Notat e Superiores / Dominon skuadra që po nënshtron pretendentët, mes më të mirëve edhe një surprizë

Dec 16, 2021 | 23:59
SHPËRNDAJE

Java e 13 e Superiores hapi plotësisht kampionatin edhe për faktin se u ndalën ekipet që mbanin dy vendet e para. Meritë ka padyshim Laçi që mundi Tiranën dhe ndaloi arratinë e bardhebluve. Ndaj nuk është rastësi që në notat e kësaj jave të Panorama Sport, janë pikërisht kurbionasit më të vlerësuarit.

Topi i Superiores

LAÇI 7.5 – Kurbinasit vazhdojnë të mos njohin kundërshtar, aq më shumë kur bëhet fjalë për pretendentë kryesorë për titull. Laçi triumfoi ndaj Tiranës me një penallti në fund. Suksesi erdhi nga dominimi i vendasve ndaj bardhebluve në mesfushë. Ecuria e Laçit është e denjë për titull, por e penalizon starti, ndonëse kanë rikuperuar shumë.

PARTIZANI 7.5 – Skuadra e trajnerit Ilir Daja ka reaguar pikërisht në ato përballjet që mbahen mend, pikërisht në derbin ndaj Dinamos. Partizani në dallim nga transferta e Shkodrës ndaj dinamovitëve, krijoi lojë dhe u duk më i lirshëm në fushë. Por “demat” patën edhe fatin në këtë takim, pasi Belica dhe Teqja u treguan shpëtimtarë në dy raste.

VLLAZNIA 7 – Shkodranët nuk e njohin humbjen në kampionat nga disfata e 30 tetorit me Tiranën. Vllaznia mori një trepikësh me vlera në shtëpi, ku mposhti Skënderbeun 2-0. Të besuarit e Brdariçit e kanë gjetur rrugën e duhur për kreun, ku tashmë janë vetëm 4 pikë larg Tiranës kryesuese.

KASTRIOTI 7 – Krutanët më së fundmi shikojnë dritë në fund të tunelit. Trepikëshi me Egnatian, një rival direkt për mbijetesë, ka rritur shpresën te Kastrioti se mund të mbetet sërish në Superiore. Gjithsesi, ekipi ka nevojë për “gjak” të ri në merkaton e janarit.

KUKËSI 5 – Verilindorët kanë lëshuar shumë nga paraqitja e javëve të para. Ecuria e fundit po tregon limitet e Kukësit. Mbase tani edhe kundërshtarët e kanë mësuar stilin e Longos, i cili ndaj Teutës bëri eksperimente në mbrojtje dhe u duk i kënaqur me pikën ndaj kampionëve.

TEUTA 5 – Durrsakët janë pajtuar me një pikë ndaj Kukësit, ku sërish u vërtetua se kampionët në fuqi nuk e kanë grintën e sezonit të fundit. Problemet janë evidente në të gjithë sektorët dhe mbase kjo i ka detyruar drejtuesit që të rikthejnë trajnerin Edi Martini duke i dhënë fund aventurës së ish-kapitenit Renato Arapi si trajner i parë.

DINAMO 4 – Dinamovitët arkivuan një tjetër paraqitje negative, ku në javën e fundit u mundën 1-0 në derbi nga Partizani. Dinamo u ndërtua me bujë dhe patën kurajë të pretendonin edhe titullin, por realiteti është i hidhur, pasi me këtë ecuri më shumë rrezikojnë.

SKËNDERBEU 4 – Korçarët janë ndërtuar me sforco, ndaj e kanë të vështirë të kenë vazhdimësi rezultatesh. Skënderbeu shkoi me optimizëm në Shkodër, por u mund duke mbetur në zonën e ftohtë, ku tani u është afruar edhe Kastrioti. Nervozizmi është armiku kryesor i korçarëve.

TIRANA 4 – Bardheblutë e trajnerit Orges Shehi nuk ia kanë dalë në Laç, ku me të drejtë stafi e pranoi se kjo ishte një nga ndeshjet më të dobëta të Tiranës në këtë sezon. Kryeqytetasit u kanë dhënë mundësi ndjekësve që të afrohen më shumë në luftën për kreun. Ekipi po vuan mungesat dhe vaktësinë e stolit, por edhe mendjemadhësinë…

EGNATIA 4 – Rrogozhinasit morën humbjen e dytë radhazi në transfertë, por ajo që e ndërlikon më shumë situatën është se këto rezultate kanë ardhur pikërisht ndaj skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Trajnerit Ramadani i del përpara një punë e madhe për të kthyer Egnatian në rrugën e ndjekur gjatë fazës së parë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura