Njësimi i diplomave, nga sot bëhet online

May 20, 2015 | 13:13
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata që përfundojnë studimet e larta jashtë vendit, nga sot nuk do të enden më nëpër dyer të ministrisë apo shërbimeve postare për muaj të tërë për të kryer njësimin e diplomës me qëllim për të nisur punë në Shqipëri. Portali unik qeveritar e-albania, ndër shumë funksione të tjera, do të mundësojë edhe njehsimin e diplomave të atyre që kanë përfunduar arsimin e lartë në nivelin bachelor, master dhe doktoraturë jashtë vendit.

Ministrja Nikolla

Këtë risi e prezantoi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një aktiviteti qeveritar organizuar një ditë më parë. “Ky shërbim elektronik tashmë ndryshon në mënyrë cilësore mënyrën e komunikimit për përfitimin e një shërbimi, redukton kohën e përfitimit të shërbimit dhe eliminon plotësisht zgjatjet burokratike dhe korrupsionin”. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, pranë këtij institucioni njehsohen çdo muaj rreth 100 diploma. Përgjatë një viti përllogariten mesatarisht 1400-1600 diploma të huaja në të tri nivelet, bachelor, master dhe doktoraturë.

PROCEDURA
Ata që përfundonin studimet e larta jashtë vendit, për të nisur punë në Shqipëri duhet më parë të njehsonin diplomën e tyre, proces që mund të kryhej edhe me postë nëpërmjet dorëzimit të dokumenteve të caktuara. Për ta bërë këtë, duhej një procedurë e ndërlikuar për një periudhë kohore që zgjaste nga 45 ditë deri në 6 muaj, pa llogaritur burokracitë, gabimet që mund të ndodhnin rrugës, vonesa apo dokumente mangët.

Por, me portalin e ri, jo vetëm që shmanget koha e dërgimit me postë pranë MAS, por edhe koha e pritjes apo ndërhyrjet për procedura me shpejtësi. Nëpërmjet plotësimit të formularit online, shkurtohet koha e aplikimit, ndërsa MAS vijon komunikimin me institucionet homologe paraprakisht. Ministrja Nikolla sqaroi se falë kësaj metode, çdokush do ta ketë të qartë se ku ka mbetur procedura dhe kush është përgjegjësi për vonesën.

Sipas saj, ky është vetëm fillimi i një sërë shërbimesh online që do të ofrohen në të ardhmen. Me aplikimin online, ministria do të mund të gjenerojë statistika të numrit të personave dhe shkollat që ata zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, duke ndihmuar në hartimin e politikave të mira arsimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura