“Nuk importohet dhe regjistrohet asnjë mjet që nuk përmbush këto kushte”, ja apeli për qytetarët që blejnë makina të prodhuara para 2005-s

Jan 13, 2022 | 16:57
SHPËRNDAJE

Edhe pas 3 vitesh nga hyrja në fuqi e vendimit për kriteret e reja të importit të makinave po hasen problematika për zbatimin e tij, pasi vazhdohet të blihet jashtë makina furgonë apo autobusë të përdorur që nuk plotësojnë kriteret e importit.

makina-big

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ngre shqetësimin se janë të shumtë qytetarët që blejnë jashtë makina të përdorura me vit prodhimi para 2005-s apo furgonë dhe autobusë që nuk përmbushin normat euro që kërkojnë t’i importojnë.

Për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve me qëllim evitimin e shpenzimeve, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor u rikujton të gjithë atyre që kërkojnë të importojnë makina të verifikojnë më përpara vitin e prodhimit të makinës.

Vendimi për masat e reja kundër ndotjes të ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorrike lejon importin e makinave të përdorura që përmbushin normën Euro 4 dhe për makinat e reja normën Euro 5.

“Prej vitit 2019 në Shqipëri nuk lejohen të zhdoganohen dhe regjistrohen makina që nuk përmbushin kriteret e importit, siç është përcaktuar në VKM nr.633 të miratuar në datë 26 tetor 2018. Ka ende qytetarë që janë të paqartë për rregullat e reja të importit të makinave.

Për këtë arsye ne ju rikujtojmë atyre se para se blejnë një makinë jashtë të verifikojnë nëse mosha e mjetit përmbush kriteret e importit dhe të regjistrimit në Shqipëri. Verifikimi mund të bëhet online edhe nëpërmjet numrit të shasisë të mjetit në platformën e DPSHTRR”, sqaroi për Monitor Drejtoria e Shërbimit të mjeteve.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi nga 2019 në Shqipëri lejohen të hyjnë autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Ndërsa makinat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, duhet të përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Europian.

Vendimi përcakton se për mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Ndërsa mjetet motorike të tjera të reja si motorrë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, duhet të përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Europian.

 

© Panorama.al

Te lidhura