“Nuk doja ta vrisja, thjesht ta trembja se po më qëllonte”/ Arbër Kote i penduar: Ja si nisi ngjarja, fillimisht debatuam më pas…

Sep 23, 2020 | 13:37
SHPËRNDAJE

“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Durrësit edhe për Arbër Koten, 26- vjeçarin që pas një konflikti të çastit vrau me thikë Idajet Dullën.

Arbër KoteGjyqtari Rexhep Bejteshi ka pranuar kërkesën e prokurorit Bledar Begu, i cili kërkoi si masë shtrënguese për 26-vjeçarin atë të “Arrestit në burg”. I penduar dhe i rënduar nga ana psikologjike është paraqitur para togave të zeza Arbër Kote, 26- vjeçari që pas një konflikti të çastit qëlloi për vdekje me thikë në zemër 33-vjeçarin Idajet Dulla. Kote ka pranuar krimin dhe më pas i ka kërkuar publikisht falje familjes së viktimës. “Jam penduar shumë për veprimin tim. Me vjen shumë keq që situata precipitoi në këtë mënyrë. Gjithçka ndodhi papritur. Fillimisht debatuam për rrugën, por ai reagoi shumë keq.

Më goditi me grushte dhe unë në një moment nxora thikën. Nuk doja ta vrisja, thjesht ta trembja se po më qëllonte. Jam shumë i tronditur nga ana psikologjike, pasi s’e kisha menduar kurrë që një ditë do ndodhesha në një situatë të tillë. Me vjen shumë keq, u kërkoj falje familjarëve të viktimës. Nuk desha ta qëlloja”, është shprehur shkurtimisht në sallën e gjyqit 26-vjeçari, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës së shkuar në Zonën e Plazhit në Durrës, pranë xhamisë me katër minare. Viktima dhe autori u konfliktuan për rrugën e makinës. Viktima, i cili shpërndante ujë të pijshëm nëpër dyqane për llogari të një kompanie, kishte parkuar pranë kthesës. Kote, që punonte si shofer autobusi për llogari të një fasonerie në këtë zonë, i ka kërkuar të lironte rrugën sepse e kishte të pamundur të merrte kthesën.

Pas një përplasjeje verbale, dy të rinjtë nisen të konfliktohen fizikisht, konflikt që përfundoi në mënyrë tragjike për Idajet Dullën. Autori e qëlloi me thikë në zemër, plagë që i shkaktoi vdekjen pas disa minutave 33-vjeçarit, babait të dy fëmijëve të vegjël. Menjëherë pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit dhe u vu në pranga vetëm pas gjashtë orësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura