Një vit sukses, studentët e ‘Luarasi’: “Diploma ime vlen!”

May 26, 2016 | 13:42
SHPËRNDAJE

Studentë e akademikë të Universitetit lider në Drejtësi dhe Ekonomi, “Luarasi”, zhvilluan takimin përmbyllës të një viti të suksesshëm akademik.

nevila

Me moton “Diploma ime vlen” studentët dëshmuan avantazhin e të studiuarit në këtë Universitet: punësimin e menjëhershëm në fund të shkollimit. E kush më mirë se studentët e dëshmojnë këtë? Kryetari i Këshillit Studentor, Agli Plaku, ishte ai që dha mesazhin e suksesit.

“Ka qenë një rrugë e gjatë – që pa ndihmën e profesorëve tanë do të ishte e pamundur- përpjekja për të ndjekur rrugën e ish-studentëve të Universitetit ‘Luarasi’, punësimi i të cilëve është dëshmia më e qartë e një historie suksesi”.

Me jo pak krenari për këtë fakt flet rektorja Nevila Xhindi, e cila përmend edhe shifra konkrete.

“Sipas një sondazhi që kemi bërë, vërejmë që studentët e ‘Luarasit’, rreth 82% e tyre, janë sot të punësuar dhe unë dua sot të them me zë të lartë: PO, diploma juaj vlen dhe ju mund të jeni pjesë e ndryshimit të këtij vendi! Më duhet t’ju falënderoj të gjithëve ju që keni qenë bashkudhëtarë në këtë vit e ma keni bërë punën kaq të lehtë e të bukur”.

I ftuar në takimin përmbyllës, ministri Blendi Klosi zgjodhi të mos lobonte për arsimin profesional, por për vlefshmërinë e diplomave universitare, që në rastin konkret përkthehen në vende pune.

“Pika e bisedës sonë sot është punësimi i të gjithë këtyre të rinjve që ofron Universiteti juaj. Në Shqipëri kemi shumë nevojë që të kthehemi te profesioni, kemi shumë nevojë që bisedat tona t’i zhvillojmë në bazë të kërkesave që na vijnë nga tregu i punës”, vuri në dukje Klosi.

Ministri u bëri thirrje studentëve të bëhen pjesë e administratës shtetërore, ndërsa i sugjeroi Universitetit hapjen e kolegjeve universitare.

luarasi

“Ftoj të rinjtë që janë në bachelor që, nëse duan të jenë pranë administratës publike shqiptare, por edhe të Kosovës, tashmë janë plot 3 mijë vende që ofrohen për ata që duan të kuptojnë se sa e lehtë apo e vështirë është të jesh pjesë e vendimmarrjes, të jesh pjesë e disa politikave që të edukojnë me një ritëm më të ngadaltë sesa biznesi, por me një perspektivë shumë të qartë në jetë. Unë do të vazhdoj të sugjeroj që universiteti ta shikojë mundësinë e hapjes së kolegjeve pasuniversitare”.

Një mesazh me vlerë për ata që janë në vitin e fundit të ciklit 3-vjeçar apo në master dha një ndër sipërmarrëset më të njohura në botë, Madi Sharma, CEO e “MADI Group”, e cila ndodhet në Shqipëri në javën e inovacionit.

“Ju nuk jeni e ardhmja, ju jeni e tashmja. Merrni përgjegjësitë, ju jeni të privilegjuar, ekstremisht me fat për mundësinë që keni për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Dilni jashtë, mësoni, por ju lutem kthehuni”.

Ndërsa drejtori i Yunus Social Busines Albania i këshilloi studentët të bëjnë vetë zgjedhjen e asaj çfarë dëshirojnë të bëjnë në jetë e të mos mendojnë thjesht të kenë një diplomë në xhep.

“Jemi në një universitet ku të gjithë ju shpresoj të dilni me nga një diplomë. Ajo është me shumë vlerë, por bëhet më e rëndësishme kur bashkë me të vijnë edhe aftësitë”.

Veç të tjerash, në fjalimin e tij Marku nxiti studentët të punësohen diku, por pse jo edhe të kthehen në punëdhënës, falë vënies në jetë të teorive të tyre të biznesit.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura