“Nuk e prisnim këtë tradhti, dezertori. E përkëdhelëm, ja si na e shpërbleu”, ish-kryehetuesi zbardh debatin me Ramiz Alinë pas arratisjes së Kadaresë në ’90

Aug 25, 2020 | 15:12
SHPËRNDAJE

Ishte një bisedë e gjatë ajo e 24 tetorit të vitit 1990, në zyrën e Ramiz Alisë. Një natë më parë kishin mësuar lajmin e bujshëm se shkrimtari Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë. Ndonëse ai kishte qenë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit për vite, ikja e tij erdhi tërësisht e papritur për udhëheqjen e lartë komuniste. Duhej mbajtur një qëndrim, por me ndryshimet kushtetuese nuk ishte më aq e thjeshtë të dënoje dikë si “armik” apo “tradhtar”, sepse kishte shkelur kufirin apo se nuk ishte kthyer nga shërbimi.

qemal lame ramiz alia kadare

Në librin e tij “Dritëhijet e kohës”, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme gjatë dekadës së fundit të diktaturës, Qemal Lame, dëshmon për një takim të gjatë me kreun e shtetit, Ramiz Alia.

Ky i fundit, sipas Lames, ngulte këmbë në dënimin e Kadaresë si “tradhtar”, ndërkohë që kryehetuesi u përpoq që ta bindte për të kundërtën, duke argumentuar me fakte dhe mbështetur mbi ligj se kjo ishte e pamundur dhe një veprim i tillë jo vetëm do të ishte antiligjor, por me pasoja të mëdha në jetën politike të vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, ku Ismail Kadare ishte i njohur tashmë.

QEMAL LAME

Më duhet të rikujtoj dhe të sqaroj se në 9 maj 1990 u miratua Reforma Kushtetuese, si dhe u bënë ndryshimet në Kushtetutë, Kodin Penal dhe ligjet e tjera. Arratisja si krim kundër shtetit, në formën e tradhtisë ndaj atdheut, është shfuqizuar. Largimi i paligjshëm nga kufiri shtetëror apo refuzimi i punonjësit zyrtar për t’u kthyer në atdhe vlerësohen si kundërvajtje penale nga Kodo Penal. U shfuqizua neni 47, “germa gj”, I tradhtisë ndaj atdheut për këto vepra penale.

Mendoj të theksoj edhe këto momente thelbësore: E para, çështja nuk duhet analizuar, hetuar dhe gjykuar politikisht. Në rast se njoftohet zyrtarisht se janë filluar hetimet, po hetohet dhe do të gjykohet Ismail Kadare në mungesë, shteti është e domosdoshme të publikojë, të analizojë dhe të dëshmojë konkretisht bazueshmërinë ligjore, sipas Kushtetutës, Kodit penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Juridikisht dhe Politikisht, kërkohet që masat shtetërore që merren nga organet e drejtësisë të jenë në radhë të parë të bazuara në ligj dhe në prova konkrete. Ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Penal janë të njohura në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht. Juristët tanë, si edhe ata në Francë, do të kuptojnë menjëherë se nuk ka vepër penale me përmbajtje armiqësore. Azili politik është çështje e rëndë politike, por në kushtet konkrete nuk ka vepër penale armiqësore. Nuk mund të arsyetohet ligjërisht kërkesa si veprimtari armiqësore. Së pari, ajo do të ishte në kundërshtim me ligjin tonë penal dhe procedural. Së dyti, të jemi të ndërgjegjshëm për pasojat e rënda politike në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në opinionin publik të brendshëm e të jashtëm. Në median ndërkombëtare do të njoftohet menjëherë përfundimi logjik se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë deklaroi zyrtarisht se: “Ismail Kadare akuzohet si armik e tradhtar në Shqipëri. Ismail Kadare cilësohet zyrtarisht nga vetë Shqipëria si ‘disident’: ‘Ismail Kadare është disidenti shqiptar”.

Ramizi më pa me vëmendje, u mendua disa çaste dhe pastaj reagoi menjëherë i shqetësuar:

-Na hodhe një bombë në këtë bisedë, shoku Qemal. Përse arrin në këtë përfundim?

– Shoku Ramiz, me përgjegjësi profesionale ligjore dhe politike theksoj se kështu do të ishte përcaktimi objektiv që do të mund të bëhej nga politika dhe media ndërkombëtare në rast se Perëndimi do të ketë objektiv të propagandojë Ismail Kadarenë si disident politik dhe të rekomandojë për çmimin “Nobel”. Është me vend të reflektojmë edhe në qëndrimin e shteteve perëndimore për disidencën e shkrimtarëve sovjetikë dhe dhënien e çmimit “Nobel” për Pasternakun dhe Shollohovin!

-Pastërnaku dhe Shollohovi i qëndruan besnikë gjithë jetën Partisë Komuniste dhe Stalinit. Ky i yni është tradhtar. Nuk është në atë rang…

-Është mirë të shmanget reagimi me qëndrimin politik kundër Ismailit, shoku Ramiz. Ndryshe, del natyrshëm disidenca letrare dhe ajo politike.

-Me këtë arsyetim, ke të drejtë shoku Qemal. Reagimi me formulimet politike do të krijojë këtë situatë rënduese për neve. -Ka edhe një problem tjetër, shoku Ramiz!

-Konkretisht!

-Politikisht do të detyrohemi të deklarojmë qëndrimin politik, për vetë karakterin e azilit politik.

-Ky, është problem që na përplaset në fytyrë!

-Po, shoku Ramiz. Jemi të detyruar të përgjigjemi!

-Do ta bëjmë menjëherë sot.

-Azili politik i shkrimtarit është edhe një goditje e drejtpërdrejtë e politikës zyrtare. Juve ju kërkohet të mbroni politikën tuaj për reformat demokratike të shtetit e të shoqërisë.

-Nuk do të lejojmë që të vihen në dyshim reformat e ndërmarra.

-Pikërisht, këtë mendoj dhe unë, shoku Ramiz. Që të dëshmohet vendosmëria në reformat për demokratizimin, është e nevojshme të tregohemi të kujdesshëm dhe të vendosim për masa të rënda që dëmtojnë vetë politikën tonë.

-Si mendon konkretisht?

-Ta vlerësojmë ngjarjen ashtu siç është politike, por të mos publikohen qëndrime të rrepta për ta cilësuar armiqësor veprimin e Ismailit. Kjo do të jetë me pasoja në situatën politike të brendshme, pasi opinioni është mësuar dhe pret të dënohet si veprim armiqësor kërkesa për azil. Kështu kemi vepruar historikisht. Në politikën e jashtme do të kemi vlerësime. Kështu mënjanohet edhe disidenca politike.

-Problemet i shtron me sinqeritetin e njohur shumë kritik, por edhe dashamirës, shoku Qemal. Dua të të kritikoj se nuk mbështet qëndrimet politike dhe masat penale, por argumentet ku bazon mendimet janë të drejta… Megjithatë, nuk mundet udhëheqja të tërhiqet nga presioni që bëhet nga perëndimi për të na marrë pushtetin. Ismaili na tradhtoi. Nuk ka cilësim tjetër..

-Mendoj se është mirë që ta diskutojmë këtë problem me qetësi dhe me argumente politike dhe juridike dhe me dimensionin e interesave kombëtare për letërsinë. Do të ishte e dobishme të vlerësohet edhe qëndrimi që kërkohet të mbahet nga Ministria e Jashtme. Kërkohet gjykimi i paanshëm! Kështu kuptohet e interpretohet e vërteta për politikën dhe drejtësinë në Shqipëri. Ky do të jetë vlerësimi dhe qëndrimi përkatës politik dhe juridik, në rast se do të analizohet me objektivitet në media, organet shtetërore dhe opinionin shoqëror. Ky është cilësimi politik dhe juridik që mund të bëhet menjëherë nga gazetarët në media ose edhe zyrtarisht nga politikanët dhe juristët në Francë, si dhe kudo në Europë dhe në botë. Diplomacia shqiptare është e nevojshme të reagojë në kohë për të njohur reagimet dhe mbrojtur interesat tona shtetërore.

-Jemi në pozita të pafavorshme. Nuk e prisnim këtë tradhti nga Ismaili. E kemi mbështetur, e kemi përkëdhelur. Ja si na e shpërbleu. Do të bisedoj me ministrin e Jashtëm… (Mori menjëherë në telefon ministrin). Me ministrin e Jashtëm do të bisedojmë konkretisht. Edhe juve, shoku Qemal, duhet të shihni interpretimet që i bëni ligjit për arratisjen. Na keni vënë në vështirësi. Ja edhe pasoja me Ismailin. E dërguam me shërbim! Njeri i besuar. Kërkoi azil politik. Na tradhtoi. Kërkohet të veprojmë sipas ligjeve tona.Në këtë rast, me kërkesën për azil nga Ismaili, nuk ka vepër penale të tradhtisë dhe as arratisjes apo shpërdorim të detyrës.

-Çfarë mendoni, shoku Qemal? Ta dekorojmë?! T’i tregojmë atij dhe Francës që e pranojmë azilin politik të shtetit të borgjezisë franceze? Jo! Do të mbrojmë dinjitetin tonë shtetëror. Nuk e pranojmë azilin e tradhtarit. Shqipëria ka ligjet e saj dhe tradhtari do të përgjigjet para ligjit dhe drejtësisë shqiptare. Të kërkojmë me anë të Ministrisë së Jashtme që të kthehet. Edhe Hetuesia të veprojë. Të kërkohet edhe nga juve që të kthehet

-Shoku Ramiz, nuk ka ligj që të fillojmë çështjen penale. Nuk mund ta vëmë para përgjegjësisë penale në mungesë. Nuk mund të kërkojmë kthimin e Ismailit.

-Të rrimë duarkryq?! Jo! Jo! Të zbatojmë ligjet edhe ndaj këtij tradhtari, këtij dezertori! Ka përgjegjësi Sigurimi i Shtetit që e nënvleftësoi rrezikshmërinë e tij. Nuk ishim të përgatitur për parandalimin e arratisjes. Na raportonin se e kishin nën kontroll të plotë Ismailin. Zbulimi francez vepronte hapur prej kohësh… Neve bazoheshim te besnikëria dhe atdhedashuria artificiale e Ismailit… Bukur, thonë në Shkodër!

-Nuk kemi dispozita ligjore, shoku Ramiz. Nuk është as në interesin e shtetit tonë që ta trajtojmë këtë çështje politikisht si armiqësore.

-Po nuk është as miqësore e as dashamirëse, shoku Qemal.

-Kjo është e drejtë!

-Atëherë të veprojmë energjikisht. Po të rrimë pasivë, edhe opinion shoqëror do të na dënojë. Armiqtë do të inkurajohen. Do të na sulmojnë hapur me propagandën e tyre. Do të nxiten arratisjet jashtë shtetit nga diplomatët, ata që shkojnë me shërbim. Ata që mbajnë veshët hapur dhe i kanë sytë nga Perëndimi, do të marrin rrugën për t’u arratisur. Ta ndalojmë në kohë këtë pasojë.

– Edhe një herë më kuptoni drejt, shoku Ramiz. Çështja është e rëndë për politikën tonë. Por duhet ta përballojmë me qetësi e durim. Nuk është e dobishme që Ismaili të shpallet armik, tradhtar e dezertor. E para. Ismaili është personalitet i njohur dhe ka kontribuar për letërsinë shqiptare. Në rast se e shpallim tradhtar e dezertor, vepra e tij dënohet njëlloj. Ta ruajmë veprën e Ismailit. E dyta, të mos veprojmë në kundërshtim me ligjet. Nuk kemi as tradhti, as dezertim. Është e domosdoshme të jemi konsekuentë në zbatimin e ligjit. Në muajin maj ndryshuam legjislacionin. Ligjet e reja janë botuar. I njeh media jonë dhe ajo ndërkombëtare. Nuk duhet të veprojmë si më përpara, me praktikën e vjetër, kur kemi ndryshuar politikën dhe ligjin për arratisjen.

-Jo! Ligjet janë të qarta e të plota. Ky interpretim është i juaji. Me këtë ide keni dashur të shpreheni edhe publikisht në media. Nxituat dhe bëtë edhe një artikull në gazetën “Bashkimi”. Me të drejtë dhe i shqetësuar, kryeredaktori mori në telefon Xhelil Gjonin. Udhëheqja reagoi menjëherë. Pasi e biseduam, i dhamë porosi Xhelilit që të mos botohej. Përse e bëre atë shkrim?

-Ishte porosia juaj, shoku Ramiz!

-Imja?!

-Po, juaja, shoku Ramiz. Pas mbledhjes së Kuvendit Popullor, më takoi te dera e daljes gazetari Pëllumb Barçi dhe më tha: “Shoku Qemal! Kam porosi nga udhëheqja kryesore që të bisedoj me ju për një shkrim për gazetën “Bashkimi” për ndryshimet ligjore që u miratuan”. Iu përgjigja se do të ishte mirë në rast se shokët e udhëheqjes do të kishin biseduar ose të ma shprehnin mendimin direkt. Megjithatë, meqenëse qenka porosi e udhëheqësit kryesor, do ta shkruaj. Ky është në realitet edhe mendimi im në grupin e punës ku janë diskutuar, formuluar dhe hartuar projektligjet për Reformën Kushtetuese dhe Ligjore. Hajde në zyrën time. Brenda një ore artikulli do të jetë i shkruar”. Si, kaq shpejt?, më pyeti me habi. Meqenëse udhëheqësi dëshiron këtë shkrim, do ta shkruaj menjëherë. Jam i përgatitur. E kam formuluar në mendjen time! Thirra sekretaren. Unë diktoja dhe ajo shtypte në makinën e shkrimit. Gazetari ishte i pranishëm. Ai tregoi habi që e përfunduam menjëherë. Kur i dhashë artikullin ai më falënderoi. Më tha se i kishte kërkuar më parë ministrit të Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, por asnjëri nuk kishte pranuar të shkruante.

-Unë nuk kam dhënë porosi direkte! Kemi biseduar që të bëhej jehonë në shtyp dhe të shpjegohen ndryshimet në Kushtetutë, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera kryesore. Kemi biseduar gjatë dhe së bashku. Nuk mbaj mend që të kem përmendur emrin tuaj. Ndoshta mund ta kem përmendur emrin, kur Foto Çami më tha se duhej menduar mirë se cili duhet të shkruajë për të shpjeguar Reformën Kushtetuese.

-E shtroni problemin parimisht, shoku Qemal. Më është krijuar mendimi se bën vlerësim të njëanshëm dhe do të lehtësosh përgjegjësinë e rëndë të atyre që arratisen. E ke mik Ismail Kadarenë?! Desha të di nëse këto mendime ndikohen edhe nga marrëdhënie miqësore apo shoqërore! Thjesht, bisedojmë?!

-Shoku Ramiz, pyetja dhe opinioni tregojnë se keni formuar mendim pa më njohur mirë. Nuk kishte vend për të pyetur për miqësi apo shoqëri me Ismailin. Të jeni i sigurt se Ismailin e njoh si i gjithë populli: personalitet të shquar të letërsisë. Unë nuk e njoh nga afër. Nuk e kam takuar. Nuk kam pasur mendim për të krijuar shoqëri apo miqësi me të. Për këtë deklarim mund të jetë më objektiv mendimi i shokut Hekuran Isai ose i Sigurimit të Shtetit që regjistrojnë çdo lidhje shoqërore ose miqësore që ka Ismaili…

-Qartë! E kuptova që nuk njiheni. E bëra pyetjen, se më bën shumë përshtypje mënyra se si e mbron dhe më krijon vetvetiu përshtypjen e ndjenjave miqësore me atë.

-Shoku Ramiz, edhe një herë e theksoj: Më kuptoni drejt. Unë nuk mbroj Ismailin. Nuk e njoh atë personalisht! Unë jam njeri i ligjit, kam bindje në bazë të ligjit, shprehem me përgjegjësi, interpretoj me objektivitet frymën e ligjit…

-Qartë!

-Të jeni të sigurt se shpreh me bindje dhe sinqeritet të vërtetën.

-Qartë! Më binde! Tani merr rëndësi uniteti në mendimet dhe qëndrimet tona. Politika ka edhe parimet e veta. Kërkohet të kemi unitet mendimi. Kërkohet të dëshmojmë edhe në media të njëjtat ide dhe unitet të plotë të udhëheqjes dhe funksionarëve më të lartë të shtetit dhe drejtësisë. Më duhet të theksoj edhe një herë, se ndryshimet demokratike janë për politikën e Jashtme dhe si përgjigje ndaj kërkesave që bëhen nga shtetet perëndimore. Në politikën e brendshme nuk do të lejojmë ndryshime. Nuk ua dorëzojmë pushtetin armiqve, për të plotësuar kërkesat e shteteve borgjeze perëndimore. Këtë politikë kërkohet ta kuptojnë mirë të gjithë. Nuk ndryshon vija e partisë. Në këtë periudhë të reformave që po ndërmerren, kërkohet të mbrojmë politikën e partisë.

LEXO EDHE

“Do arrestohej e dënohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut”, Qemal Lame i përgjigjet Rrapi Minos: Ti ishte njeriu “Yes”, i bindur verbërisht ndaj udhëheqjes. Mirë do ishte të reflektoje për prangosjet e…

Ekskluzive/ “Nuk e kam parë asnjëherë dosjen sekrete që thotë Qemal Lame”, kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist: Për arrestimin e Kadaresë nuk…

“Ai e ka vendin në burg, por…”, ish-kryehetuesi zbulon porositë e Enverit: Si u bind të mos e arrestonte Ismail Kadarenë

Ekskluzive/ “Ramiz Alia e Hekuran Isai ishin gati që t’i vinin prangat”, ish-kryehetuesi zbardh raportin sekret: Ç’më tha Enveri për Ismail Kadarenë, pasi e lexoi…

“Sigurimi i Shtetit ka të dhëna dhe prova se ai…”, ish-kryehetuesi zbardh bisedën me Ramizin ditën kur Kadare u arratis në 1990. Porosia që i dha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura