Nuk është as SHBA, as BE dhe as 15 kushtet që po e rrëzojnë qeverinë

Jun 22, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim zekthi

Pak ditë më parë, Parlamenti Europian votoi një dokument, i cili kërkon që hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në, të mos bëhet pa u plotësuar 15 kushte. Këto kushte janë bërë të njohura edhe më parë dhe kanë qenë kërkesë e zyrave të tjera politike evropiane, por asnjëherë Parlamenti Europian nuk ka ndërmarrë akte të tilla. Tri vite më parë, Shqipërisë i është kërkuar të ndjekë pesë përparësi, të realizojë reformat në ato drejtime që të marrë hapjen e negociatave. Shqipëria, jo vetëm që nuk i ndoqi ato përparësi, por gjendja u përkeqësua në lidhje me sundimin e ligjit, blerjen dhe manipulimin e zgjedhjeve, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, shkatërrimin e pavarësisë së institucioneve etj. Ky përkeqësim çoi në vendosjen e nëntë kushteve nga Parlamenti gjerman në fillim të vjeshtës së vitit të kaluar.

Për arsye që lidhen edhe me vetë BE-në, por më së shumti për arsye të degradimit të jetës institucionale, të pavarësisë së institucioneve, të fuqizimit të krimit, të shkatërrimit të zgjedhjeve, të korrupsionit të lartë etj., Shqipërisë nuk iu hapën negociatat dhe iu vendosën kushte edhe nga Këshilli Europian, organi më i lartë dhe vendimmarrësi i epërm europian. Maqedonisë gjithashtu nuk iu hapën negociatat, por asaj nuk iu vu asnjë kusht dhe për shumëkënd që studion çështjet europiane dhe ato të marrëdhënieve ndërkombëtare, Maqedonia u ndëshkua prej Shqipërisë sepse BE-ja nuk donte ta linte Shqipërinë vetëm. Lënia vetëm do ta fuste perspektivën tonë në një trajektore shumë të paqartë.

Në fund të marsit të këtij viti, vendet anëtare të BE-së, Këshilli Europian arriti një marrëveshje që të hapen negociatat me Shqipërinë. Kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe nga Këshilli ishin aty. Ato, nga nëntë që ishin në shtatorin e vjetshëm, u bënë 15 pak kohë më pas.

Mosbesimi i institucioneve dhe i politikanëve të lartë të BE-së është aq i madh, sa ata i kanë kthyer 15 kushtet në treguesin e vetëm që do të përcaktojë vendimmarrjen e tyre. Në qoftë se dikush do t’i shihte ato kushte dhe nuk do ta dinte se për cilin vend bëhet fjalë, ai me siguri do të mendonte se kemi të bëjmë me një vend autokratik, të mjerë dhe të kontrolluar nga krimi dhe korrupsioni, ku pavarësia dhe ndarja e pushteteve nuk ekziston, ku zgjedhjet janë vetëm instrument i mbajtjes së pushtetit etj. Ky vend mund të ishte Sierra Leone, Malaui apo Burkina Faso, ndonëse ato formalisht kanë Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese, ndryshe nga ne.

Në thelb, ato 15 kushte thonë se Shqipëria sot nuk kryen zgjedhje të lira, se duhen dënuar ata që blejnë vota (pra, ka pasur blerje të votave nga qeveria), se duhet të ngrihet Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, se duhet të bëhet një Reformë Zgjedhore, se duhet të funksionojë Prokuroria Speciale dhe të nisë dënimi për qeveritarët dhe politikanët e lartë të korruptuar etj.

Ato 15 kushte që i janë vënë Shqipërisë sot, fare mirë mund t’i vendoseshin edhe qeverisë së Adil Çarçanit në vitin 1989. Hapja e negociatave me ato kushte është një oksimoron. Edhe qeveria e Adil Çarçanit në vitin 1989, po të ngrinte Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, të cilat do të mbronin demokracinë kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, po të dënonte politikanët e korruptuar dhe ata që kishin bërë krime, po të bënte Reformë Zgjedhore dhe të dënonte ata që kishin manipuluar zgjedhjet, po të hetonte prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kishin bërë krime, po të merrej në shqyrtim nga një Parlament në Europë, mund t’i hapeshin negociatat.

Kryeministri Rama tha se dokumenti i miratuar nga Parlamenti Europian “…nuk ka 15 kushte, sepse 7×7 nuk bëjnë 42 në asnjë vend të botës dhe se ata që kapen pas 15 kushteve, do të mbeten në opozitë…”

Rama, i cili duhet thënë nuk ka treguar kurrë se di të mbledhë dy numra dhjetorë si 17,2 +1,27 apo që di të pjesëtojë dy numra natyrorë si 2:5 apo 11:13 (veprime të klasës së tretë fillore), përdori një lapsus në Parlament para shumë kohësh të kryetarit të PD-së, z. Basha, për të treguar se qëndrimet se opozitës nuk duhen besuar. Veç faktit që Rama ishte brenda një dijeje të vjetër konvencionale, që thotë se i padituri gjithnjë e mban veten për të ditur dhe madje tall të tjerët për të paditur (ose i qeshuri të qesh), ai mohoi edhe diçka fare të qartë. Ai mohoi diçka të pamohueshme, mohoi një votim të Parlamentit Europian, një votim publik, ku 388 vota ishin pro 15 kushteve dhe 280 ishin kundër.

Shumë e shumë kohë më parë, Hitleri e ka përdorur togfjalëshin ‘gënjeshtër e madhe’ në librin “Mein Kampf”, për të përshkruar propagandën naziste. Hitleri vë përballë gënjeshtrën e madhe me gënjeshtrën e vogël. Për Hitlerin, “masat e gjera të popullit bien më kollaj viktimë e gënjeshtrës së madhe, sesa gënjeshtrës së vogël”. Hitleri thotë se vetë njerëzit bëjnë gënjeshtra të vogla dhe ata do të ndiheshin të turpëruar po të bënin nga një gënjeshtër të madhe, sepse është turp të bësh gënjeshtra të tilla të mëdha që “nuk i ha njeri”. Duke qenë se njerëzit mendojnë se është turp të bësh gënjeshtra të mëdha, atëherë, kur dikush bën një gënjeshtër të madhe, ata mendojnë se ajo është e vërtetë, sepse nuk ka mundësi që dikush të guxojë të bëjë një gënjeshtër kaq të përbindshme.

Nisur nga kjo logjikë, Hitleri i fajësoi hebrenjtë se janë mjeshtër të gënjeshtrës së madhe, se ata kanë rrjepur me fajde popullin gjerman, se janë bolshevikë, se janë impotentë, se janë epshpapërmbajtur, se duan të dominojnë botën etj. Pra, ndërsa Hitleri gënjente për hebrenjtë dhe nisi shkatërrimin e botës, akuzonte hebrenjtë se ata donin shkatërrimin e botës. Ky stil i gënjeshtrës së madhe është mënyra që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë propagandë, për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij, edhe pas kësaj goditjeje shkatërruese të Gjermanisë. Edhe mohimi ashiqare i 15 kushteve të vendosura nga Parlamenti Europian është një gënjeshtër e tillë.

Kryeministri shqiptar ka shumë e shumë kohë që e ka brendësuar dhe e përdor lirisht dhe natyrshëm gënjeshtrën e madhe në gjithçka. Çështja e hapjes së negociatave me BE-në, pa dyshim që është përmbytur nga përdorimi i kësaj lloj gënjeshtre.

Kur rreth tri vite më parë nga Këshilli Europian u vendos një “hapje negociatash me kushte” a një moshapje e plotë, Kryeministri Rama doli para shqiptarëve dhe tha se ai kishte korrur një sukses të madh, se më në fund u hapën negociatat. Ai tha tekstualisht: “Hapja e negociatave nuk është fitore e partisë, që bëri gjithçka për t’i hapur ato dhe u sulmua deri në kockë për këtë përpjekje dhe as humbje e partisë që la kockat për të penguar hapjen e negociatave…”.

Pra, ai dhe Partia Socialiste kishin bërë gjithçka dhe janë sulmuar deri në kockë, ndërsa Basha dhe PD-ja kishin lënë kockat për të penguar hapjen e negociatave. Rama tha gjithashtu se “u ka ikur koha politikanëve që i kanë ikur me sukses drejtësisë për vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti. Ata duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”

Pak kohë më parë, në fundmars të këtij viti, Rama tha: “Gëzimi është i mrekullueshëm… Shumë herë e kam imagjinuar këtë dite, por asnjëherë se do të vinte kështu. E brishtë, e tendosur, e munduar nga lodhja e capitjes sonë të gjatë drejt saj”

Këto marrina, megjithatë, vjen një moment dhe nuk kanë më asnjë vlerë. Gjithçka bëhet e qartë. Kushtet e vëna nga Parlamenti Europian pak ditë më parë (kushte të vëna që më herët nga Këshilli) tregojnë një Shqipëri me institucione, cilësi të demokracisë dhe sundim të ligjit si ajo e Ramiz Alisë. Dhe faji për këtë nuk është i PD-së dhe i Bashës. Zgjedhja që ka bërë Rama për të përdorur mekanizmin hitlerian të rrenës së madhe, të cilën mund ta hanë njerëzit, mund të ketë ecur deri-diku, por tani ai nuk ka më asnjë efekt. Vaji i kandilit të qeverisë Rama po mbaron. Ai vaj nuk u harxhua apo nuk u dogj nga BE-ja apo nga qeveria amerikane, nga Parlamenti Europian apo nga qeveria gjermane. Ai vaj u dogj nga Rama, nga mënyra si qeverisi, nga koalicionet kriminale dhe djallëzore që bëri dhe nga kthimi i qeverisjes në objekt të realizimit të epshit për të sunduar dhe qëndruar në pushtet për shumë e shumë mandate.

Me qeverinë Rama po ndodh ajo që ndodh me një njeri që shkon drejt vdekjes. Vdekja sjell izolim. Lutvig Wietgeinstein thotë se vdekja nuk është një ngjarje e jetës. Vdekja është një kufi, një kufi i frikshëm që ndan të gjallën nga e vdekura. Filozofi Carl Trueman, për të përshkruar këtë gjë, merr në analizë Ivan Iliçin te vepra e Tolstoit “Vdekja e Ivan Iliçit”. Ai thotë se “teksa sëmundja e Ivan Iliçit bëhet më e rëndë, ai izolohet gjithnjë e më shumë nga të tjerët dhe distanca e tij me shoqërinë rritet vazhdimisht”. Trueman thotë se të “gjithë kanë përjetuar sëmundjen e të afërmve të tyre dhe të gjithë kanë vënë këtë lloj izolimi të ngadaltë që i ndodh të sëmurit. Ai mund të jetë gjallë, por ndarja po ndodh”. 15 kushtet janë diagnoza e sëmundjes, janë metrika me të cilat matet gjendja dhe treguesi i shërimit. Kur vijnë gjërat në këtë pikë, të gjithë përdorin një metrikë. Metrika nuk lë më vend për interpretim apo lëshime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura