“Nuk e dimë qëllimin e Kremlinit”/ Sekretari Blinken intervistë për REL: Rusia do përballet me pasoja masive nëse vazhdon agresionin ndaj Ukrainës

Jan 27, 2022 | 20:44
SHPËRNDAJE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Rusia përballet me “pasoja masive” nëse zgjedh “rrugën e agresionit” me Ukrainën, duke i bërë thirrje Moskës që të angazhohet në diplomaci për t’i dhënë fund krizës përgjatë kufirit me Ukrainën.

blinken

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhënë më 27 janar, Blinken tha se Ushingtoni ende nuk e di se cili është qëllimi përfundimtar i Kremlinit për Ukrainën, ose nëse kërkesat e tij për të rishkruar strukturën ekzistuese të sigurisë së Evropës.

“Unë mendoj se i vetmi person që mund të na tregojë se cili është qëllimi përfundimtar i Kremlinit është presidenti [rus, Vladimir] Putin. Nuk mendoj se dikush tjetër e di. Dhe ai, në këtë pikë, mund të mos e di sepse çfarë ai ka bërë në të kaluarën, dhe atë që unë besoj se i nxit gjërat me mënyrën se si iu qaset atyre, është që të krijojë sa më shumë mundësi që të mundet. Dhe ata e udhëheqin gamën”, tha Blinken për REL-in.

Kryediplomati amerikan foli një ditë pasi Shtetet e Bashkuara zyrtarisht prezantuan përgjigjen e shkruar për ultimatumet e Rusisë, që u bën publike muajin e kaluar në formën e dy draft-traktateve.

Kërkesat ruse janë shoqëruar me dislokimin e mbi 100,000 trupave ruse në rajonet pranë kufijve të Ukrainës, ku janë vendosur disa prej pajisjeve më të sofistikuara ushtarake të Rusisë.

Dy dokumentet paraqesin një ristrukturim në shkallë të gjerë të strukturës së sigurisë së Evropës dhe në to bëhet thirrje për një moratorium mbi zgjerimin e NATO-s në ish-republikat sovjetike si Gjeorgjia dhe Ukraina. Po ashtu, kërkohet edhe tërheqja e trupave dhe armëve nga lokacionet në lindje të Evropës para se aleanca ushtrake të bënte zgjerimin e parë të madh pas Luftës së Ftohtë më 1999.

Propozimet, që po ashtu bëjnë thirrje për kufizime të reja në vendosjen e armëve bërthamore në Evropë dhe çështje të tjera të ndërlidhura, janë pritur gjerësisht me mospajtim nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë.

Diplomatët e SHBA-së, NATO-s, Rusisë dhe nga shtetet evropiane kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë më herët gjatë këtij muaji. Bisedimet kishin për qëllim shmangien e një pushtimi të shkallës së gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Përveç prezantimit të këtyre dy draft-propozimeve, diplomatët rusë kanë kërkuar përgjigje të shkruar nga SHBA-ja dhe NATO-ja.

Më 26 janar, ambasadori amerikan në Moskë prezantoi në Ministrinë e Jashtme ruse përgjigjen e shkruar të Uashingtonit. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë përmbajtje kishte kjo përgjigje.

Megjithatë, zyrtarët rusë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, tentuan që të evitonin të komentonin për agjencitë e lajmeve ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putini e ka marrë përgjigjen e shkruar dhe do ta lexonte.

“Natyrisht, do të duhet një kohë për t’i analizuar. Të mos nxitohemi që të japim asnjë konkluzion”, citohet të ketë thënë Peskov nga agjencia e lajmeve TASS.

“E përsëris, le të mos nxitohemi në vlerësime”, tha ai për TASS. “Duhet kohë për t’u analizuar, dhe në fund, për presidentin tonë që të formulojë një pozicion të përshtatshëm. Le të shohim se si do të jetë”.

Në intervistën për REL-in, që u realizua përmes Skype nga Uashingtoni, Blinken minimizoi çdo divergjencë të mendimeve apo konkluzioneve ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës mbi seriozitetin e kërcënimit rus.

Në javët e fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është shfaqur i mërzitur lidhur me paralajmërimet e forta të SHBA-së, dhe ai ka publikuar dy video, duke u bërë thirrje ukrainasve që të mos bëjnë panik.

Më herët gjatë kësaj jave, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se “pushtimi ishte i pashmangshëm”.

“Presidenti Zelenskiy ka të drejtë. Askush nuk duhet të bëjë panik, dhe askush nuk po bën”, tha Blinken. “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia bërë të qartë Moskës se ka dy rrugë përpara: rrugën e diplomacisë dhe dialogut për të zgjidhur dallimet në mënyrë paqësore ose rrugën e agresionit, nëse është kjo që ajo e zgjedhë, do të pasojë pasoja masive”.

“Ne mund të shohim një grumbullim të forcave ruse në kufijtë e Ukrainës – në jug, lindje dhe veri – që është grumbullimi më i madh që prej vitit 2014. Dhe ne jemi të vetëdijshëm për planet për dyfishimin e atyre forcave, që mund të ndodhë brenda një periudhe të shkurtër kohore, por edhe për përpjekjet për ta destabilizuar Ukrainën nga brenda”, tha ai.

“Ne do të duhet të bëjmë gjithçka që po bëjmë bazuar në fakte, bazuar në atë që ne po shohim, në mënyrë që të sigurohemi që ata të përgatiten për çdo mundësi. Ne po e bëjmë këtë në konsultim të ngushtë me Qeverinë e Ukrainës”.

Zyrtarët amerikanë kanë dhënë disa sinjale se cilat masa ndëshkuese ndaj Moskës janë duke u shqyrtuar: për shembull, largimi i Rusisë nga sistemi i transfereve bankare globale SWIFT, apo vendosja e një ndalimi të zgjeruar për eksportet e teknologjisë së lartë në Rusi. Shtëpia e Bardhë gjithashtu raportohet se ka diskutuar për rritjen e dislokimeve të trupave amerikane tek aleatët e NATO-s që janë afër kufirit rus.

Blinken nuk pranoi që të japë detaje se çfarë nënkuptonte me “pasojat masive”. Po ashtu ai nuk dha detaje lidhur me përgjigjet e shkruara të SHBA-së dhe tha se: “ne kemi dëgjuar shqetësimet që ata kanë ngritur. Ne kemi ndarë edhe shqetësimet tona të thella dhe të partnerëve tanë në mbarë Evropën”.

Midis ankesave në Kiev se nëse retorika e SHBA-së po ndikonte në ekonominë e Ukrainës – monedha kombëtare ukrainase, hryvnia ka rënë për 7 për qind që prej dhjetorit dhe jatë kësaj jave ra edhe më shumë. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të evakuoi disa prej familjarëve të diplomatëve në Ambasadën amerikane në Kiev, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të bëjnë plane për t’u larguar nga vendi.

Vendimi për evakuim duket se i ka zënë në befasi zyrtarët ukrainas. Ministria e Jashtme ukrainase tha se vendimi për evakuim ishte “i parakohshëm”.

Në një takim virtual të organizuar nga Ambasada amerikane më 25 janar, qindra qytetarë amerikanë morën pjesë. Disa prej tyre kritikuan ambasadën, për siç thanë, mungesën e informacionit dhe mbështetjes në dritën e kërcënimit rus.

Por, në intervistën për REL-in, Blinken e mbrojti urdhrin për evakuim.

“Shumica e njerëzve që ne kemi kërkuar që të kthehen në shtëpi ishin familjarë, fëmijë”, tha ai. “Unë e mora këtë vendim si një hap të kujdesshëm, vetëm për t’u siguruar se nëse ndodh konflikt, dhe mund të ndodhë në një periudhë të shkurtër kohore, me pak paralajmërim, njerëzit të jenë larguar dhe të jenë të mbrojtur”, tha Blinken.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura