NOTAT|Java e fundit/ Laçi dhe Skënderbeu më të mirët, Tirana merr “vlerësimin” më të madh sezonal

Aug 2, 2020 | 15:59
SHPËRNDAJE

“Panorama Sport” sjell vlerësimet për skuadrat e Kategorisë për javën e fundit të sezonit në kampionatin shqiptar.
Laci Selmani

LAÇI 8 – Një bravo të madhe për kurbinasit, që tregojnë një angazhim maksimal edhe në javën e fundit të kampionatit, madje duke ditur që fitorja e tyre në Durrës do të kishte thjesht vlera statistikore për renditjen, pasi nuk ndryshonte asgjë. Luajti për afro 40 minuta me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të kryegolashënuesit Kirian Nuabueze, por sërish gjeti forca për të shënuar golin e tretë në Durrës, kjo edhe falë formës së shkëlqyer të brazilianit Teko.
Pusi Skenderbeu festa
SKËNDERBEU 8 – Një mbyllje fantastike e kampionatit dhe vend i katërt, që në kushte të tjera, do të thoshte një shans për të kapur Europën. Skuadra e Dajës shkëlqeu ndaj Partizanit, duke shënuar katër gola dhe duke çorientuar totalisht të kuqtë. Pas ndeshjes, portieri Koliçi, mesfushori Dita dhe fantazisti Bregu i dhanë lamtumirën skuadrës me një paraqitje mbresëlënëse. Për trajnerin Ilir Daja ishte ndeshja e fundit në krye të pankinës korçare dhe si për ironi “shkatërroi” ekipin që do të drejtojë në sezonin e ardhshëm, Partizanin.
Kuper goli Kukesi logo
KUKËSI 8 – Bën detyrën në Gjirokastër, shënon pesë gola dhe vulos vendin e dytë. Vasil Shkurtaj bëri dopietë, por kjo nuk mjaftoi që ai të shpallej kryegolashënues, pasi Nuabueze shënoi dy më tepër. Për trajnerin Orges Shehi ishte takimi i fundit në krye të pankinës, pasi Kukësi do të drejtohet tashmë nga Skënder Gega.
Bylis
BYLISI 6 – Luan mirë ndaj Tiranës dhe meriton barazimin 1-1. Pasi iu afrua disa herë golit, e gjeti në fund me goditjen precize të Sallakut. Ballshiotët treguan se kur angazhohen seriozisht, janë në gjendje t’u bëjnë dëm çdo kundërshtari në Superiore.
Flamurtari festa e golit
FLAMURTARI 6 – I rrëzuar prej javësh nga kategoria, respekton kampionatin në Shkodër dhe merr një pikë që të paktën i hyn në punë për të qenë në vend të parafundit. Ky sezon ishte katastrofik për vlonjatët dhe ngushëllimi i vetëm janë afirmimi i disa të rinjve.
TIRANA ME TITULLIN
TIRANA 6 – Nuk e feston titullin me një fitore, por kjo pak rëndësi ka. Në ndeshjen e fundit i pati mundësitë të shënonte disa herë, por Edon Hasani dhe Majkëll Ngo shpërdoruan pa fund. Megjithatë, bardheblutë e treguan veten atëherë kur u duhej pika dhe janë pikërisht ata kampionët me meritë të këtij sezoni.
Dedja Vllaznia
VLLAZNIA 4.5 – Hysen Dedja provoi ndaj Flamurtarit formacionin që pritet të hedhë në fushë në “play out” me Besëlidhjen, por loja nuk ishte ajo që pritej. Një barazim i vakët dhe zhgënjyes me Flamurtarin.
Teuta
TEUTA 4 – Ndryshimet e shumta në formacion dhe lënia pushim e disa titullarëve ndikojnë ndaj Laçit, paçka se durrsakët shënojnë të parët me Emiljano Vilën. Një ndeshje për t’u harruar para finales.
Futbollistet e Luftetarit
LUFTËTARI 4 – Mbyllje e turpshme e një sezoni që futet në historinë e klubit gjirokastrit si më i dobëti në 44 pjesëmarrje në Superiore.
Partizani
PARTIZANI 4 – Zhgënjen totalisht në Korçë dhe përfundon një kampionat ku problematika zuri vendin kryesor dhe prishi imazhin e kampiones.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura