Ish-kryebashkiaku në arrati, Prokuroria urdhëroi noterët të njoftojnë nëse e shohin, por ja ç’mund të kërkojë nga arratia Kajmaku

Nov 21, 2019 | 10:37
SHPËRNDAJE

kajmaku-1024x576

ETLEVA DELIA/ Prokuroria e Tiranës urdhëron të gjithë noterët që të lajmërojnë Policinë e Shtetit në rast se ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, paraqitet te ndonjëri prej tyre për të kryer ndonjë veprim noterial.

Madje, organi i Akuzës i paralajmëron noterët se do të mbajnë përgjegjësi penale në rast se nuk njoftojnë në numrin 129, nëse Kajmaku paraqitet tek ata. Përmes një shkresë të një jave më parë, konkretisht të datës 14 nëntor, drejtuar Dhomës Kombëtare të Noterisë Tiranë, Prokuroria kërkon bashkëpunim, në mënyrë që të ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila më 9 nëntor caktoi masën “Arrest me burg”, në mungesë për Agim Kajmakun.

Vetëm pak ditë më parë, edhe pse i është shmangur drejtësisë dhe vazhdon të qëndrojë në arrati, ish kryetari i Bashkisë së Vorës kërkoi lirinë në Gjykatën e Apelit.

Përmes avokatit të tij, sigurisht i pajisur me prokurë të noterizuar, Kajmaku apeloi masën e sigurisë që ka caktuar më parë Gjykata e Shkallës së Parë.

KERKESA Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me juridiksion të përgjithshëm, zhvillohen hetime në çështjen penale nr.8185, regjistruar më datë 30.10.2019 për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 190/1 i Kodit Penal, “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 186 i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 249 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku etj.

Për të bërë të mundur zbatimin e vendimit të Gjykatës, e konkretisht të vendimit penal nr.2516, regjistri themeltar, datë 09.11.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, njoftoni të gjithë noterët që e ushtrojnë funksionin e noterit në Republikën e Shqipërisë, që nëse shtetasi Agim Kajmaku, me identitete (i biri i Ymer dhe Maxhe, lindur më 06.07.1971 në Fushë Prezë, Tiranë dhe banues në Gjeç, Kodër-Pezë, Tiranë, me shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore i padënuar, i martuar), paraqitet për kryerjen e ndonjë veprimi noterial, cilado qoftë kërkesa e tij, të njoftoni paraprakisht Policinë e Shtetit në numrin 129. Mosbërja e njoftimit ngarkon noterët me përgjegjësi penale.

SHPALLJA NE KERKIM

Agim Kajmaku, ish-kreu i Bashkisë Vorë, i shkarkuar nga KQZ-ja për shkeljen e ligjit të dekriminalizimit, për të cilin u lëshua një urdhër arresti më 11 nëntor, akuzohet për falsifikim të formularëve dhe ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës.

Në shkresën e Prokurorisë theksohet: “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka shpallur në kërkim me masë sigurimi ‘Arrest në burg’, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, ‘Shpërdorim detyre’, sipas nenit 248 të Kodit Penal, ‘Falsifikimi i formularëve’, neni 190 i Kodit Penal dhe ‘Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”.

MANDATI 

Disa ditë para se Prokuroria të kërkonte arrestimin e tij, KQZ i hoqi mandatin ish-kryebashkiakut të Vorës, pasi Prokuroria e Përgjithshme i kishte dërguar një shkresë për këtë qëllim.

Pavarësisht se Kajmaku iu drejtua me një letër Kryeprokurores Arta Marku, ku thoshte se ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Janinës për falsifikim të kartëmonedha nën emrin e Jorgo Totos, fshehja e kësaj çështjeje në formularin e vetëdeklarimit përbën shkelje.

“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para Gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.03.2004 emër/mbiemër nga ‘Jorgo Toto’ në ‘Agim Kajmaku’, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit”, thuhet në shkresën e prokurorit Arben Kraja./PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura