Njohja me At Zef Pllumin/ Mark Marku: Pse komunizmi nuk arriti ta denatyrojë si njer

Sep 26, 2017 | 13:00
SHPËRNDAJE

Mark Marku ka pasur rastin t’i dëgjojë rrëfimet e Padër Zefit përpara se ai t’i shkruante ato. Njohja personale e ka ndihmuar në leximin e veprës dhe humanizmi e përpjekja mbinjerëzore për të mbetur njeri duhet të jetë kyçi i leximit të teksteve të At Zef Pllumit.

marku

“Mua më ka ndodhur që një pjesë të mirë të kujtimeve të At Zefit ta kem dëgjuar gojarisht dhe rrallë më ka ndodhur që të mos jetë e shkruar ekzaktësisht ashtu siç e kam dëgjuar. Edhe pse u tha se rrëfimi dhe shkrimi ndryshojnë, ai është i njëjtë edhe në detaje, edhe në ritmin e rrëfimit. Janë raste të rralla kur jeta e autorit përputhet me atë që ka shkruar, ashtu si ajo e At Zefit, sepse ai jetonte ashtu si shkruante. Nuk ka çfarë të fshehë. Ai ka një mision të shumëfishtë. Ai ka jetuar për të rrëfyer dhe duket sikur ngjarjet i ka jetuar si subjekt, por edhe së jashtmi.

Prandaj edhe vepra memuaristike e At Zefit është një vepër themelore, sepse ai nuk tregon vetëm historinë e vet, por edhe në marrëdhënie me botën. Ai më kujton poeten ruse, Ana Ahmatovën, të cilën e kam lexuar përmes Agronit. Ajo nuk guxonte të shkruante sepse policia sekrete ruse, KGB-ja, i bënte kontroll dhe i gjente. Ndërkohë Stalini i kishte marrë peng të birin nëpër burgje. I biri ishte peng që ajo të mos shkruante. Dhe poezitë e saj ajo i shkruante në mendje dhe ia thoshte një shoqes së saj dhe ishte ajo që e ka shkruar një pjesë të veprës së Ahmatovës.

Dhe besoj se i njëjti mekanizëm ka funksionuar edhe me At Zefin. Ai ka qenë i kufizuar nga rrethanat dhe nga misioni që i kishte vënë vetes e në njëfarë mënyre ai e ka ndërtuar rrëfimin e tij në mendje dhe kjo është edhe arsyeja pse është kaq thelbësor. Është thelbësor, sepse kujtesa është selektive, nuk mund të regjistrojë çdo gjë dhe ai ka përdorur një teknikë, e cila është përsosur.

Misioni tjetër i tij është ai njerëzor. Më kujtohet një herë kur ai po dërgonte në shkollë djalin e drejtorit të burgut. Pasi mbaroi bisedën me të, vjen e më takon e më thotë: ‘Hë djalë, hë pader, s’të shoh mirë’. Dhe unë i them: ‘At Zef, këtë nuk mund ta kuptoj dot’. ‘Pader, një nga qëllimet e diktaturës ka qenë që të na degradojë ne si njerëz, të na çojë në atë farë pike që të shkatërrojmë njeriun brenda nesh.

Dhe unë gjatë gjithë kësaj jete, edhe në sistemin komunist jam përpjekur t’u tregoj që ata nuk i kanë arritur qëllimin, nuk e kanë zhdukur njeriun tek unë. Këtë ia tregoj vetes. Ka qenë një provë shumë e rëndë, ju s’mund ta kuptoni se jeni të rinj, por njeriu në kushte të jashtëzakonshme, mund të humbte aftësinë e të qenurit njeri’. Dhe pikërisht këtu duhet kuptuar edhe thelbi i veprës së At Zefit.

Një vepër themelore për raportin e njeriut me diktaturën, degradimin e njeriut. Dhe ne sot, që nuk kemi qenë të përfshirë në atë që ndodhi më shumë se 25 vjet më parë, i bëjmë pyetje vetes: ‘A jemi njerëz?’. Këtë duhet të mendojë çdokush që lexon veprën e At Zefit, pavarë- sisht se është shumë e refuzuar dhe e sulmuar në mënyrë sistematike: ‘A jemi në nivelin elementar të të qenurit njeri?'”, u shpreh Mark Marku në takimin përkujtimor për At Zef Pllumin në Bibliotekën Kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura