Njëra dorë lan tjetrën, të dyja fytyrën e Shqipërisë

Jul 22, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE
Mentor Nazarko
Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

Votimi i sotëm i reformës për drejtësi ishte kurorëzim i një procesi historik që zgjati mbi një vit e gjysmë. Si po duket nga votat unanime pro saj si kurrë më parë, reforma vuri në provë brenda dhe jashtë vendit disa faktorë.

Ajo vuri në provë soliditetin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma testoi aftësitë e shoqërisë civile për të mbështetur procese historike si ky, duke i kuptuar dhe zbërthyer më parë për opinionin e gjerë dhe duke e mobilizuar atë pro dhe kundra. Ajo testoi dhe soliditetin e koalicionit qeverisës dhe rolin e LSI-së.

U dëshmua përfundimisht forca komanduese e ish-kryeministrit Berisha dhe roli i kryetarit të PD-së, Basha, midis Shilës së Berishës dhe Karidës së perëndimorëve. Opozita arriti të ekuilibronte deri diku institucionet e reja të drejtësisë, diçka që e bën kontrollin e tyre edhe më të vështirë dhe për të kur të vijë nesër në pushtet.

Më në fund, u testua faktori më i rëndësishëm, bashkësia perëndimore. U kuptua qartë dhe nga të paditurit sesa seriozisht e ka kjo bashkësi misionin e vet për të ndërtuar në Shqipëri një shtet funksional, anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE. U testua serioziteti me të cilin reforma ishte konceptuar nga bashkësia perëndimore, e angazhuar deri në fund në nivel të lartë për përmbushjen e saj.

Po e nisim me rezultatin e vënies në provë të soliditetit të sistemit të drejtësisë në vend. Realisht trupa e drejtësisë në Shqipëri do të duhej të ishte përfshirë zëshëm dhe pse jo të kundërshtonte apo të mbështeste këtë reformë edhe në këtë fazë, pavarësisht se Kushtetuta i imponon kushtëzime kësaj trupe. Kjo reformë e pazakontë në Europë, duke prekur Kushtetutën, duke kufizuar një sërë garancish në të drejtat e kësaj trupe në kufijtë e konventave europiane dhe ndërkombëtare, mund të provokonte kundërshtime grupesh, apo organizimesh ad hoc të saj.

Ajo mund të provokonte pozicionime të fuqishme dhe në favor të reformës prej individëve brenda kësaj trupe, apo aspirantëve për t’u përfshirë në të, të cilët më në fund po shohin mundësi reale të qarkullimit të elitave të drejtësisë, masivisht të korruptuara.

Në vend të angazhimit të vet të zëshëm kundër reformës, pjesa dërrmuese e kësaj trupe, tërësisht në favor të statuskuosë, pra kundër reformës, zgjodhi të përfaqësohej nga opozita apo pjesë të shumicës parlamentare, duke treguar deri në fund politizimin e saj, lidhjet transversale jo gjithmonë të pastra me politikën dhe më në fund mungesën e trimërisë së saj.

Reforma testoi dhe shoqërinë civile, mediat, opinionbërësit kryesorë, të cilët të rreshtuar në llogore simpatie personale apo politike, e interpretuan atë vetëm e vetëm si luftë për pushtet dhe jo si reformë modernizuese, si revolucion në marrëdhëniet institucionale të shtetit shqiptar.

Kësisoj ata nuk mobilizuan asnjë lloj fronti kundër reformës, duke lënë të paprekur fondin 90% të simpatisë popullore pro reformës. Reforma testoi dhe forcën e koalicionit qeverisës. Pavarësisht lëkundjes së fortë, të ushqyer nga një takticien i dorës së parë si Meta, i cili arriti të protagonizonte LSI-në dhe veten si faktor përcaktues në proceset jo thjesht politike të vendit, koalicioni nuk ngjan se rrezikohet deri në fund të mandatit.

PS-ja e udhëhoqi procesin në planin teknik nëpërmjet Fatmir Xhafës, i cili vendosi firmën e vet të pashlyeshme në të, por jo vetëm kaq. Në përgjithësi, PS-ja e merr meritën e realizimit të një reforme të paimagjinueshme as dhe nga më optimistët brenda saj, dhe me gjasë do ta çojë mandatin deri në fund.

Nuk shikohet se çfarë do të fitojë LSI-ja nga rrëzimi i qeverisë në më pak se një vit nga zgjedhjet normale. Do të regjistrohej si parti që prish marrëveshje; do të shkëpuste nga pushteti për një kohë relativisht të gjatë njerëzit e vet dhe do të humbte përfundimisht moralitetin e saj si parti që kërcen nga njëri tren te tjetri. Reforma në drejtësi nuk ishte në të vërtetë rast i mirë për të kapërcyer ylberin, por thjesht për të bërë presionin maksimal PS-së.

Për të maksimizuar presionin, Metës iu desh të shpikte maksimën: ne si LSI votojmë, por nëse arrihet konsensusi me PD-në! Kësisoj ajo mbajti në ndonjë rast pozicione të çuditshme: paradoksalisht LSI-ja thoshte se ne votojmë pro, pasi të votojë PD-ja. Në shërbim të maksimizimit të presionit të LSI-së mbi PS-në, shumë politikanë në PD, parti të vogla, brenda disidentëve të PS-së, u ndjenë prej fabulave të portaleve, thashethemnajave të përhapura me skema tradicionale, si ministra, kryeministra për disa orë, kënaqësi që me gjasë do t’u tretet shumë shpejt.

Reforma tregoi se PD-ja vazhdon të komandohet fuqimisht nga ish-kryeministri Berisha, i cili, megjithatë, nuk guxoi ta kundërshtonte atë në vetë të parë, kur Perëndimi shfaqi vendosmërisht dhe publikisht kartat e veta të presionit. Basha pati kështu detyrë të vështirë: atij iu desh të zgjedhonte me gjuhë formale në mënyrë politikisht korrekte argumentet e Berishës, diçka që jo gjithmonë ishte e mundur.

Ai arriti njëfarë suksesi propagandistik, kur gjeti njëlloj të çare në frontin perëndimor, duke mobilizuar pro vetes disa zëra në gjirin e partive popullore të Europës, e pjesërisht dhe komisionerin Hahn. Këto zëra i shpëtuan atij nderin e cenuar prej zigzageve dhe tërheqjes së fundit në planin e brendshëm dhe vendin e kryetarit të PD-së, pavarësisht silurave që mori prej perëndimorëve.

Reforma që do të krijojë institucione të forta brenda sistemit të drejtësisë, që do të mundësojnë pastrimin e këtij sistemi, që do të nxisin dinamika të fuqishme ndërrimi brezor, por jo vetëm brenda tij, nuk do ishte e pamundur pa ndihmën e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Përralla e sovranitetit nuk funksionon më: nëse shtetet vendosin të japin sovranitet në ushtri, nuk shihet se pse nuk duhet të japin në drejtësi. Edhe drejtësia mund të ndërkombëtarizohet dhe ky është kuptimi i të ashtuquajturit operacion ndërkombëtar monitorimi që do të realizojë pastrimin e drejtësisë, apo vetingun e saj.

U kuptua qartë se sa seriozë ishin amerikanët, veçanërisht me mekanizmat e tyre të presionit dhe se sa frikë i kanë politikanët tanë sovranistë këto mekanizma, që kur reforma u votua me unanimitet absolut. Druri ka dalë nga xheneti, edhe kur ai është dru ndërkombëtar, d.m.th. druri i mikut tonë më të madh!

Nuk shihet ndërkohë se si perëndimorët e investuar fuqishëm në Reformën për Drejtësi do të toleronin destabilizimin e krijuar nëpërmjet rënies së qeverisë menjëherë, apo krahas saj. Më kollaj ata mund të mbështesnin një qeveri me bazë të gjerë, sesa një përmbysje të qeverisë. Prej ndryshimit rrënjësor të drejtësisë, pastrimit të saj, mund të fillojë ndryshimi rrënjësor i sistemit politik, pastrimi i tij.

Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën. Me fytyrën e pastër, Shqipëria prej kësaj reforme mund të ecë shumë më shpejt në afrimin me familjen e shteteve normale perëndimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura