“Normë interesi tavan për kreditë konsumatore”/ Do jetë e vlefshme vetëm për monedhën vendase, në fuqi në fillim të 2022

Sep 2, 2021 | 11:42
SHPËRNDAJE

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një ditë më parë ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, që do të vendosin për herë të parë një normë efektive interesi tavan për kreditë konsumatore.

Rregullorja, vë në dukje “Monitor”, është miratuar sipas versionit që Banka e Shqipërisë përgatiti në muajin qershor të këtij viti, duke marrë parasysh edhe disa nga propozimet e palëve të interesit.

sejko

Ajo do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, për t’iu dhënë institucioneve financiare kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me konceptet e reja të parashikuara në rregullore, sidomos për shkak të problemeve të lidhura me sistemet e teknologjisë së informacionit.

RREGULLORJA Sipas rregullores së re, Norma Maksimale Efektive e Interesit (NEI maksimal) do të llogaritet si mesatare e normës efektive të interesit të aplikuar nga subjektet sipas llojit të kredisë konsumatore, në lekë, duke shtuar edhe një të tretën e saj. Ky tregues do të llogaritet dhe publikohet nga Banka e Shqipërisë me frekuencë gjashtëmujore dhe do të jetë i vlefshëm për të gjitha kontratat e kredisë konsumatore që do të nënshkruhen në gjashtëmujorin në vijim.

NEI maksimal do të llogaritet vetëm për kreditë konsumatore në monedhën lekë, ndërsa kreditë në valutë të huaj nuk do të jenë objekt i llogaritjes dhe publikimit të këtij treguesi.

Në praktikë, kreditë konsumatore jepen në masën dërrmuese në monedhën vendase dhe Banka e Shqipërisë nuk e ka parë të nevojshme të përfshijë në rregullore edhe kreditë e dhëna në valuta të tjera.

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare.

Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara.

Përcaktimi i një norme interesi tavan në huadhënie është praktikë e përhapur në shumë legjislacione, përfshi disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Sipas një studimi të Bankës Botërore të vitit 2018, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan për kreditë. Arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve, por në disa raste ato mund të targetojnë direkt uljen e çmimit të huadhënies në ekonomi.

Rregullorja parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa).

Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rikuperimit.

Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cenon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo morale biznesi nga mbledhësit e borxheve të këqija.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/