Njohja gjatë pushimeve, kërkesa për azil dhe dashuria e “sëmurë”, ish-partnerja e të riut lezhjan flet nga Franca: Ishte xheloz pas meje

Oct 31, 2019 | 13:29
SHPËRNDAJE

zemer-e-hapur2-770x429

Vetëm dy ditë më parë në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 u trajtua historia e një djaloshi 28-vjeçar nga Lezha. Klaudjan Sinani jetonte prej disa vitesh në Francë dhe bashkëjetonte atje me një grua 47-vjeçare, me të cilën kohët e fundit kishte pasur disa konflikte. Pas një denoncimi që ajo i pati bërë ai përfundoi në burg.

Familja e tij nuk dinte asgjë dhe i vetmi informacion iu është dhënë nga bashkëjetuesja e të birit. Pak kohë më pas në 18 maj 2017 një shqiptar tjetër nga Burreli ka shkruar në Facebookun e vëllait të Klaudjanit dhe e ka njoftuar atë se 28-vjeçari kishte ndërruar jetë në burg.

Babai i tij Man Sinani rrëfeu ngjarjen e rëndë në studio dhe hodhi disa akuza. Ai tha se që nga maji i vitit 2017 kur ka ndodhur ngjarja e deri më sot askush nuk e ka zbardhur. Ai deklaroi gjithashtu se dyshonte tek bashkëjetuesja e të birit dhe hodhi mbi të disa akuza të rënda. Pas transmetimit ajo ka reaguar dhe është përballur ‘live’ në studio me prindërit e Klaudjanit Man dhe Fitnete Sinani që kanë qenë sot në studio.

“Kur e kam njohur Klaudjanin kam qenë 38 vjeç dhe sot jam 47 vjeçe. Nipi im ka marrë motrën e Klaudjanit. Kemi qenë të njohur. Kam vajtur në Lezhë për pushime. Në 8 të mëngjesit kam takuar Man Sinanin, i thashë që kam ardhur për pushime, ai më ofroi shtëpinë e tij. Kur ndenja 10 ditë në shtëpinë e tyre, ata më propozuan të merrja djalin e tyre në Francë për azil. Unë isha e martuar me burrin tim francez dhe isha e lumtur. Kam pasur lidhje pas 1 viti e gjysmë, kur Klaudjani ka ardhur këtu. Njëherë ai rrinte në shtëpinë time dhe të burrit tim dhe njëherë jashtë.

Aty lindi një simpati mes nesh. Unë nuk mund ta bëja këta dhe kërkova të ndahesha me burrin tim në 2013 në prill. Pas kësaj fillova të jetoja me Klodin.

Ishte xheloz i sëmurë pas meje. Më privoi nga familja ime, s’më linte as t’i merrja apo jepja vajzën ish-burrit, më dhunonte. E kam denoncuar disa herë. Iku nga unë, vinte herë pas here kur kishte dokumente për të bërë. Nuk e kam nxjerrë unë nga shtëpia. Ai mori rrugë të keqe, pinte drogë. Ai gjente tek unë nënën, shoqen, gruan gjithçka. Familja e tij nuk arriti ta mblidhte.

Unë nuk kisha më dashuri për të sepse më ka torturuar, më ka thyer dhëmbin, më ka thyer krahun, këmbën. Më ka thyer tre televizorë. Mua më vinte keq për të se e shihja si ishte katandisur nga heroina”, tregoi ish-bashkëjetuesja Rudina në një lidhje ‘skype’.

Ajo rrëfeu një rast më 1 shkurt 2017. “Klaudjani më ka rrahur dhe kam shkuar në urgjencë. Ditën tjetër kam bërë denoncimin. Policia e ka marrë, i ka dhënë një urdhër mbrojtje që të mos më afrohej më shumë se 50 metër. Ai ka ardhur sërish e ka hyrë nga tavani, duke prishur tavanin. Unë kisha shkuar tek prindërit e mi. Më 18 maj ka ardhur policia më ka treguar që ai kishte vdekur në burg. Mendoj se i kanë dhënë më shumë metadon se sa mbante trupi i tij, mbidozë”, rrëfeu ish-bashkëjetuesja e 28-vjeçarit duke mohuar akuzat se ka pasur lidhje me vdekjen e tij dhe madje duke kërcënuar më gjyq, babain e të riut për akuzat që ka ngritur ndaj saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura