Njerëzit dhe kafshët

Jun 14, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

EDMOND TUPJA

                    Para shumë e shumë vitesh, i pari që ma tha sentencën “Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, më siguroi se ajo kishte për autor Viktor Hugoin; i dyti që ma përsëriti disa kohë më vonë, më siguroi se ajo kishte dalë për herë të parë, qysh në lashtësi, nga goja e Sokratit. Gjithsesi, pak rëndësi se kush e ka thënë i pari, e rëndë- sishme është se bëhet fjalë për kafshët shtë- piake, ato që i shërbejnë besnikërisht njeriut, si qeni dhe kali, dhe jo si gjarpri dhe luani, dhe që qëndruakan më lart se vetë njeriu. Kjo sentencë mund të ilustrohet me faktin se sot në botë ka miliona njerëz që mbajnë në shtëpi qen e mace, zogj e peshq, si edhe gjithfarëlloj kafshësh të tjera të buta ose të zbutura, madje edhe pleshta.

E njëjta gjë mund të pohohet edhe për vendin tonë ku vazhdon të rritet numri i atyre që mbajnë kafshë të tilla dhe jam i bindur se së shpejti profesioni i veterinerit do të jetë shumë i lakmuar si burim të ardhurash, pa harruar që po lulëzon tashmë një industri e tërë me synim të ushqyerit, mirëmbajtjen dhe shërbimin mjekësor për qen e mace, zogj e peshq etj., etj., gjithashtu burime të ardhurash.

Nga ana tjetër, syrit të vëmendshëm të lexuesve të rubrikës sime nuk mund t’i ketë shpëtuar fakti se sa shumë u bëhet qejfi shqiptareve e shqiptarëve që shëtisin qentë e tyre, kur ua lavdëron: “Oh sa qen i bukur!” “Si qenka, si shpirt!”, “Sa sy të zgjuar që paska!”, “Sa ëmbël të shikon, o Zot!” etj., etj. A nuk të kujtohet, pra, thënia e lartpërmendur e Hugoit apo e Sokratit kur i dëgjon, sidomos zonjat e zonjushat, t’u thonë kafshëve të tyre të dashura: “Hajde, o yll i nënës”, “Lëpi një çikë nga akullorja e mamit!”, “Si fëmijë është, fle me mua çdo natë!”, etj., etj.

(Nuk po përmend këtu rastet psikopatologjike kur disa vejushave apo grave të divorcuara nuk u shkon më mendja për burrë me të blerë qenin e ëndrrave të tyre!). E di, në këtë çast, ndonjëri prej lexuesve të mi mund të hidhet e të thotë se si shumë e zgjata, prandaj po detyrohem t’i bie shkurt: Dashuria e madhe e një numri vazhdimisht në rritje shqiptarësh e, kryesisht, shqiptaresh për kafshët shtëpiake e sidomos për qentë, nuk po shfrytëzohet fare në kuadrin e fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit.

Tërë dy blloqet e mëdha politike po harxhojnë energji e kohë, por edhe para sidomos, veçanërisht të majtët, për të përpunuar ato kontingjente zgjedhësesh e zgjedhësish ende të pavendosur se për kë do të votojnë, madje analistët parashikojnë, mjerisht, edhe shitblerje votash. Kjo e fundit, pra shitblerja e votave, është moralisht e dënueshme, pa diskutim, por ajo mund të shmanget deri diku duke shfrytëzuar me shkathtësi dashurinë e madhe të shqiptarëve e sidomos të shqiptareve për kafshë shtëpiake si qeni e macja.

Militantët e të dy blloqeve mund dhe duhet urgjentisht të shkojnë derë më derë, familje më familje, të bisedojnë me qenshëtitësit e sidomos me qenshëtitëset në rrugë, sheshe, parqe e kudo gjetiu, t’u thonë se ajo parti, e tyrja dhe vetëm e tyrja, që do të fitojë në zgjedhjet e 21 qershorit, do t’u sigurojë qenve e maceve, peshqve e zogjve një të ardhme më të lumtur, sigurime shëndetësore dhe shoqërore, pensione invaliditeti, por edhe do t’i mbrojë nga dhuna fizike apo psikologjike që disa prej pronarëve të tyre mund të ushtrojnë sadopak kundër kafshëve të pambrojtura që ende nuk gëzojnë të drejtën e organizimit në sindikata, shoqata e grupime të shoqërisë civile, të drejtë që do t’ua garantojë me kushtetutë partia fitimtare në zgjedhjet e të dielës së ardhshme.

Në fund të fundit, përse të mos u njihet qenve e maceve, peshqve e zogjve e drejta e votës? Kjo do të ishte një fitore e madhe për kafshët që Hugoi apo Sokrati, pasi i kishin njohur njerëzit, i donin përherë e më shumë. A nuk përdorim ne, njerëzit, shprehje që u ngjajnë lehjeve dhe mjaullimave të kafshëve tona më të dashura? A nuk kryejmë edhe ne, njerëzit, veprime të denja për kafshët shtëpiake, madje, fatkeqësisht, edhe për kafshët më të egra? A nuk kafshojmë, shqyejmë dhe tërbohemi ne si ato, madje edhe më keq se ato, sepse i kryejmë këto veprime brenda llojit tonë të paparë homo albanicus?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura