“Nokut ia ka plotësu Lola gjërat dhe po pret”, “mbylle kullën”, “guxim kam po jo deri këtu”- Zbardhen bisedat në Whatsapp të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas, pse prokuroria firmosi ndalimin e tyre

Apr 8, 2021 | 12:47
SHPËRNDAJE

Flora Ndreca-Kulla-AlbControll“Panorama.al” ka zbardhur pjesë nga procesverbali i mbajtur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për tre kontrollorët e ndaluar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” si dhe komunikime të tyre përmes aplikacionit Whatsapp, në datat 6 dhe 7 prill, kur vendosën të shpallin paaftësinë e përkohshme, për punë çka solli më pas edhe bllokimin e fluturimeve në Rinas.

“Nga përmbajtja e bisedave të zhvilluara mes tyre nga shtetasi Armando Fezga me persona të ndryshëm rezulton që ai në datën 7 ka rezervuar gjithsej 25 dhoma dyshe për stafin e kontrollorëve të Albcontrol në hotel Airport Tirana.

Gjithashtu nga deklarimet provohet se shtetasit Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien e detyrimit ligjor për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin e rëndësiusë së vecantë.

Kryerja e këtyre veprimeve në datat 6 dhe 7 kanë sjellë pasoja duke nxjerrë jashtë funksionit kullën dhe aeroportin Nënë Tereza.

Keta shtetas me veprimet dhe mos veprimet e tyre në bashkëpunim, kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të udhëtarëve dhe personit juridik”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sakaq, prokuroria thotë se shtetasi Armando Fezga, u ndalua me iniciativë të policisë për shkak të gjendjes së ngutshme sepse ai ka rrezik ikjeje dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Muhin Mezini është ndaluar për të njëjtën akuzë, gjithashtu edhe kontrollorja Flora Ndreca.

“Më datën 7 prill 2021, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë është depozituar kallëzimi nga shoqëria Albcontrol dhe materiali kallëzues i referuar nga shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, me anë të së cilës janë kallëzuar penalisht shtetasit Flora Ndreca, Muhin Mezini dhe Armando Fezga”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

BISEDAT NE WHATSAPP

Nga tërësia e veprimeve hetimore të tilla si kqyrja e aparatit celular të shtetasit Armando Fezga është konstatuar se ai ka komunikuar përmes Whatsapp me shtetasin Eldi Dervishi ë cilit në datën 6 ora 11:34 i shkruan:

“Nokut ja ka plotësu Lola gjërat dhe po pret turnin e dytë që ta nisi, turni i parë ACC e kanë gati. Hë në fund do e nisin”.

Më pas në komunikimin në grup në datën 6 në orën 4:35, kontakti i regjistruar me emrin ‘Hajredini’ i shkruan shtetasit Armando “po unë them duhet të bëni dhe tokai, jo vetëm atë.”

Ndërsa kontakti Klesti shkruan “Mbylle kullën”.

Shtetasi Hajredin i përgjigjet “se nuk pi ujë, guxim kam po jo deri këtu, se ato letra i djeg maxi, me çakmak prapa ndërmarrjes”.

Nga kqyrja e aparatit ceuluar në posedim të shtetases Flora Ndreca është konstatuar se kjo shtetase ka komunikuar nëpërmjet Whatsapp me Gersi Spaho, të cilit në datë 6 ora 21:12 i shkruan se “mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqje të gjithë, por shyyr që u kujtuan të bëhen bashkë, e prekën fundin?”

Në datën 6 ora 10:50 Muhin Mezini i ka dërguar Olsi Petri përmes Whatsapp foto të formularit të paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij ndërsa ky i fundit i është përgjigjur “në 12 jam aty”.

Në datën 6 ora 10:49 Muhin Mezini i ka dërguar kontaktit të rregjistruar me emrin Ezi foto të formularit të paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij ndërsa Ezi i përgjigjet “e mira është të shkruash më shkurt”.

“Ndikimi i shtetasit Muhin Mezini me detyrë mbikqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror tek shoqëria Albcontrol tek vartësit e tij për plotësimin e formularit të paaftësisë së përkohshme në punë, provohet edhe nga deklarimet e shtetasve Emiljano Majani, Erion Alibali, dhe Erjon Krisafi”, thekson Prokuroria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura