“Nuk duan t’ia dinë për romët”, banori qan hallin,  Basha: Ka diskriminim ndaj Laçit, edhe Kisha e dëmtuar nga tërmeti nuk është parë

Dec 14, 2019 | 16:46
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar ditën e sotme me banorët e prekur nga tërmeti në Laç.

basha

Banorët thonë se janë pa ndihma dhe pa bonus qiraje, ndërsa shumë prej tyre po ndihmohen nga Kisha e Laçit, e fundit kjo që ka pësuar dëmtime, por ende asnjë grup ekspertësh nuk ka shkuar ta shohë.

“Me çuan në Shëngjin, por atje nuk kishte dhoma dhe më thanë rri në oborr jashtë” u shpreh një zonjë e moshuar, e cila, bashkë me një tjetër, pohon se bamirësja e vetme është Kisha.

Vetë objekti i kultit në Laç ka pësuar disa dëmtime, por askush nuk i është gjendur për të verifikuar situatën apo për të marrë në mbrojtje objektin 100 vjeçar.

“Ekspertët e kanë parë pak, por thonë që nuk ka lekë. Ne na intereson më shumë të mos prishet dhe të zërë njerëzit brenda, se lekët”- thotë padre Ndue Toplana, në kishën e të cilit strehohen dhe ushqehen shumë banorë.

Në Laç, kreu i opozitës takoi edhe një banor të komunitetit rom, i cili thotë se kryeministri Edi Rama i kishte premtuar dy ditë më parë se do t’i jepte zgjidhje problemit të tij me bonusin e qerasë, por agjë nuk ishte realizuar.

“Deri dje kryeministri tha se do të të paguajmë qiranë, bëra edhe takim me të, por asgjë. Mbase nuk duan t’ia dinë për romët, por të na largojnë, të paktën, na nxirrni jashtë shtetit”- u shpreh Ferdinand Rexhepi.

“Ti je shqiptar si gjithë shqiptarët e tjerë dhe shteti ka ndaj teje çdo detyrim që ka ndaj çdo shqiptari tjetër. Ajo që thua se ‘jam rom’, nuk ka të bëjë. Kjo që po të ndodh ty, po i ndodh të gjithëve në Laç. Kam takuar mbi 50 vetë deri tani, asnjëri nuk ka marrë ndihmë nga shteti. Nuk ka lidhje rom apo jo rom. Këtu ka diskriminim ndaj Laçit, në tërësi dhe ka papërgjegjshmëri dhe dështim total. Prandaj kam ardhur. Të shoh gjendjen, të ngre zërin për ju dhe të bëj ç’është e mundur të ndryshojë situata sa më parë”- u shpreh Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura