Një vizitë në shtëpinë e Albanos, këngëtarit që hynte “fshehur” në Shqipëri

SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI/ I ndodhur për një event familjar në Pulia, propozimin dhe idenë për një vizitë të shpejtë te rezidenca e Albanos në Celino San Marco ma nxiti një miku im i vjetër italian.

Nuk kisha qenë asnjëherë, por një informacion për projektin, qëllimin dhe ndërtimin e asaj qyteze të vogël e pata ndjekur nga rrëfimi i vetë këngëtarit të njohur në televizion, si dhe librat e Zenepe Lukës. Ndaj nuk hezitova. Por, udhëtimi dhe qëndrimi disa orësh në “Tenuta Carrisi”, ishte më shumë se një befasi e këndshme…

ulvi

NË POLINJANON E MODUNJOS

E dija që Domeniko Modunjo, kishte lindur në Polinjano. Një qytet i vogël kur zbret në jug, buzë detit afër Brindisit, me histori të epokave para Lindjes së Krishtit, e që të ofron pamje të rralla, ndërtime shkëmbore, shpellat në ujë deri edhe restorant brenda tyre. Por, ajo që të befason, padyshim është busti i Domeniko Modunjos, i vendosur në një shesh përgjatë Lungomares, që nga lart bashkë me statujën dhe me ngjyrën blu të detit krijon një sfond të jashtëzakonshëm.

Protagonist televiziv, i teatrove, radios, kinemasë si aktor në 45 filma, Modunjo është fitues i katër Sanremo-ve. I konsideruar babai i kantautorëve italianë, me mbi 230 këngë të kompozuara, ndër të cilat “Nel Blu dipinto di blu”, e njohur si “Volare”, e interpretuar në 20 gjuhë, me një rekord mbi 22 milionë disqe të shituara në gjithë botën, madje vlerësohet si kënga më e famshme italiane nga viti 1958 deri më sot.

I lindur më 1928- n, ishte pikërisht qyteti i lindjes që Modunjo zgjodhi të jepte në vitin 1993 koncertin e fundit të karrierës, i ndjekur nga 70 000 persona (Ndarë nga jeta me 6 gusht 1994 nga një atak kardiak). Busti i ideuar dhe realizuar nga skulptori bashkëkohor argjentinas Hermann Mejer, u përurua më 31 maj të vitit 2009 dhe është 3 metra e lartë në bronz.

ulvi1

Artisti e ka fantazuar statujën me duart e hapura, sigurisht i influencuar nga kënga “Volare”. Përreth statujës ka shumë turistë, vizitorë italianë e të huaj, që me celularë apo aparate fotografikë realizojnë foto, duke qëndruar edhe në bazamentin e saj. Kur je pranë atij busti, përveç faktit që të kujton Modunjon, simbolin e muzikës, dashurisë, teksteve të këngëve, por për ne shqiptarët ka edhe një detaj më shumë: Filmin “Takim në Iskja”, i ndjekur rreth viteve ’65, në kinematë e kryeqytetit me Antoneta Lualdin e Modunjon në rolet kryesore dhe këngët e tij që shoqërojnë gjithë filmin.

Një tjetër “zbulim” është kafeja “speciale”, një përzierje e ekspresit që e bën gjithashtu të njohur Polinjanon. Ndërsa largohem, duke lënë pas Modunjon, rikthehem te personalitet e artit, sportit shqiptar, kryesisht për ata që nuk jetojnë. Na mungon një e tillë për Vaçe Zelën në Lushnjë, vendlindjen e saj, ose Qemal Kërtushën etj., simbole të muzikës sonë të lehtë, njohjeve, dashurive, po kështu të Loro Boriçit, Panajot Panos, me një kontribut të madh artistiko-sportiv. Pa bërë asnjë krahasim, por të tillë janë edhe ato të “El Rey del Rock”, Elvis Presly në vendlindje në Graceland (Memfis), apo Merilyn Monroe, ylli i kinematografisë amerikane, etj..

al

DREJT SAN MARKO CELINO, TOKË E BEKUAR, DET E DIELL, VRESHTA DHE ULLINJ SHEKULLORË.

Largohem nga Polinjano, duke lënë pas detin dhe jemi futur në thellësi për nga perëndimi i “takës së çizmes italiane”, drejt Celino San Markos, një komunë e vogël midis Brindisit, me pak banorë. Rrugë automobilistike jo të gjera, me tabela orientuese që të shoqërojnë. Janë qytete me distanca të afërta dhe vetëm kur je përballë hyrjes ku shkruhet “Tenuta Carrisi” e kupton se ke mbërritur.

I gjithë ai territor, ku përfshihet kompleksi është pronë e tij, ndonëse jashtë mundësive dhe përtej impenjimeve profesionale, Albano angazhohet drejtpërdrejtë për më shumë se 30 vite për atë mjedis. I ndërtuar në zemër të Pulies, ku natyra akoma është e virgjër dhe ideale, e konsideruar një tokë e bekuar nga dielli e deti, midis vreshtave, ullinjve shekullorë, pak km nga deti Adriatik dhe ai Jon, ai terren krejtësisht fushor, ku gjithçka e sistemuar në mënyrë uniforme ka një organizim perfekt, me vizitorë të shumtë në çdo ditë pa ndërprerje dhe një personel i angazhuar t’i presë, t’i shoqërojë, e t’i përcjellë, duke krijuar një atmosferë mjaft mikpritëse.

“Kur Albano është në Itali, pjesën më të madhe të kohës e kalonte aty”, na thanë, “dhe banon në një shtëpi disa metra larg kompleksit”. Madje, kishte disa minuta që ishte larguar nga pishina. Aktiv, ai takon njerëzit, turistët, organizon takime me vizitorë, të njohur, zbret në San Marko, zakonisht në mbrëmje, për të biseduar me qytetarët, duke i konsideruar e vlerësuar të domosdoshme kontaktet me njerëzit e zonës, familjarët, fëmijët. Na ftuan edhe neve të ishim të pranishëm atë mbrëmje, por ishte e pamundur, pasi do largoheshim.

al1

HOTELI “FELICITA”, EDHE PËR MUAJIN E MJALTIT

Për ne shqiptarët, me këngët e Albanos jemi të lidhur në dekada dhe sapo kalon hyrjen e madhe, hap pas hapi të shoqëron një emocion pak ndryshe. Në një zyrë-sportel-informacioni, plot material e publicistikë, cd, video, të orienton për gjithçka. Përballë ndodhet pishina moderne, njerëz që argëtohen, një lokal dhe “Hotel Felicita”, i preferuar nga të sapomartuarit, në veçanti për të kaluar muajin e mjaltit. Pastaj futesh në brendësi të kompleksit i rrethuar me një mur të lartë, ndërsa ndërtesat janë një dhe dykatëshe dhe në një kënd të sheh syri edhe një kishë të vogël.

Kudo të shoqëron një gjelbërim me pemë, rrugica dhe nga të dyja krahët disa dyer të vogla me një strukturë karakteristike të traditës, me mbishkrimin “Jolanda”, emri i nënës dhe një numër mbi to. “Janë dhoma hoteli”, na informuan. Sigurisht që interes për t’i parë si pjesë të rezidencës ishin kantina e verës, dyqani tejet i frekuentuar, si dhe restoranti “Don Camelio”. Në një kënd ishte një foto gjigante e tij gjatë një koncerti në Rusi.

NGA BORSALINO E BARDHË, TE T-SHIRTI I DASHURISË

E fundit, por që shihet e para është punishtja e verës. Para hyrjes së saj janë vendosur dy foto të mëdha të Albanos me prindërit e tij. Vera ka qenë dhe mbetet një ndër pasionet e këngëtarit dhe kantina e tij të ofron shumëllojshmëri të kualitetit të lartë, të gjitha të markës “Carrisi”. Ka shumë kuriozë, që dëshirojnë të futen edhe brenda saj. Pastaj dyqani, apo “Enoteca” me souvenire, por jo me orar unik, pra, mbyllej në orën 13:30 për t’u hapur në 15:30.

Një mjedis i vogël ku gjen gjithçka që ka lidhje me Albanon, karrierën artistike të tij, por jo vetëm. CD me sukseset e së kaluarës, këngët e vjetra, por edhe regjistrimet e reja, me dhe pa Rominën, video, cover, bluza, T-shirt, etj.. Radhë te banaku, e të gjithë kanë në dorë kapelën e bardhë, që e simbolizon Albanon dhe askush nuk largohet pa e blerë e bërë foto me të. Pastaj kërkesa për llojet e ndryshme të verave, për vaj, raki, produkte të kantinës së tij. Mbi të gjitha, një T-shirt e zezë dhe mbi të teksti i një këngë të njohur: “Nessuno mai, nessuno piu, sara per me, quelli che eri tu…”. Njerëz që hyjnë e dalin me atë çfarë kanë blerë, të gjithë me një kalendar në dorë, pasi në largim shitësja të dhuron një të tillë.

al2

ME SHQIPTARË TË TJERË MIDIS LIBRAVE

Ndërsa po shikoja me kureshtje një instrument muzikor, më zuri veshi njerëz që flisnin shqip. U afrova, pikërisht te këndi ku qëndronin librat e botuara për jetën, historinë artistike, të Carrizit, nga “La mia Vita”, “L’amore per gli albanesi”, etj.. Kishin në dorë librin “Jeta ime”, të përkthyer nga Zenepe Luka, që ndodhej i vendosur në radhën e parë, që i kishte tërhequr vëmendjen një grupi me shqiptarë, e për të po diskutonin.

Ishin pasionantë dhe njohës të muzikës italiane, veçanërisht të Albanos. “Jemi nga Shkodra dhe kemi ardhur këtu nisur nga simpatia e nostalgjia për këngët e tij”, më informuan, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe pyetjes time kurioze. Në dorë mbanin edhe kapelën e tij. Pasi bëmë një foto, u ndamë, për t’u takuar në restorantin aty pranë.

TE “DON CAMELIO” DHE NJË GOTË “NOSTALGIA”

Hapej në orën 13:30 dhe ashtu qëndronte deri vonë. Kishte fluks, njerëz që prisnin te dera dhe tavolinat ishin të prenotuara, ndërsa neve na bënë një favor. Një lokal tipik, i ideuar me foto të Albanos me personalite, nga këngëtarë të njohur, qeveritarë, artistë, nga ato me prindërit, fëmijët, Rominën, Loredana Leccizon, me Kristiano Ronaldon, me Trudi e Armin Buhler, Silvia Toffanin, Bruno Vespën, Baudon, deri tek ato me Papën, si dhe një kitarë e vjetër, një instrument, vegla muzikore me vlerë artistike të vendosura në mur, dhurata nga miq e të njohur.

Gjatë gjithë kohës së qëndrimit, në sfond të shoqëronin këngët e tij. Pastaj verërat, që të ofronin, mbi të gjitha preferohej “Nostalgjia”, “Felicita”, pastaj “Mediterrano”, “Taras- Salento primitive”, “Don Carmelo”, si dhe “Grappa di luna”. “Mangiare e’ come ascolare una bella musica, cucinare e’ come fare la musica”, shkruhej në një kënd të restorantit.

BEFASIA ME FOTON E AHMET SHQARRIT

ahmet albano

Ndonëse i papërgatitur, krejt rastësi ta kesh në celular, por ishte vërtet befasi që krijoi një situatë kurioze, kur gjatë një komunikimi dhe bisede më stafin e restorantit, unë i tregova një foto që i befasoi. Shqipërinë e njohin shumë mirë, pasi Zenepe Luka ishte si e shtëpisë aty. Por, foto e Ahmet Shqarrit, radiokronistit të njohur sportiv, realizuar me Albanon, në vitin 1985, ishte e paparë për ta. E fiksuar kur ai erdhi për herë të parë në Shqipëri, zbriti në Sarandë, pastaj një vizitë pa zhurmë në Tiranë dhe kthimi në Gjirokastër, ku edhe janë takuar.

I ndodhur atje me Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, pasi e ka njohur në hollin e hotelit, Shqarri kujton: “I kërkova të bëja një intervistë, por pa mundur ta realizoja aty, të nesërmen jam nisur për në Ksamil, dhe atje e kam bërë, por për motive të kohës, të cilat dihen, ajo u transmetua me vonesë, kur këngëtari ishte larguar nga Shqipëria”, thotë Shqarri. Ishte pikërisht kjo foto e fiksuar gjatë intervistës, realizuar gati 35 vite më parë, që sigurisht, pati një efekt te personeli, pasi nuk e kishin në arkivin fotografik të tij.

Zenepe Luka: “Një koncert në Sarandë, aty ku e filloi”

Një tjetër befasi gjatë vizitës në Celino San Marco ishte njohja, miqësia që kishte publicistja e njohur Zenepe Luka me Albanon, me mjedisin e “Tenuta Carrisi”. Nuk e dija për përmasat kaq të thella të njohjes reciproke edhe pse vetë Zenepja më kishte treguar, dhuruar librat, por kur e prek nga afër atë realitet, e kupton.

Ajo ka qenë e pranishme për përvjetorët e ditëlindjeve, festa e ceremoni të ndryshme organizuar në Vlorë e San Marko, gjatë 35 viteve në tetë vizitat e Albanos në Shqipëri, krijimin e Shoqatës Kulturore “Albano e Romina Power”, miqësitë e tij me personalitete, artistët shqiptarë nga Gaz Mullai, te Gjebrea e të tjerë, busti i tij realizuar nga skulptori vlonjat S. Tena dhe i Rominës nga Z. Alizoti, medalja “Nënë Tereza” dhënë nga Bamir Topi, takimi i Presidentit Ilir Meta me këngëtarin majin e kaluar në 75-vjetorin e tij dhe marrja e shtetësisë shqiptare.

“Ashtu siç është shprehur Albano, ai dëshiron të vijë në fund të vitit dhe të japë një koncert në Sarandë, qyteti ku ka ‘lindur'”, thotë Luka, e cila ka botuar librin e saj më të fundit “Kjo dashuri e ka emrin Albano”, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, një promovim me praninë e vetë Albanos në Vlorë.

Kur Albano vinte “fshehurazi” në Tiranë

Ka qenë vjeshtë e vitit 1985, i ftuar nga RTVSH, nga Greqia fillimisht, ai ka ardhur në Tiranë, por pa zhurmë e bujë mediatike sepse e tillë ishte koha. Një miku im, Leo Gjermani, punonjës në foninë e Institutit të Lartë të Arteve, më njofton në telefon se rreth orës 7 të mbrëmjes, Albano do të shkonte në ILA, në një takim me studentë e pedagogë. Pak e dinin, vetëm ata që u njoftuan, të afërm, artistë, pedagogë e miq që mbushën sallën e koncerteve, ku ai erdhi bashkë me të ëmën dhe dekanen Zana Shuteriqi.

Jo më shumë se një orë ka vazhduar ai bashkëbisedim interesant e kurioz, e në fund me kërkesë të pranishmëve, i shoqëruar në piano nga Ferd Deda, këndoi dy apo tre këngë, gjithçka e improvizuar. “Jam i papërgatitur, do këndoj për ju, por shumë shpejt do të rikthehem me instrumentistët e mi”, u shpreh. Hezitonin ta pyesnin, pak flisnin italisht në ato vite, ndër të cilët Henrik Nikopli, shkodran, mjeshtër absolut i akordimit të pianove në Shqipëri, i cili i tha se “të kemi ndjekur gjatë gjithë kohës tonë”.

Kishte dorën e fashuar, “e kam dëmtuar duke punuar në vreshtën time”, na tha. Duke u larguar në mjedisin e sallës, korridoret e ILA, i rrethuar nga njerëz, dikush me një letër, një stilolaps për t’i marrë një autograf. Emocion i madh të ishe pranë tij. Unë kisha marrë dy foto, mbi të cilat ai shkroi firmën e tij. U largua për t’u rikthyer për të tretën herë, në shtator të ’89-s (e dyta në ’87-n), në koncertin e tij gjigant në “Qemal Stafa”, përballë një publiku, që për herë të parë ndiqte një eveniment të tillë, aq më shumë të një këngëtari të famshëm e të njohur italian si Albano bashkë me Rominën, dhe këngët e tyre nga “Felicita”, “Saranda” te “Liberta”.

UVIL ZAJMI

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.