Një zgjidhje ekonomike për Kukësin

Apr 6, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Çfarë e pengon më së shumti zhvillimin e një vendi? Varfëria dhe mbi të gjitha pamundë- sia për të përkthyer rishpërndarjen e mirëqenies në të gjithë shoqërinë. Unë jam i bindur që protesta e 31 marsit në “Rrugën e Kombit” nuk kishte të bënte me koncesionimin dhe as me pakënaqësitë personale ndaj Kryeministrit. Nuk ishte e lidhur as me një aksion të fshehur opozitar apo skenar flakëvënës të Partisë Demokratike. Ajo ishte një protestë totalisht kuksiane.

Për të kuptuar arsyet e asaj proteste, mjafton të hedhësh sytë në të dhënat statistikore të Shqipërisë, si dhe në raportimet apo analizat që bëhen mbi këta numra. Ekzistojnë tri arsye se pse Kukësi është i justifikuar, jo në aktet e dhunës, por në revoltën e kobshme që ka ndaj pushtetit ekzekutiv të Shqipërisë. Së pari duhet të përmendim situatën infrastrukturore në aspektin e përballimit të kushteve të vështira të motit. Në pothuajse tre muaj të vitit, Kukësi gjendet nën reshjet e dëborës dhe pothuajse i bllokuar për të komunikuar me pjesën tjetër të Shqipërisë apo Kosovës.

Kukësi karakterizohet, sipas të dhënave të shoqatës së ndërtuesve, nga pallate dhe ndërtime të vjetra, përmban një koeficient prej rreth 8% të ndërtesave që gëzojnë termoizolim dhe mbulohet në pothuajse 100% nga ngrohja me dru. Kukësi, si pasojë e motit dhe jo vetëm, përfaqë- son qarkun me ndërprerjet më të shpeshta të energjisë në raport me totalin e furnizimit vjetor përballë qyteteve të tjera.

Kukësi përmban vetëm 35% rrugë të ndërtuara dhe me standarde përballë potencialit dhe arterieve të asfaltit që i nevojiten. Së dyti, duhet të konsiderojmë faktin se pret, apo tërheq, pjesën më të vogël të kapitalit financiar në Shqipëri. krahasuar me qytetet e tjera. Në vitin 2017, sipas INSTAT, në Kukës u regjistrua vetëm 1% e totalit të lejeve të ndërtimit të dhëna në të gjithë republikën.

Ndërkohë që veriu i Shqipërisë është rajoni më Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë më të ulët në vend, Kukësi ndodhet në vend të fundit të këtij fundi të paralajmëruar. E dini se në Kukës, ndërmjet vitit 2016 dhe 2017, ky tregues është ulur dhe ka arritur në 318 mijë lekë, ndërkohë që mesatarja e Shqipërisë është rreth 410 mijë lekë për frymë? Edhe shifrat e punësimit, të cilat u publikuan së fundmi nga qeveria tregonin pikërisht se Kukësi ishte i parafundit në Shqipëri kur vinte fjala për punësime të reja me vetëm 47 persona. Kukësi është aq i varfër sa edhe çregjistrimet e bizneseve ishin më të ulëtat në rang vendi sepse aq pak sipërmarrje operojnë atje.

Për vitin 2017, Kukësi ka regjistruar numrin më të ulët të bizneseve pasive në Shqipëri. Duket se atje as biznese të falimentuara nuk ka, e jo më aktive dhe performante. Së treti, qëndron arsyeja njerëzore,. e cila në mos shkak, patjetër që është pasojë. Prej pothuajse një dekade, Kukësi është qyteti me numrin më të lartë të të larguarve, në kontekstin e migrimit të brendshëm po ashtu dhe në atë të emigrimit të jashtëm. Kukësi arrin deri aty sa për tremujorin e tretë të vitit 2017, regjistroi numrin më të ulët të vdekjeve dhe kjo për asnjë arsye fiziologjike se sa numri absolut i popullsisë. Sipas përllogaritjeve të instituteve demografike, nëse do të vazhdojë ky trend largimesh, Kukësi do të boshatiset brenda dy dekadave.

Vetëm 20 vjet! A mjaftojnë këto arsye për të dobësuar, varfëruar dhe më pas irrituar një popullsi? Sigurisht që po. Dhe kjo revoltë do të kishte ndodhur herët a vonë me çfarëdo ngjarje që ia rëndonte akoma më shumë jetesën këtyre banorëve të zonës urbane apo asaj rurale. Por cilat janë mundësitë e zgjidhjes së kësaj bërthame toksike përtej arrestimeve apo thjesht uljes së tarifës së pagesës në Rrugën e Kombit? Greqishtja e lashtë na mëson se fjala krizë nuk do të thotë vetëm tronditje, por dhe mundësi. Mendoj se qeveria shqiptare ka një shans të artë për të dalë më e përgatitur dhe mbi të gjitha e qartë nga një krizë si kjo e protestës së komunitetit kuksian në Rrugën e Kombit.

Është imperative që nga ky moment, vëmendja politike, kapitale, njerëzore dhe ekzekutive, të përqendrohet në zonat e varfra të Shqipërisë, ku Kukësi përbën etalonin. Aktualisht, nën udhëheqjen e Kryeministrit, po ndërtohet programi i ri kombëtar i punë- simit. Arsyet pse duhet një program i ri lidhen me eficiencën e këtij që po lëmë pas. A do të ishte një zgjidhje nëse një pjesë e domosdoshmërisë së lidhjes mes kërkesave të tregut dhe plotësimit të tyre nga punëmarrësit të merrnin në konsideratë gjendjen e forcës punëtore në Kukës?

Pra, përtej mesatares kombëtare, a do të ishte më e volitshme që qeveria të merrte veçanërisht në konsideratë kualifikimin specifik të banorëve të Kukësit? Më tej, duke konsideruar peshën e lehtë për buxhetin e shtetit, a do të ishte më mirë nëse do të orientonte një pjesë të ndërtimit të stabilimenteve të reja prodhuese, fabrikave, që të hapeshin në Kukës duke i ofruar incentiva njësoj si stili i hoteleve me 5 yje? A do të ishte një zgjidhje sikur një pjesë e ndjeshme, por gjithsesi proporcionale e investimeve publike, të shkonte në Bashkinë Kukës? Çfarë do të ndodhte nëse programi “100 fshatra”, i nisur nga Ministria e Bujqësisë të modifikohej dhe do t’u jepte më shumë vëmendje zonave rurale pikërisht të Kukësit?

Çfarë mund të themi për incentivat financiare drejtuar banorëve të Kukësit kundrejt lindjeve të reja? Pra, një fëmijë i lindur më shumë atje jo vetëm do të ndihmonte monetarisht familjen nga shteti shqiptar, por do të luftonte dhe pasojat e emigracionit. Cili do të ishte qëndrimi i familjeve kuksiane nëse pikërisht ata do të kishin akses më të zgjeruar dhe një lloj avantazhi pikëzimi në fondet e skemës së mbështetjes rurale? Çfarë impakti do të kishte nëse një pjesë e institucioneve publike, ato me shpeshtësi të ulët frekuentimi, të zhvendoseshin në Kukës?

Ekzistojnë me mijëra zgjidhje për të rijetësuar një zonë gjeografike, për më tepër aq e vogël sa ajo e Kukësit. Unë do të kisha dashur që pikërisht ky të ishte reagimi i qeverisë shqiptare. Të kuptonte shkaqet e vërteta të një revolte serioze për një arsye aspak serioze. Të lexonte me vëmendje statistikat dhe t’i përgjigjej me politika publike si dhe akte ekzekutive, një alarmi që ka vite që bie.

Kukësi nuk kërkon as zgjidhje politike, as arrestime në masë, as mbështetjen e opozitës dhe akoma më pak heqjen e tarifës së Rrugës së Kombit. Kukësi ka nevojë për dinjitet financiar. Pa një orientim konkret të frymës zhvillimore të një shteti në bashkëpunim me sektorin privat, zona si Kukësi, Dibra apo Gjirokastra, do të vazhdojnë të ngrenë zërin e ndonjëherë dhe dorën. Statistikat nuk janë thjesht numra, janë pasqyra më e ftohtë e realitetit. Kukësi kishte vite që shfaqej dhimbshëm në statistika, por asgjë nuk ndryshoi. Dhuna nuk është zgjidhje dhe asnjëherë nuk do të jetë. Por këtë herë duket se nuk kishte mbetur më asnjë mundësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura