Njeriu me fat, i kthehet kuleta 14 vjet pasi e kishte humbur. Me afro 1.500 Euro brenda

Apr 12, 2015 | 13:15
SHPËRNDAJE

Humbja e portofolit mund të shkaktojë një dhimbje koke për një kohë të gjatë dhe në rastet më të mira, që rrallë ndodhin, kuleta kthehet sërish tek i zoti. Por një person, nuk mundej ta besonte fatin kur kuleta e tij u kthye pas 14 vjetësh, me më shumë para brenda se sa dita kur e kishte humbur. Ivica Jerkovic pranon se ai mendonte se kishte qenë viktimë e një shakaje kur portofoli i tij arriti me anë të postës me më shumë se 1,000 Paund brenda (1,440 €).

“Mirror” ka publikuar shkrimin

“Së pari mendova se dikush ishte duke bërë shaka me mua kështu që shkova për të kontrolluar nëse paratë ishin të vërteta”,- i tha Ivica Jerkovic të përditshmes “24 sata”.

Ivica, nga fshati Donja Motičina, në Kroaci, rrëfeu se e kishte humbur portofolin 14 vjet më parë me rreth 2.000 marka gjermane (rreth £ 720) brenda, që ai i kishte tërhequr nga llogaria bankare për të riparuar çatinë e shtëpisë.

Ivica, tashmë në moshën 50-vjeçare, beson se personi i cili e gjeti dhe e ktheu portofolin pas kaq shumë vitesh, mund të ketë pasur probleme financiare në momentin që e ka gjetur, dhe gjesti i tij tashmë mund të jetë një gjest mirënjohje.

“Unë besoj se këto para e shpëtuam atë dhe për vite ai kishte llogaritur se sa do të më kthente. Përndryshe, nuk kam shpjegim pse ai do ta mbante portofolin për gjithë këto vite,” tha ai.

“I bëj thirrje të më kontaktojë. Ai është bankier më i mirë personal në Kroaci!”,- tha zotëria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura