Notat e kuqezinjve / Mbrojtja thuajse heroike, shihni vlerësimet e të gjithë lojtarëve për paraqitjen ndaj Polonisë

Oct 13, 2021 | 22:48
SHPËRNDAJE

Shqipëria ka dalë e mundur nga stadiumi “Air Albania” pasi asaj fitoreje ndaj Polonisë, por nuk mund të thuhet se ishte një ndeshje për t’u harruar e kuqezinjve, edhe pse largoi ëndrrën e Botërorit. Për shumë lojtarë ka qenë një ndeshje thuajse për kornizë, që ua prishi vetëm rezultati.

shqiperia

Në vijim janë notat e “Panorama Sport” për futbollistët kuqezinj për atë që dhanë në fushëne lojës, ku kishte shumë që spikatën në aspektin individual e disa të tjerë që ndoshta bënë pak më mirë e nuk shfrytëzuan mundësinë që iu dha.

BERISHA 6 – Pëson një gol në këndin e tij, por nuk mendoi se Hysaj do ta lejonte të gjuante polakun. Për pjesën tjetër është lider në prapavijë dhe bën repart i vetëm.

HYSAJ 5 – Një ndeshje e mirë dhe shumë e luftuar deri në minutën e 77-të kur nuk lexon mirë një pasim të gjatë dhe Sviderski i merr kohën duke shënuar golin e fitores për miqtë. Një gabim që kushtoi shumë fatkeqësisht për ëndrrën Botëror. Mëkat.

ISMAJLI 6,5 – Lufton si mundet kundër gjigantëve polakë të sulmit dhe asnjëherë nuk e humb toruan. I zoti në leximet e aksioneve dhe i pakalueshëm në luftën në ajër. Kartonin e verdhë e mori shpejt, por kjo nuk e kushtëzoi të bënte një ndeshje të madhe.

KUMBULLA 7 – Një ndeshje fantastike. Mbron me vendosmëri, është shumë i fortë në duelet një për një, gjë që nuk i jep asnjë shans Levandovskit të rrezikojë portën. I shkëlqyer.

VESELI 6,5 – I qetë dhe shumë i guximshëm në disa dalje. Natyrisht, Trashi ia lehtëson disi punën sepse mendoi vetëm për mbrojtjen, por ai nuk bëri asnjë gabim. Konstant.

TRASHI 5,5 – Shtyn pak përpara, por në fazën mbrojtëse është i zoti. Ndihmohet pak nga mesfushorët, sepse polakët janë shumë të dendur në mesfushë dhe ai mjaftohet vetëm të mos gabojë. Lodhet shpejt në pjesën e dytë dhe nis ta teprojë me mbajtjen e topit.

RAMADANI 6,5 – Lufton sa për dy dhe ndonëse nuk bie në sy, është ai që shkel çdo cep, duke i dhënë disi frymëmarrje Bares. Në fazën ndërtuese të aksioneve e kishte të pamundur të bënte më shumë në një ndeshje aq të luftuar.

BARE 6 – Një pjesë e parë e shkëlqyer, sepse lexon mirë çdo aksion të rivalëve, manovron mirë me topin dhe shërben topa interesantë përpara. Në të dytën polakët marrin masa dhe ai pati gjithnjë e më pak hapësira veprimi. Duhet ta pasojë më shpejt topin, sepse ndonjëherë rrezikon shumë (Nga min 78′ Çokaj – Pa notë).

reja roshi

ROSHI 6 – “Raketës” i kishin kërkuar më shumë të mbronte, por sa herë e kishte topin në këmbë, sidomos në pjesën e parë, përhapte panik. Mëkat që nuk kishte kujt t’i shërbente as nga ajri, as nga toka, sepse Broja u fut vonë, ndërsa Manaj dhe Uzuni ishin shumë të tërhequr (Nga min 78′ Bajrami – Jep disa shkëndija interesante dhe përpiqet të çajë mbrojtjen polake, por ishte shumë vonë. Nuk është në formë. Pa notë).

MANAJ 5 – Përpiqet të ndihmojë më shumë në fazën mbrojtëse sesa të mendojë për sulmin. Tregohet egoist në minutën e 10- të kur nuk pason për Uzunin dhe më pas nuk ka asnjë rast për të tentuar portën. Shumë i vetmuar mes gjigantëve polakë të mbrojtjes.

UZUNI 5,5 – Ishte futur me ide të qarta për të qenë barriera e parë e mbrojtjes për Shqipërinë dhe i duhet të vrapojë vetëm për të shkatërruar aksionet e polakëve. Shpenzon shumë energji dhe nuk shërbehet kurrë si duhet. I sakrifikuar (Nga min 58′ Broja 6 – I jep freski sulmit, por spostohet shumë nga krahët duke dalë nga rrezja e golit. Përplaset, bën sponda, por nuk arrin të gjejë rrjetën edhe kur tenton gjuajtjet nga jashtë. Mund të ishte futur më shpejt në fushë, pse jo edhe titullar).

EDI REJA 6 – Shqipëria jep gjithçka në fushë, por kaq nuk mjaftoi as për një pikë. Mungesat e shumta e “justifikojnë”, por duhet të kuptojë se jo gjithnjë do t’ia zgjidhë ndeshjet Broja. Skuadra duhet të ketë ide më të qarta për të kërkuar golin.

PANORAMASPORT.AL

taabela

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura