Noset Shijaku, nëndrejtori i Teatrit Kombëtar: Ja ç’ndodhi me gazetarin

Jan 16, 2016 | 13:32
SHPËRNDAJE

Një ditë pas incidentit me gazetarin në provën gjenerale të shfaqjes “Tri motrat” në Teatrin Kombëtar, nëndrejtori, Noset Shijaku sqaron gjithë sa ndodhi.

Gjate shfaqjes "Tri motrat" mbreme ne Teatrin Kombetar
Gjate shfaqjes “Tri motrat” mbreme ne Teatrin Kombetar

Ndryshe nga gazetari që pretendon për dhunë nga ana e drejtorit Çuli, Shijaku tregon se ai vetëm është nxjerrë prej krahësh nga salla.

Nxjerrje e detyruar, që sipas Shijakut, erdhi pasi gazetari është sjellë në mënyrë të papranueshme, ka ngacmuar me fjalë aktoret duke shoqëruar me batuta fyese veprimet e tyre skenike.

Shijaku thotë se sjellja e mbrëmshme e gazetarit i rikujton “imazhet e të fortëve që vinin në sallën e teatrit në vitet ’98-99 vetëm për të shprehur frustrimet e tyre”.

Ja çfare thotë nëndrejtori 

Mbrëmë në një sallë të mbushur plot si asnjëherë në prova gjenerale gazetari që pretendon se është dhunuar, përgjatë dy akteve të para të shfaqjes është sjellë në mënyrë të papranueshme.

Ka ngacmuar me fjalë aktoret dhe duke shoqëruar me batuta fyese veprimet e tyre skenike. Duke na rikthyer imazhet e të fortëve që vinin në sallën e teatrit në vitet ’98-99 vetëm për të shprehur frustrimet e tyre.

I tërhoqëm disa herë vëmendjen gjatë shfaqjes, por sasia e drogës që do kishte konsumuar e kishte bërë një person të papërgjegjshëm. Në pushim të akteve i kërkuam të largohej nga shfaqja.

Tre herë e refuzoi kërkesën tonë. U detyruam ta shoqëronin jashtë sallës. Ai mund të pretendojë se është dhunuar, por vetëm është shoqëruar prej krahësh jashtë godinës.

Një veprim të tillë do të bëhej me cdo person që do kryente aktet e tij. Statusi prej gazetari nuk e bën imun ndaj sjelljeve të padenja në një institucion arti.

***

Në përfundim te provave të mbrëmshme, Çuli tha për “Panorama Online” se gazetari Eni Shehu kishte nisur të ngacmonte aktorët gjatë shfaqjes-provë dhe s’kishte pranuar të largohej nga salla.

“Gjatë dy akteve të para të shfaqjes, i ulur në rreshtat pranë skenës, gazetari disa herë bënte batuta dhe ngacmime ndaj aktorëve. Nga llozha u përpoqa disa herë t’i beja me shenjë të pushonte, por për mbi 70 minuta vazhdoi me ngacmimet e tij ndaj aktorëve”, tha ai.

***

Fill pas asaj që ndodhi, televizioni “Abc News” kërkoi dorëheqjen e Çulit, për “sulmin fizik pa asnjë motiv” ndaj gazetarit, Eni Shehu.

Duke e konsideruar ngjarjen si të paprecedentë, “Abc News” i kërkon Kryeministri, Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro shkarkim të menjëhershëm të Drejtorit të Teatrit Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura