‘Nuk di ç’plasje kanë’/ Artistët pas deklaratave të Ramës: Na kërkoni ndjesë për fyerjet. Ja çfarë kërkojmë

Feb 16, 2018 | 14:18
SHPËRNDAJE

Artistët e Teatrit Kombëtar e kanë një përgjigje për Kryeministrin. Pas deklaratave të djeshme në seancën parlamentare për teatrin, por edhe një komenti të dy ditëve më pas, artistët e Teatrit Kombëtar kane dale sot me nje deklaratë për shtyp, bere nga SASE,  Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit.

Se pari ata kerkojne ndjese per fyerjet qe u jane bere dhe pastaj kane numeruar kerkesat qe kane.

Deklarata 

Prej më shumë se dy dekadash teatri shqiptar gjendet nën përbaltjen prej autoriteteve qeverisëse, përballë trysnive të pandërprera për t’u dëbuar prej shtëpisë së tyre, përballë shurdhërisë së pushteteve dhe nënçmimit të përgjithshëm.
Pasi u la i braktisur në një ndërtesë të padenjë për podin e komunikimit të artistit me publikun; pasi u mashtrua me premtime gjithfarëshe për ngrehina të reja skenike; pasi u dekonsiderua përmes mekanizmave të pagave dhe u margjinalizua tërësisht në jetën kulturore të vendit, tani duan t’i marrin dhe nderin e t’ia ftohin publikun.
Qendrimi ndaj teatrit nuk është çështje episodesh, por një konstante politike.
Qeveritë e kanë parë dhe e shohin teatrin si një të keqe publike, që i duhet nxirë lavdia e i duhet errësuar perspektiva.
Kjo konstante është e njëjtë edhe për të gjitha institucionet e tjera arsimore, kulturore e shkencore. Televizionet dhe shtypi janë kazanë të së keqes, universiteti është bishti i kavallit, akademia është agjenci funeralesh dhe teatri një çetë mediokrish. Pyetja jonë është: Pse qeveria e ka këtë armiqësi me gjithë njerëzit e punës mendore? Është politikë apo kompleks?
Ne kërkojmë me urgjencë të dëgjohemi e të përfillemi, të na kërkohet ndjesë e sinqertë dhe e besueshme për fyerjet dhe përbaltjen, të ndalohen menjëherë planet shkatërrimtare për ndërtesën modeste që është shtëpia e artistëve, të rivendoset në lartësinë që u takon nderi dhe prestigji i tyre. Ne kërkojmë të ndalet menjëherë kundërvënia keqdashëse ndaj teatrit dhe të merret në vlerësim nevoja për një teatër të ri, për një status të miratuar me ligj për artistin e skenës, për një ndryshim rrënjësor të raporteve midis teatrit dhe qeverisë. Të gjitha këto kërkojmë të paraqiten në një dokument me shkrim, të pranueshëm për ne, para se të flitet për një takim zyrtar me kreun e ministrisë, për një zgjidhje të drejtë të konfliktit, që as u provokua dhe as u shkaktua nga ne.
Ne jemi të qarte dhe të kthjellët për raportet e reja e të pafrytshme që derivojnë nga rregullimet ligjore të inicuara nga Ministria e Kulturës në mënyrë jo transparente. Ballafaqimi i iniciativave Tuaja me sugjerimet tona në mardhënie me funksionimin e ligjit do të shpërfaqë realitetet konkrete të cilat kontestohen me të drejtë nga komuniteti i artit skenik. Mbetemi në pritje të vendimit Tuaj në shërbim të transparencës, zhvillimit dhe kontributit, e në funksion të artit skenik shqiptar.

Tiranë, 16 shkurt 2018

Zhvillimet e djeshme 

teatri

Kreu i Sindikatës së Aktorëve të Teatrit Kombëtar, Arben Derhemi, thotë se sa i takon lëvizjes së tyre, parimisht, ata i kanë arritur qëllimet, pra, që të mos lëvizin nga godina e TK, derisa para tyre të prezantohet projekti i teatrit të ri, si dhe rishikimi i projektligjit “Për disa ndryshime në Ligjin Për Artin dhe Kulturën”.

“Tashmë, pritja për takim në ambientet e Teatrit nuk ka më kuptim, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro premtoi publikisht se në këtë territor nuk do të ndërtohet veçse teatër dhe ramë dakord që nuk do të lëvizim prej këtej. Ndërkohë, përfaqësuesit tanë do të ulen në tryezë me të, për të diskutuar projektligjin. Por përmes një deklarate ne do t’i përgjigjemi qëndrimit të Kryeministrit karshi artistëve, për gjuhën e përdorur prej tij në komentet e fundit për shqetësimet e artistëve”, tha Derhemi, duke shtuar se do t’i qëndrojnë deri në fund vendimit të tyre për të mos u larguar nga ai teatër, pa parë projektin e ri, që në mendimin e tij personal, do të ishte më e arsyeshme ruajtja e fizionomisë së teatrit ekzistues, duke respektuar kështu historinë gati 70-vjeçare të këtij institucioni.

Artistët duket se nuk e kanë pritur fort mirë komentin e Kryeministrit në rrjetet sociale.

“Nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet, nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan!”, është shprehur Rama. Të tjera batuta ai ka hedhur dje nga foltorja e Parlamentit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura