Nota e protestës për gurin, Tirana përplaset me Beogradin

Oct 8, 2015 | 15:06
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas deklaratave të kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç se nuk do të njohë ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, pasi nuk pranoi notën e protestës që Serbia i dërgoi pas incidentit të sulmit me gur mbi autobusin e kombëtares serbe në Tiranë, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe ambasadori Ilir Boçka.

vucic 
Në një njoftim për mediat me anë të zëdhënësit Glevin Dervishi MPJ thotë se është e zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të Autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika.

“Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-proporcional. Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara”,-thotë Dervishi, ndërsa shton se kjo është dita e sportit dhe e lojës së ndershme.

Pak kohë më pas për këtë ngjarje reagoi edhe ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, duke e quajtur një reagim i ekzagjeruar atë të palës serbe.

“Në Beograd nuk është atmosfera e Tiranës, po bie një shi dhe gjithçka është gri. Dua t’i uroj fitore Kombëtares sonë. Djemtë e Kombëtares janë të mrekullueshëm”,-tha Boçka në një interviste telefonike për “Neës24”.

Ndërkohë, më herët faqja zyrtare e ministrisë së Jashtme të Serbisë kishte njoftuar e do merreshin masa diplomatike pas refuzimit të marrjes së notës së protestës.

Sipas mediave serbe në gjashtë muajt e ardhshëm, do te ndërpriten kontaktet diplomatike me ambasadorin e Shqipërisë.

Vuçiç u tha gazetarëve se pas qëndrimit te Shqipërisë, Serbia mund të përgjigjet në dy mënyra, ose ta deklaruar Boçkën person nongrata, ose qe në gjashtë muajt e ardhshëm te mos ketë asnjë komunikim.

“Ai në gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të ketë asnjë kontakt diplomatik as mua, as me ndonjë zyrtar tjetër”- tha Vuçiç, duke e quajtur të pakuptimte sjelljen e tij aspak diplomatike.

Sipas Vuçiç, nuk behet fjale vetëm për një gur, por edhe për “sjellje të tjera josportive”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura