“Nuk ishte vetëm titan i Hollywood por edhe përdhunues”, nis gjyqi ndaj Harvey Weinstein, prokurorja: Përdori fuqinë që të heshte viktimat e sulmeve seksuale

Jan 23, 2020 | 11:32
SHPËRNDAJE

Gjyqi për ish-producentin e filmave, Harvey Weinstein ka nisur në New York. Prokurorja Meghan Hast e cilësoi atë si një grabitqar seksual “i kalitur”, i cili kishte si pre të tij aktore të cenueshme.

“Burri që është ulur atje nuk ishte vetëm një titan në Hollywood, por ishte një përdhunues,”– tha ajo.

Ndërsa më pas shtoi: “Ai përdori fuqinë dhe prestigjin e tij në industrinë e argëtimit për të siguruar heshtjen e akuzuesve. Edhe pse janë të huaj me njëri-tjetrin, secila prej atyre do ju përshkruajë  turpin dhe poshtërimin pas takimeve të tyre të dhunshme me të pandehurin.”

Hast u shpreh se i Weinstein i mbante viktimat e tij të përdhunimit afër, në mënyrë që ato të mos raportonin veprimet e tij.

Por avokatët e tij thanë se marrëdhëniet seksuale ishin konsensuale.

67-vjeçari i mohon akuzat, ku përfshihen përdhunime dhe sulme seksuale.

Ai mund ta kalojë gjithë pjesën tjetër të mbetur të jetës pas hekurave, nëse dënohet.

Gjyqi pritet të përfundojë në fillim të marsit.

Weinstein arriti në gjykatën në Manhattan së bashku me disa anëtarë të ekipit të tij të mbrojtjes.

Kur u pyet nga një gazetar nëse gjykimi do ishte i drejtë, ai u përgjigj: “Sigurisht”.

Dikur një nga producentët më të lavdishëm të Hollywood, sot Weinstein akuzohet për sjellje të pahijshme seksuale nga më shumë se 80 gra, akuza që ngritën lëvizjen #MeToo.

Por shumë pak nga ankesat kanë çuar në kallëzime penale.

Javën e kaluar, një gjykatës tha se çështja e Weinstein duhet bazuar në prova dhe jo ta bëjnë atë “një referendum për lëvizjen #MeToo”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura