Nostradamusi ziliqar?

SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja (1)

Pa më të voglin ngurrim, sot, pas tërmetit vrastar e shkatërrimtar të kësaj jave, mund të pohoj se solidariteti i vetë bashkëkombësve të mi për njëri-tjetrin ka qenë për mua surpriza më fantastike nga ana e popullit tim të rraskapitur e të gjunjëzuar nën trysninë e varfërisë e të pasigurisë së jetesës, pa llogaritur disa dukuri të frikshme, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, si korrupsioni, kriminaliteti, emigrimi masiv dhe mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë, më të denjë për brezin e ri.

Ç’është e vërteta, historia e shqiptarëve dëshmon se sa herë atdheu i tyre është përballur me situata tragjike, ata kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e përplasjet midis tyre, për t’u bashkuar e për të luftuar krah për krah me njëri-tjetrin pa dallim feje, ideje e krahine, traditë kjo që u rishfaq kësaj radhe me një forcë të veçantë në betejën e tyre kundër një gjëme natyrore nga më të tmerrshmet.

Megjithatë, ky solidaritet i admirueshëm i popullit tonë ishte i paparashikueshëm për jo pak njerëz, midis të cilëve edhe unë vetë, personalisht. I paparashikueshëm për shkak të atyre dukurive social-politike që sapo përmenda në paragrafin hyrës të kësaj rubrike.

Asnjë profet, predikues, fallxhor, dijës, fatrrëfyes, fatthënës apo shortar nuk do ta kishte parashikuar solidaritetin në fjalë, madje as më i famshmi ndër ata: E kam fjalën për frëngun Michel de NotreDame, të quajtur Nostradamus, mjek e astrolog i shekullit XVI, i njohur për parashikimet e tij, një pjesë e mirë e të cilave u vërtetuan realisht asokohe. Sigurisht që ai nuk kishte sesi të parashikonte arsyen e solidaritetit të sotëm të shqiptarëve me njëri-tjetrin, por ama mund ta kishte parashikuar tërmetin në fjalë, siç kishte parashikuar, thonë, ardhjen e Hitlerit në pushtet.

Ndoshta në këtë çast dhe në këtë pikë të arsyetimit tim, ndonjë lexuese apo lexues, me të drejtë mund të hidhet e të thotë: “Profesor Tupja, tërmetet janë të paparashikueshëm edhe sot e kësaj dite, pavarësisht arritjeve të sizmologjisë dhe kuadrove të kualifikuar e mjeteve të sofistikuara që kjo shkencë ka në dispozicion, imagjinoni ç’mund të themi për mundësitë parashikuese në këtë lëmë para katër shekujsh e gjysmë!”. Sigurisht që kjo vërejtje qëndron, por… por diçka më thotë që këtë tërmet dikush e ka parashikuar para disa vitesh. “Para disa vitesh?

vendlindjen e Nostradamusit, por këtu, në Shqipëri, madje, këtu në Tiranë, madje, madje në sallën e Kuvendit tonë të nderuar!”. Në këtë çast, jam i sigurt që bashkëbiseduesja apo bashkëbiseduesi im është duke vrarë mendjen për të zbuluar se cili na qenka ai deputet sizmolog ose ai sizmolog deputet, që paska parashikuar tërmetin e para disa ditëve. Për ta ndihmuar atë, po i them se nuk bëhet fjalë për një deputet të zakonshëm. As për ndonjë deputet që të ketë lexuar librin e parashikimeve të Nostradamusit me titull “Les centuries astrologiques” (Qindëshet astrologjike) të botuar në vitin 1555. Nuk bëhet fjalë as për ndonjë deputet kryetar grupi parlamentar.

Madje as për Kryetarin e Kuvendit. Bëhet fjalë… Bëhet fjalë për… Bëhet fjalë për vetë Kryeministrin e Republikës së Tërmetosur të Shqipërisë, pra për Edi Ramën, i cili, kur erdhi vrullshëm në pushtet në vitin 2013, lëshoi po aq vrullshëm në drejtim të opozitës së djathtë një frazë tronditëse… Një frazë tronditëse me të cilën nuk reshtën së bëri gargarë politikanë et politologë, gazetarë e analistë, komentatorë e opinionistë… E kam fjalën për të famshmen frazë “Nuk keni parë gjë akoma!”.

Dhe ja, gjashtë vjet pas thënies publikisht të kësaj fraze kërcënuese në dukje, por gjeniale në thelb, sepse parashikuese të shumë dukurive si ato që i përmenda në krye të këtij shkrimi (por edhe si shumë të tjera që nuk po i rendis këtu), jam i bindur se Kryeministri Rama e kishte fjalën gjithashtu – qoftë edhe në nivelin më të thellë të nënvetëdijes së tij të stuhishme – për tërmetin e frikshëm, me pasojat e të cilit po përballemi me kurajë dhe solidaritet gjithëkombëtar e ndërkombëtar gjatë këtyre ditëve, sa të vështira aq edhe të dhimbshme.

A e shihni, pra, ju o lexuese dhe lexues ende dyshues, që Kryeministri Rama parashikoi, disa vite para se të ndodhte, diçka shkencërisht të paparashikueshme, pra tërmetin e 26 nëntorit të këtij viti që nuk e kishim parë akoma? Gjithsesi, dashtë Zoti, Natyra apo Rastësia, që ai të mos e shqiptojë sërish frazën e tij fatale “Nuk keni parë gjë akoma!”, sepse kushedi ç’mynxyrë e ngjashme ose edhe më e llahtarshme mund të na ndodhë përsëri! Si përfundim, të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike të përjavshme, më thoni sinqerisht: A nuk do ta kishte pasur vallë zili Nostradamusi profetik i Rilindjes franceze Kryeministrin tonë profetik të së mavijosurës Rilindje shqiptare?

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

1 KOMENT

  1. Ore kush me thote cfar do te thote me kete shkrim ky " profesor" a do ta quaja keshtu kete mendjelli….me thoni te kuptoj dhe une!

Comments are closed.