NOTAT, JAVA 19-të/ Kukësi skuadra e ndeshjeve të mëdha, Partizani “ngel” në klasë. Ja të gjitha vlerësimet

Jan 28, 2020 | 20:36
SHPËRNDAJE

VLERËSIMI I “PANORAMA SPORT”, JAVA E 19-TË E KATEGORISË SUPERIORE: 

Kukësi 8 – Quajeni skuadra e ndeshjeve të mëdha. Kukësi ia ka marrë dorën Partizanit këtë sezon. Të besuarit e Shpëtim Duros nuk gabojnë as ndaj kampionëve në fuqi. Pas atij hapi fals në Gjirokastër, vjen menjëherë reagimi dhe pikërisht në momentin e duhur ndaj një rivali. Fitorja merr më shumë vlera edhe për faktin se Kukësi ruan kreun dhe i fut në krizë të kuqtë. Katërshja e sulmit, me Rrocën, Gavazajn, Abazajn dhe Shkurtajn konfirmuan edhe një herë se bëjnë diferencën.

kUKESI

Tirana 8 – Pesë fitore radhazi me Emanuel Egbonë në stol dhe një “makineri” golash. Bardheblutë po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe janë kërcënuesi më i madh i Kukësit. Atë që nuk e bënë veriorët javën e kaluar, Tirana e zgjidhi që në pjesën e parë ndaj Luftëtarit. Idriz Batha ndëshkoi skuadrën e vendlindjes me dy gola, ndërsa shënuan nga një herë secili edhe Kobinah, Ngo dhe Muçi me penallti.

Teuta 7 – Një supergol, tri pikë dhe për më tepër ngjitje në vendin e tretë. Durrsakët ishin pragmatistë ndaj Bylisit, edhe pse vuajtën jo pak për të mbajtur portën të paprekur. Perla e Lorenco Vilës u shoqërua edhe me një ditë fantastike të portierit Frashëri, që evitoi gola të sigurt në të paktën katër raste të ballshiotëve.

Skënderbeu 7 – Nuk u shmanget dot oshilacioneve në lojë, pasi ka limite si skuadër. Nëse ndaj Partizanit bëri spektakël, me vlonjatët e vendit të fundit duhet të priste minutën e 90-të për të shënuar. Goli i Dejvi Bregut i dha Skënderbeut triumfin e dytë radhazi.

Laçi 6 – Kurbinasit morën një pikë në Shkodër, por nuk meritonin më shumë se kaq, edhe pse i patën rastet për të goditur Vllazninë. Nuabueze & CO nuk kishin shënjestrën e duhur, por barazimi në “Loro Boriçi” ishte rezultat pozitiv për mënyrën se si rrodhi loja.

Vllaznia 5.5 – Bën një lojë bindëse në pjesën më të madhe të 90-minutëshit, godet shtyllën dhe krijon disa raste për gol, por sërish finalizimi është problem. Sulmuesi maqedonas, Hristov, është larg pritshmërive dhe skuadra pret ndonjë shpikje të Likës apo Shtubinës. Bylisi 4 – Luan për gjithçka në Durrës, por e ndëshkon supergoli i Lorenco Vilës dhe arbitri Laver Alla. Megjithatë, edhe pse pëson humbjen e dytë radhazi, ballshiotët bindën me paraqitjen.

Partizani 4 – Me mungesa të shumta dhe shpesh një ekip i limituar, pavarësisht se krijoi raste për shënim. Sulmuesit po kalojnë një formë të dobët, ndërsa tashmë fut shpesh “ujë” edhe mbrojtja. Pas humbjes me Kukësin janë vetëm një pikë më shumë nga zona “play-out”.

Flamurtari 4 – Reziston deri në minutën e 90-të, por pëson një gol naiv prej mungesës së përqendrimit dhe një mbrojtjeje të dobët. Shpresat për mbijetesë po shkojnë nga ndeshja në ndeshje drejt shuarjes.

Luftëtari 4 – Shthuret ndaj Tiranës dhe “tradhtohet” nga mbrojtësit, veçanërisht nga kapiteni Demo, që bën gabime trashanike gjatë lojës. Pësimi i shpejtë i golit e rëndoi shumë ekipin bluzi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura