Një zë shqiptar mbi të ardhmen e diplomacisë ndërkombëtare

Feb 11, 2020 | 10:55
SHPËRNDAJE

ALFRED PAPUÇIU Alfred Papuçiu

Meqenëse për më shumë se 3 dekada jetoj në Gjenevë, autori i librit “Diplomacy & Promoting Democracy”, miku im, Harilla Goga, më njoftoi që fillimisht të njihesha me librin online, në faqen e www.amazon.com. Megjithëse disa nga studimet e tij ishin botuar tashmë në median kryesisht ndërkombëtare, fillova ta shfletoj librin me një kërshëri të veçantë, sepse edhe nëntitulli “Understanding the World of Tomorrow” më intrigoi edhe më shumë. Pavarësisht botimeve të tij të shumta në këtë fushë, mendimi im paraprak ishte se diplomati i karrierës, Goga, kishte marrë përsipër një barrë të madhe, duke guxuar të trajtojë, analizojë dhe parashikojë spektrin kaq kompleks të marrëdhënieve ndërkombëtare, me fokus diplomacinë dhe demokracinë….

Pa marrë përsipër se mund të bëj një zbërthim të plotë të përmbajtjes së 11 kapitujve ose studimeve të librit (8 në anglisht dhe 3 në frëngjisht), nga pikëpamja metodologjike unë do ta ndaja librin në tri grupe temash:

E para – trajtimi dhe analiza e interesave të shteteve në rrafshin ndërkombëtar, politika dhe diplomacia e fuqive të mëdha perëndimore, për të promovuar demokracinë, mes përplasjeve të vlerave demokratike, brenda dhe mes tyre, duke përforcuar tezën se “demokracia vetëkorrigjohet”. Përfundimet e autorit rreth kësaj teme përfshihen p.sh. në “Current Clashes in the World”, “Challenges for International Organization”, apo “West and Russia – a major security pillar of our World”;

E dyta – mbështetur në teoritë e sotme të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, autori arrin në përfundimin se sistemi ndërkombëtar dhe vetë diplomacia, dy dhe shumëpalëshe, duket se lëviz shumë ngadalë drejt së ardhmes së përbashkët dhe në një botë gjithmonë e më globale. Shkaqet duhen kërkuar në “Poverty of ideas”, mungesës së teorive dhe qasjeve të reja. Kapitulli “Failure of ideas and not failure of political establishment” përbën ndoshta sintezën edhe të disa kapitujve të tjerë, si ai mbi “Mondialisation et diplomatie” apo “Promoting versus imposing democracy”;

E treta dhe më e rëndësishmja – Dr. Harilla Goga shfaq aty ambicien jo vetëm të analizojë, të japë ide, por edhe të ofrojë koncepte që mua më duken të reja, në spektrin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë mes shteteve, të cilat mund të jenë si “guiding principles” në negociatat në nivel qeverish në rajon dhe më gjerë. Të tillë janë: Prevalimi i “common interests over the national interests”, rikonceptimi i politikës së “Balance of power policy”, duke i lënë vend gradualisht asaj të “Common interest policy”, apo koncepti i grup-rajoneve në formën e organizatave rajonale dhe të vetë OKB-së si “qeveri botërore”. Për këtë të fundit, autori paraqet një seri propozimesh, bazuar te të cilat mund të kemi “negotiations outcomes” etj

E katërta – ka të bëjë me një qasje të re të standardit të demokracisë si dhe të bazës, ku mbështeten politikat dhe diplomacia e shteteve në marrëdhëniet mes tyre: kjo është kultura me në qendër karakterin e një komuniteti apo kombi a rajoni, nën një këndvështrim historik interesant. Kjo qasje e re del në pah në disa kapituj, por veçanërisht në atë mbi “Quatre lessons tirees de la crise greque” /Katër mësime të nxjerra nga kriza greke/. Nën këtë qasje, autori këtu nis analizën duke dhënë shkaqet e gjendjes, bashkë me idetë e tij për trajtën e ardhshme të diplomacisë dhe të vetë sistemit shumëpalësh.

Në fund, doja që t’i përgjigjesha edhe një pyetjeje hipotetike të lexuesit: Ku është Shqipëria aty? Megjithëse tematikat janë tërësisht ndërkombëtare, përfshirë ato rajonale dhe Bashkimi Europian, Shqipëria nënkuptohet si pjesë e së tërës, p.sh. kur analizohet kriza greke, integrimi në BE, roli i NATO-s, roli në OKB etj., dhe më shumë mendoj se vendi ynë është tërësisht pjesë, kur autori parashikon parimet e negociatave, të çfarëdo çështjeje dhe niveli që ato mund të jenë. Mendoj këtu duhet shtuar se idetë dhe qasjet e reja të ofruara, ndoshta për herë të parë, nga një autor shqiptar, mund të shërbejnë sadopak në ndërtimin e platformave të diplomacisë dhe marrëdhënieve tona ndërkombëtare.

Mbase ka edhe më tepër për të thënë në këtë libër interesant dhe se ndoshta do t’i kthehem përsëri atij, pasi të kem feedback edhe nga lexues prej vendeve të ndryshme të rajonit apo botës. Megjithatë, dëshiroj t’i ofroj lexuesit edhe disa nga përfundimet e autorit mbi spektrin e ardhshëm të diplomacisë ndërkombëtare:

1- Sistemi Ndërkombëtar me OKB-në në krye, tashmë ka qenë në nevojë ndryshimi për disa dekada…Pse? Thjesht për shkak të faktit se vetë realiteti është në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe në disa fusha është sistemi që kërkon të ndikojë në ndryshimin e realitetit në mënyrë që të përshtatet me realitetet e reja. Nëse sistemi qëndron “stoik”, krizat do të vijnë patjetër.

2- Situata dhe problemet e shumta në vende të ndryshme, veçanërisht ato në demokracitë perëndimore, së bashku me menaxhimin kompleks ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërshtetërore, tregojnë se janë pikërisht këto ide dhe teori të reja që mund të prodhojnë politika, të cilat mund të përballojnë sfidat sociale të brendshme dhe të jashtme dhe riorientojnë institucionet politike drejt zbatimit të politikave të përshtatshme.

3- Nga mënyra sesi kriza është dhe do të trajtohet do të nisë një epokë e re për njeriun ballkanik, ose ai do t’i rikthehet historisë së tij të trishtueshme. Kjo do të varet nga shumë faktorë që lidhen me kulturën ballkanike, por edhe nga përgjegjësia e politikanëve dhe shoqërive në rajonin e Ballkanit në dekadat e ardhshme.

4- Kur është zgjedhur, është establishmenti politik dhe përgjegjshmëria e tij për të bërë hapa të mëtejshëm përpara, drejt integrimit në BE. Në nivel ballkanik, qëllimi i tij duhet të jetë kryesisht forcimi i integrimit në vend, nëpërmjet përmbushjes së kritereve se sa të garojnë kundër njëri-tjetrit, se kush do të merrte më parë statusin e anëtarësimit në BE.

5- Nëse ndërtojmë hierarkinë e këtyre koncepteve, përmes historisë dhe të ardhmes së njerëzimit, mund t’i rendisim ato si më poshtë: Së pari, interesat kombëtare, si qëllimi kryesor i shteteve në sjelljet e tyre dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në radhë të dytë, një pozicion win-win, si rezultat i veprimeve të shteteve për ruajtjen dhe zhvillimin e paqes. Së treti, interesat e përbashkëta duhet të udhëhiqen ose frymëzohen nga politika e interesave të përbashkëta.

6- “Përplasja” midis politikës së balancës së fuqive (Balance of power policy) dhe politikës së interesave të përbashkëta (Common interests policy) ka filluar dhe ajo vazhdon rrugën e saj përpara. Është kjo dyta që do t’i përkasë të ardhmes së marrëdhënieve dhe diplomacisë ndërkombëtare. Vetë fenomeni Brexit ose të tjerë si ky që mund të ndodhin në botë, mund të vëzhgohen si “ndalesë e momentit”, që për rastin e Britanisë së Madhe, në terma të së ardhmes, jo shumë të largët, do të rezultojë në dy opsione: ose Britania e Madhe do të kthehet në shtëpi (në BE), ose gradualisht do të humbasë ndikimet e saj rajonale dhe botërore, për shkak të faktorëve të brendshëm ndarës. Kështu, politika e interesit të përbashkët do të jetë fituese në të ardhmen, duke pasur një përgjegjësi të domosdoshme të angazhuar politike, së bashku me përpjekjet kolektive të forta dhe të vetëdijshme të studiuesve, intelektualëve, mediave dhe shoqërisë civile në të gjithë botën.

7- Kultura buron dhe formon karakterin e Politikës; politika përcakton karakterin e diplomacisë dhe kjo e fundit është në shërbimin e politikave. Sidoqoftë, diplomacia ka luksin të jetë mekanizmi i vetëm që ndërsa mbron dhe zhvillon interesat politike kombëtare, gjithashtu do të mbajë edhe urat e bashkëpunimit dhe do të kërkojë pa u lodhur mënyra të reja për paqen dhe prosperitetin, duke përdorur koncepte të reja në negociata të bazuara në multilateralizëm.

8- A është e mundur të kesh një qasje tjetër përballë Rusisë? Sipas mendimit tim, edhe nëse institucionet e tanishme politike nga të dyja palët do të përpiqeshin të mbanin status quonë për një kohë të gjatë, ato përsëri do të ndryshonin për shkak të elementeve “të brendshme”. Këto do të vazhdojnë rrugën e tyre, që çon në një siguri gjithëpërfshirëse, ku interesat e përbashkëta do të konvergojnë në sigurinë e shtëpisë tonë- botës.

9- Nëse diplomacia ndërkombëtare e shteteve do të bazohet në qasjet e reja të karakterit të përbashkët si prevalencë dhe nëse shoqëria do të përballojë katër supersfidat e shekullit 21: shpëtimi i planetit nga ndryshimi i klimës, zotërimi i plotë nga njeriu i inteligjencës artificiale, avancimi i programit global të zvogëlimit të hendekut socio-ekonomik midis vendeve të pasura dhe të varfra, bashkë me arritjen e një shpërndarjeje më të drejtë të të ardhurave në nivelin kombëtar, atëherë do të shohim një botë të një forme tjetër në dekadat në vazhdim. A do të ishte më e sigurt? Ndoshta po, nën ombrellën e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

*Dr. Harilla Goga është një diplomat shqiptar karriere, me më shumë se 30 vjet përvojë. Ai ka pasur detyra dhe pozicione të ndryshme në Ministrinë shqiptare të Punëve Europiane dhe të Jashtme. Ai gjithashtu ka qenë në ambasadat shqiptare dhe misionet e përhershme, në vende si Brukseli, Kopenhagë dhe Gjenevë. Dr. Goga gjithashtu ka qenë dhe mbetet shumë aktiv në kryerjen dhe botimin e hulumtimeve, studimeve dhe analizave, në lidhje me marrëdhëniet shumëpalëshe dhe diplomacinë në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar. Libri i tij i fundit, “Diplomacia dhe promovimi i demokracisë”, vjen pas botimeve të mëparshme të autorit : “Diplomati”, “Komuniteti Europian TPE”, “Njohuri mbi Bashkimin Europian” (bashkautorë), “Shqipëria mes zhvillimeve të sotme ndërkombëtare: Analiza dhe përfundime”, “Unë dhe Ti në Shoqërinë Shqiptare”. Libri gjendet tanimë në librarinë “Adrion”, si dhe mund të porositet në “Amazon”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura