“Notre Drame de Tiran”, Teatri Kombëtar i uzurpuar nga arti. “Ekspozita e dhimbjes” që solli politikanët në Teatër

Nov 24, 2019 | 16:18
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Dyert kryesore të Teatrit Kombëtar janë ende të kyçura, përjashtim bën pritja e ndonjë vizitori të pushtetshëm dhe së fundmi ajo godinë, të tillë ka parë jo pak.

Ndriçimi që vjen nga brendësia e hollit, i vesh germat e vendosura në maj të këtij viti, me një vello gati të florinjtë. Çuditërisht, të vendosura në perfeksion nga një shkrimtar (Rudi Erebara), ndryshe nga hera e parë, ku siç duket u has një rrezik shembjeje, kësaj here vizitorët mund të ecin drejt godinës pa u shqetësuar. Askush nuk i siguron se nuk do të tronditen… pasi Teatri Kombëtar prej 1 viti e 9 muajsh është i uzurpuar, arti e ka pushtuar në çdo kënd e flet me të gjitha gjuhët e tij.

7ec881b7-b83b-459e-9a8a-485c9af187d0

Pas “Amerikës” së Franc Kafkës, Avni Delvina ka vendosur t’u rrëfejë të gjithëve “Dramën tonë të Tiranës” (“Notre Drame de Tiran”), përmes një ekspozite, që si kryefjalë ka simbolikën. Agora, ku janë vendosur stolat e pritjes së protestës së përditshme dhee rojtarët, që kryesisht i gjen përbri derës së Eksperimentalit, nuk janë të shkëputur nga rrëfenja e grafikave të artistit, qëllimi i përbashkët nënshkruhet në çdo cep të godinës… “Mbro teatrin”. Prej derës anësore, në ditët e para të nëntorit, sapo hyn në holl, ndjen se aroma e bojës rri ende pezull në ajër, duke rrëfyer muret e sapobojatisur. Ambienti është i ndriçuar dhe i pastër, si rrallëherë gjatë këtyre viteve.

Posterat retrospektivë, të historisë së skenës teatrale me “Pulëbardhën”, “Karnavalet e Korçës”, “Koprracin”, “Tartufin” etj., i kanë lënë vendin përkohësisht grafikave të Delvinës. Artisti e nis rrëfenjën përmes një godine të re rezistence. 5 shekuj më pas, Kështjella e Krujës, si fortesë qëndrese, është Teatri Kombëtar. Heronjtë e saj nuk janë as Gjergji i “Lahutës së Malëcisë”, as legjendari i Kastriotëve, por njerëz të zakonshëm, që dashuria për vlerat e mbetura kombëtare, këmbëngulja për të luftuar një vendim qeverie, që shumica intelektuale e konsideron si të padrejtë, i bëjnë të rebelohen, të kundërshtojnë, pavarësisht kostos.

52591488-1fb8-42f0-8b2c-ee221c634001

Dikush në këtë betejë, ku një pjesë flet për interesa ekonomike, e të tjerët për perspektivën e një qyteti modern, zbret nga skena e dikush tjetër ngjitet në të… Dhe ja, Delvina thërret dy Gjergjat heronj, në kërkim të dashurisë së humbur, pasi siç senatori italian do të deklaronte prej agores së Teatrit, “të ndalesh e të mendosh, nuk është një shenjë dobësie, por force”. Prania e ish-kreut të opozitës joparlamentare, Sali Berishës, si dhe pasardhësit të tij, Lulëzim Bashës, në hollin e Teatrit, në kuadër të kësaj ekspozite, ndoshta janë një shenjë e tillë… korrigjim i së shkuarës pasive ndaj kësaj godine të artit dhe vullnet i shprehur haptazi në mbështetje të artistëve që rezistojnë kundër shembjes.

Siç arkitekti Maks Velo do të shprehej një muaj më parë për “Irish Time”, ky është një shans i mirë për ta, që të mbrojnë këtë objekt e të thonë se mundën të bëjnë diçka për të, së paku gjatë kohës që nuk ishin në pushtet. E megjithatë, për çdo rast, artistët janë ende aty. Prej hollit të dytë, sallën “Kadri Roshi”, krahas “komisarit Liçaj” e ruan “Mendimtari”, Edmond Budina, i cili “Portën e ferrit”, ndryshe nga Dante, e pa ndërsa disa policë, që s’dinin ç’bënin, e tërhiqnin zvarrë prej shkallëve të Teatrit të tij, të qytetarëve. Ekspozita prek gjithashtu perspektivën për në Bashkimin Europian, e një dozë ironie mbulon edhe të huajt. Saga nis prej “Ndërkombëtarëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar”, ku ish-ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, apo ish-ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, bëhen protagonistë të kryeveprës së piktorit Eugjen Delakrua.

903488a3-ef02-4ba2-b4a8-52c50465993b

Përjashtim nuk bën as danezi Bjarke Ingels i mbuluar me petkun e parasë, edhe pse sipas këndvështrimit artistik të Delvinës, “projekti i tij nuk do të realizohet kurrë”. Një moment të veçantë, pas kthimit 2 herë të ligjit për Teatrit Kombëtar, shënon mbërritja e Presidentit Ilir Meta në godinën e Teatrit Kombëtar. Një ditë pas vizitës së bashkëshortes, njëherazi kryetares së LSIsë, Monika Kryemadhit, ai e gjen veten përballë “Darkës së fundit”, tek vesh petkat e çdo dishepulli të mbledhur në shekullin e 15-të për të hartuar planin për restaurimin e kishave të Milanos. Sigurisht që pas 74 votash të maxhorancës që aprovuan shembjen e kësaj ndërtese, Presidentit s’i mbetet tjetër veçse të besojë tek i vetmi që s’do ta tradhtojë në këtë mesele… vetja!

86614ca8-666e-4914-9b58-9c74a9263790

E megjithatë, e vërteta e kësaj ngjarjeje kulturore mbajtur në rrethana jo të zakonshme, shkon përtej artit e siç thotë aktori Mehdi Malkaj: “kjo është një ekspozitë që mbart brenda shumë dramë, shumë dhimbje”… Dhimbjen e “Guernikës” së Pikasos, ku viktimë rrezikon të jetë kujtesa, trashëgimia, por edhe dinjiteti i aktorëve. Dhimbjen e “Mëshirës” së Mikelanxhelos, ku Aktorja është e shenjtë… Kjo është “Mëshira delviniane” me Roza Anagnostin tek mban në duar Teatrin Kombëtar, si bijë e fëmijës së saj…

6759db06-0cdc-44ce-9cb1-efee5b1c1adb 6a66556f-d357-4729-870a-9af37b88a28e

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura