha, njerëz që po strapacohen.
Më tej, Velliaj u shpreh se puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti vazhdon.
“Më vjen mirë që puna ka vazhduar në Bashki. Ne sot kemi më shumë se gjysmën e shtëpive individuale në fshat nga tërmeti që kanë filluar punën, gjysma tjetër do të fillojë këtë periudhë të mbetur të gushtit dhe të shtatorit dhe ne do të sigurohemi që brenda vitit të ri, brenda datës 31 dhjetor të gjithë ata që kanë shtëpi individuale, sidomos në zonat rurale do të futen në një shtëpi të re.
Ndërkohë që sapo kemi hapur garën për infrastrukturën dhe për pallatet e reja në dy lagjet kryesore, lagjia “5 Maji” pranë Bregut të Lumit, ku një pjesë e madhe e apartamenteve të tërmetit sidomos për atë pjesë të Tiranës do të ndërtohen aty dhe sapo kemi hapur garën për lagjen e dytë që është lagjia Kombinatit që ne e quajmë Kombinat duke qenë se do të ketë edhe disa muze dhe disa galeri që është vetëm në anën tjetër të rrugës të lagjes së dëmtuar nga Kombinati. Fokusi do të jetë tek rindërtimi”, nënvizoi Veliaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al