Notat e Skënderbeut në Beograd/ Zhgënjejnë Shehi, Gavazaj dhe Nespor, 4 lojtarë paraqiten mirë

Nov 3, 2017 | 21:45
SHPËRNDAJE

Shehi: 4.5. Përgjegjës te të dy golat. Nuk vendos si duhet barrikadën në të parin dhe as reagon mirë. Në të dytin, ia “ngec” topin Lilajt. Për fat të keq disa pritje spektakolare zbehen nga këto dy gabime.

skenderbeu1

Vangjeli 6 – Personalitet dhe vendosmëri në fushë, por Gavazaj nuk është kurrkund. Shpeshherë i vetëm në fazën mbrojtëse.

Radas 6 – Një pjesë e parë monumentale deri te goli ku mund të kishte kërcyer sadopak me kokë. Ndien lodhjen në pjesën e dytë, por nuk dorëzohet.

Jashanica 6 – I pafat te një gjuajte me kokë që mund të kishte shkuar në rrjetë dhe të rihapte ndeshjen. Sa për pjesën tjetër, ia del mirë dhe lufton si bishë në prapavijë me gjigantët serbë.

Mici 5,5 – Lufton si mundet, por nuk ishte dita e tij. Në disa raste, i rrezikshëm në kohë vonesë dhe nuk kombinon asnjëherë si duhet nga krahët. Asnjë inkursion për t’u mbajtur mend. (Nga 65′ Aliti – 5) Ishin pak minuta në dispozicion dhe mbrojtësi nuk ra në sy. Një paraqitje normale duke mos bërë diferencën për të cilën trajneri Ilir Daja e hodhi në fushë.

Gavazaj 4,5 – Mund të kishte qenë mbrëmja e tij, por dëmtimi dhe presioni i një ndeshjeje si kjo, e penguan të linte gjurmë. Asnjë driblim, asnjë pasim dhe i vakët në fazën mbrojtëse. I padukshëm. (Nga 68’ Nespor- 4.5) Preku vetëm dy-tre topa dhe ishte i parrezikshëm në asnjë moment.

Muzaka 6 – Ndër më të mirët në fushë. Rrëmben topa si shkatërrues dhe përpiqet të shërbejë si një fantazist kalibri. Bie në pjesën e dytë.

Lilaj 5 – Ndeshje shumë e vuajtur, për shkak të një presingu asfiksues nga vendësit. Gabon te goli i dytë i pësuar, që mbylli llogaritë, edhe pse nuk ishte fajtori kryesor.

Taku 5,5 – Në 30 minutat e para, fantastik në personalitetin që shfaq dhe sigurinë kur e ka topin në këmbë. Ndryshimet e shpeshta në pozicionin e tij në mesfushë nuk i bëjnë mirë dhe gradualisht nis të mendojë vetëm për mbrojtjen.

Xhejms 5 – Me hatër… Si mesfushor krahu, nuk stonon në kampionatin shqiptar, por në Europë të “heq trurin” me mënyrën se si e humb topin kur skuadra është në sulm. Daja duhet të gjejë zgjidhje tjetër për këto nivele.

Soue 5,5 – Lufton si një vigan në majën e sulmit, por është i rrethuar gjithnjë nga dy “shkëmbinj” më të mëdhenj se vetja që nuk e lënë të prekë top në zonë. Shërbehet keq dhe rrallë. Merr frymë vetëm kur hyn Nespor në fushë, por atëherë është shumë vonë.

Trajneri Daja 5 – Dy gola të shënuar në 4 ndeshje nuk janë hiç mirë. E kuptojmë që Gavazaj do zëvendësojë Latifin dhe do shitet në të ardhmen, por duhej ndërruar më shpejt… Megjithatë, nuk është faji i tij që skuadra pëson golin e parë me goditje standarde dhe të dytin sepse bën dhurata…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura