Njeriu i ri i vitit zero

Jun 29, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

GENC TIRANA GENC TIRANA

Hamendësimet dhe polemikat dy javë më parë në lidhje me pikëpyetjet nëse agresorët e monumenteve i referoheshin historisë apo angazhimeve pro skllavërisë së liderëve historikë shkuan kot. Precipitimi i dhunës dhe anarkisë në rrugët e Amerikës mori formë më të qartë në Seattle, ku ekstremistët pushtuan një pjesë të qytetit dhe krijuan zonën apo shtetin e tyre të quajtur fillimisht CHAZ e më pas CHOP (Capitol Hill Oçupied Protest). Sulme të ngjashme me këtë u bënë të hënën fare pranë Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C., ku ekstremistë vendosën tenda dhe shenjat BHAZ (Black House Autonomous Zone), të cilat u hoqën të martën nga autoritetet e qytetit.

Kush mundi, e kuptoi qysh në fillim se protesta kundra brutalitetit të Policisë u uzurpua menjëherë nga ANTIFA, socialistë radikalë dhe ekstremistë të tjerë. Tani faktet flasin vetë dhe është fare e qartë për këdo. Ekstremi i majtë në ekspansion në metropolet e Amerikës dhe në metropole të tjera të Perëndimit nuk kërkon rrëzimin e monumenteve, si gjoja shprehje e qëndrimit të tyre ndaj padrejtësive historike, ngaqë kjo nuk u intereson fare. Anarkia dhe rrëzimi i monumenteve është vetëm ura e kalimit për të arritur qëllimin final. Ata kërkojnë territor. Ata kërkojnë pushtet. Veçantia është se këtë e kërkojnë ta arrijnë njësoj si në revolucionet famëkeqe të marrjes së pushtetit me dhunë.

Ironia është se shteti i CHOP u krijua qysh në fillim me kufi, duke përdorur barriera plastike e më pas blloqe betoni krejt ndryshe nga predikimet e liberalëve, për një botë pa kufij e lëvizje të lirë. Hipokrizia nuk është gjë e re në zhvillimet e fundit. CHOP u krijua si zonë pa Polici, duke kërkuar me ngulm shfuqizimin e forcave të Rendit dhe lirimin e të burgosurve, që janë dënuar për vepra penale të lidhura me marijuanën. Thirrja e Presidentit Trump drejtuar autoriteteve lokale, që i përkasin Partisë Demokratike në shtetin Uashington dhe qytetin Seattle, që të ndërhyjnë dhe të çlirojnë zonën e okupuar t’ua kthejnë qytetarëve siç ishte, u kundërshtua në mënyrë kategorike nga kryebashkiakja e Seattle, Jenny Durkan. Veçse nga ana tjetër, këtë fundjavë atje u kërkua gjithsesi ndihma e Policisë, pasi dhuna vazhdon e për pasojë, një i ri 19-vjeçar humbi jetën dhe një 33- vjeçar u plagos në territorin e CHOP në Cal Anderson Park.

Grabitjet, dhuna dhe frika e krijuar nga anarkia janë indikatorë të qartë se ekstremizmi radikal i majtë është në rritje dhe kërcënon Amerikën e mbarë botën. Ne jemi dëshmitarë që në shumë metropole të Amerikës e gjetkë, individë me pamje të përçudnuar sulmojnë egërsisht forcat e Rendit, ku 8 policë kanë humbur jetën dhe 900 të tjerë janë plagosur, pa llogaritur viktimat në popullsinë civile, grabisin njësitë tregtare dhe tërheqin zvarrë monumentet. Të gjitha këto ndodhin kur politikanë liberalë si Deb Haaland etj., dhe mediat në shërbim të tyre si CNN, MSNBC etj., vazhdojnë t’i vlerësojnë dhunuesit dhe ta quajnë ankthin që ata përhapin “protestë paqësore”.

Për shumë nga ne që kemi jetuar në autoritarizëm, ky skenar nuk është i ri. Dhuna dhe pështjellime të tilla fillojnë me një bazë ideologjike, me të cilën demagogët shpëlajnë trutë e kujt munden dhe prezantojnë simbolin e ndryshimit: “Njeriun e Ri”. Njeriu i ri natyrisht është ai që nuk mbart asnjë vlerë, besim apo traditë nga eksperienca e mëparshme njerëzore. Për njeriun e ri, historia fillon në vitin zero që ai cakton si fillim dhe e gjithë historia, besimi, tradita dhe kultura njerëzore e trashëguar në shekuj duhet fshirë dhe djegur. Ai pothuajse gjithnjë është paraqitur i veshur me uniformë ushtarake apo kominoshe pune, kokore a kasketë dhe shikon veçse përpara. Shumë herë, imazhi i njeriut të ri përçohej nëpërmjet personazheve të krijuar në vepra letrare si Pavka, Pavel Korçagin, te Si u Kalit Çeliku në Bashkimin Sovjetik apo përmes individëve realë si Lei Feng në Kinë.

Njeriu i ri i globalizmit, në substancë i ngjashëm me të parët, ka kohë që po trumbetohet nga ideologët e rinj që janë politikanët liberalë, mediat në shërbim të tyre dhe shpërndarësit e kësaj propagande në rrjetet sociale. Trushpëlarja mbi identitetin gjinor, krijimi i familjeve nga çifte me të njëjtën gjini, liberalizimi i përdorimit të drogës, hapja e kufijve etj., këto vite ka qenë baza ideologjike e hibridit të ri. Paksa ndryshe nga hipitë e viteve ’60, që përqafuan idetë e revolucionit seksual dhe përdorimin e drogave, njeriu i ri i globalizmit është më i angazhuar në politikë. Si mund ta përfytyronim pra, portretin e njeriut të ri të globalizmit? Një i ri i inatosur me kamxhik lëkure, tatuazhe në qafë dhe unazë në hundë, me gjysmën e kokës të rruar dhe fije floku shumëngjyrëshe dhe pantallona të grisura që i varen mbrapa? Apo do të ketë portretin e ideologut të vitit zero? Edhe nëse portreti i tij është vështirë të përfytyrohet, mund të thuhet me bindje se fotoja e asaj femrës që defokon mbi makinën e përmbysur të Policisë në Salt Lake City gjatë dhunës në Utah shërben shumë mirë si emblemë për flamurtarët e vitit zero.

Dhe revolucioni kulturor amerikan marshon! Ditët e fundit, vandalizmi vuri në shenjë figura dhe simbole kombëtare, historike dhe fetare si George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln, Jesu Krisht dhe vetë flamurin kombëtar etj., si për të provuar dhe një herë se axhenda e vërtetë e këtyre ekstremistëve është të shkatërrojnë qytetërimin dhe kulturën perëndimore në tërësi. Liderë perëndimorë janë prononcuar hapur që do ta ndalojnë këtë vandalizëm. Trump tha se po shihen mundësi që të aplikohen dënime afatgjata për vandalët, fill pas sulmit ndaj monumentit të Andrew Jackson. Kryeministri anglez, Boris Johnson, tha se do ta mbrojë deri në frymën e fundit statujën e Winston Churchill. Po aq kategorik ishte edhe Emmanuel Macron, i cili bëri të qartë përpara kombit të tij se Republika Franceze nuk do të fshijë asnjë emër nga historia dhe nuk do të heqë asnjë statujë. A do të kenë vërtet efekt urdhrat administrativë dhe këto prononcime nga drejtuesit e shteteve perëndimore për të ndaluar anarkinë? Kësaj pyetjeje është vështirë t’i përgjigjesh tani për tani, përderisa ende orteku i ekstremistëve radikalë është në ofensivë.

Paralelisht me anarkinë e pashembullt, në botën biznesit dhe informacionit me dhjetëra drejtues dhe punonjës mediash kanë humbur punën ngaqë nuk kanë qenë në sinkron me axhendën e lëvizjes “Black Lives Matter”. Redaktori i editorialeve të “The New York Times”, James Bennet, drejtuesja e “CBC” (Canadian Broadcasting Corporation), Wendy Melsey, redaktori kryesor i “The Philadelphia Inquirer”, Stan Wischnoëski dhe plot të tjerë kanë dhënë dorëheqjen ose janë përzënë nga puna. Ndryshe nga sistemet totalitare, ku goditjen ndaj të “pabindurve” e drejton shteti, në zhvillimet e fundit në Perëndim goditjen e japin korporatat. Korporatat e mëdha teknologjike tashmë kontrollojnë gjithçka dhe janë kërcënimi kryesor për liritë tona. “Google” kontrollon 70 për qind të të gjitha reklamave në internet dhe nëse nuk i bindesh vullnetit të pronarëve, je i falimentuar në minutë. Korporata gjigante mediatike liberale “NBC” përdori këto ditë forcën e “Google” për të mbyllur dy konkurrentët ZeroHedge dhe Federalist, duke i akuzuar si “racistë”. “Google” menjëherë i kërcënoi ata se do t’i heqë nga platforma e reklamave të “Google”, duke u ndërprerë të ardhurat. Po kështu bëjnë rrjetet e fuqishme sociale si “Facebook”, “Twitter” etj., që i censurojnë përditë ata që nuk janë në të njëjtën linjë me drejtuesit e këtyre kompanive. Nga ana tjetër, me dhjetëra individë deklarojnë se po të prononcohen në “Facebook” mund të humbin punën, pasi drejtuesit liberalë në korporatat e tyre nuk i tolerojnë opinionet kundra.

Është e provuar tashmë se kufizimi dhe ndrydhja e lirisë së shprehjes, heqja e burimeve financiare, licencimi nga puna apo persekutimi për pikëpamjet dhe idetë që mbart e përçon individi, djegia e objekteve të kultit,paralizimi i forcave të rendit dhe forcës së ligjit deri në anarki çojnë në autoritarizëm. Amerikanët dhe perëndimorët në përgjithësi nuk tremben se një situatë si kjo, që i ka pothuajse të gjitha këto elemente, mund të precipitonte në autoritarizëm, pasi janë lindur e rritur në demokraci dhe nuk kanë përjetuar sisteme të tilla. Veçse askush nuk e ka besuar se çdo të ndodhë përpara gjëmës. Shkrimtarët dhe artistët rusë dhe europianolindorë nuk e dinin që më parë se do të përfundonin të internuar në gulagë. Përpara revolucionit kulturor në Kinë, kur fshati rrethonte qytetin, askush nuk e dinte se po të dëgjoje Bethoven do të ishte krim politik. Gratë iraniane nuk e dinin që përpara revolucionit islamik iranian më 1979 se do të ishin të detyruara ta mbulonin fytyrën me hixhab. Tragjeditë njerëzore, ku miliona humbën jetën dhe u persekutuan, kanë ndodhur mbasi regjimet totalitare janë instaluar dhe konsoliduar mirë.

Një situatë si kjo, e parë nga ky këndvështrim, rikthen natyrshëm pikëpyetjen te gjithsecili, se çfarë qëndrimi do të zgjedhë kur të përballet me të mirën dhe të keqen. Katrahura që po ndodh nuk ka lidhje me historinë e largët të sistemit skllavopronar, por me këtë të afërtën, totalitarizmin, që sapo kemi dalë dhe mezi e kemi marrë veten. Historia njerëzore ka qenë gjithnjë e dhimbshme, e mbarsur me konflikte a padrejtësi mizore që nuk mund t’i korrigjojmë më. Përpara skllavopronarisë, në Amerikë ka ndodhur shfarosja e indigjenëve e nëse i kthehemi historisë së njerëzimit në tërësi, luftërave fetare, shembjes së qytetërimeve etj., etj., mund të arrinim deri te njeriu i Neandertalit që u zhduk ndoshta nga Homo Sapiens në përpjekjet për ekzistencë. A është ky fokusi ynë tani kur turma anarkistësh pushtojnë dhe dhunojnë metropolet dhe grupe apo individë të caktuar kërkojnë të nxjerrin përfitime politike? Kthimi shumë mbrapa në histori tani nuk është vetëm humbje kohe, por është edhe çorientim, pasi i largohemi problemit.

Ne ishim përpara së mirës e së keqes edhe tri dekada më parë dhe zgjodhëm qytetërimin perëndimor dhe lamë pas autoritarizmin. Këtu përfshihen si ata që emigruan në Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore, ashtu dhe ata që ndenjën në vendet e origjinës dhe përkrahën aty ku janë demokracinë, lirinë e shprehjes dhe ekonominë e tregut. Tani duhet të zgjedhim përsëri, pasi qytetërimi perëndimor është i kërcënuar nga turma amorfe dhe ideatorë të papërgjegjshëm.

Në rrjetet sociale has komente nga individë të habitur, që pyesin ose komentojnë se si është e mundur që emigrantët kanë prirje konservatore. Këtu së pari duhet thënë se ata që kanë jetuar 20 a më shumë vite në Europë apo Amerikën e Veriut nuk janë më emigrantë, por qytetarë perëndimorë. Pas ‘90-ës, kur nisi lëvizja e lirë, kishte nga ata që me cinizëm thoshin se për t’u bërë qytetar duhet të kalojnë dy breza. Me një gjykim të drejtë, duhet thënë se dytri dekada janë mëse të mjaftueshme për emancipimin e çdo individi. Por edhe nëse për dikë do të kërkonte më shumë kohë, kjo nuk do të thotë se pas kaq kohësh ne duhet të jemi dele. Nuk mjaftuan dekadat nën diktaturë që na futën në grazhde si bagëtitë? Tani duhet që liberalët të na fusin në vathë bagëtish përsëri ngaqë qenkemi “emigrantë”? Një qytetar është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm dhe di ta dallojë vetë të mirën nga e keqja, pa qenë nevoja të marrë leksione në “Facebook” dhe nuk mund të tërhiqet nga hunda as nga liberalët e as nga konservatorët.

Veçse vitet e fundit, liberalët e kanë ndarë elektoratin në grupe: të rinj, të vjetër, gra, burra, emigrantë, pakica me ngjyrë, homoseksualë, heteroseksualë etj., etj., që t’u adresohen veçmas duke u fryrë në vesh se këtë apo atë grup e mbështesim ne, me qëllim që t’u marrin votën. Ata që emigruan përpara dy-tri dekadash e më vonë, erdhën për një jetë më të mirë dhe iu përveshën punës pa parë majtas e djathtas për asistencë sociale apo bankinat ku shpërndahen ushqime falas. Këta qytetarë kërkojnë që fëmijët e tyre të jenë të fokusuar në progres e të mos merren me drogë e lajthitje të tjera. Nga ana tjetër, duan që t’i shohin fëmijët e tyre të krijojnë familje, ku nipërit e mbesat të mos mësojnë se kanë prindin 1 dhe prindin 2 siç predikojnë flamurtarët e vitit zero, por që kanë nënë e babë siç kemi pasur ngaherë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura