Një vit nga vdekja e Françesk Radit, Tefta: Jeta ka qenë tmerrësisht e vështirë pa të

Apr 4, 2018 | 11:31
SHPËRNDAJE

Dje, në përvjetorin e parë të vdekjes së kantautorit Françesk Radi, e gjithë dita i është kushtuar kujtimit të tij.

Ka nisur që në orët e para të mëngjesit kur familjarët, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, kanë përuruar një shtatore në nder të kujtimit, këngëve e rinisë së tij. Sa kohë ka kaluar aty kantautori, bashkë me miqtë e tij të rinisë, duke kënduar këngë të ndaluara nën zë e duke i rënë kitarës!? Pikërisht me këtë në mendje, i ulur në ca shkallë, është tashmë nga Kodrat e Liqenit Artificial, busti i Françesk Radit.

tefta-ranko

“Pranë Amfiteatrit te Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një shtatoreje kushtuar figurës së tij. Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh, ashtu si dikur”, ka thënë dje Tefta Radi. Busti është realizuar nga skulptori Ardian Pepa, me mbështetjen e familjarëve.

“Sot, në mungesë të tij, jam shumë e lumtur për nderimin që po i bëhet”, ka thënë Tefta Radi, ndërsa pasditen e djeshme ka pritur e përcjellë dhjetëra miq e të afërm të tyre, që erdhën në kinema “Millenium” për të parë dokumentarin “Jetë e trazuar” me skenar të Martin Lekës.

Karriget e sallës nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë, prandaj edhe radha e gjatë e njerëzve që kujtonin Françeskun, duke përqafuar Teftën, ishte e gjatë. Ajo i priti të gjithë, pa u lodhur, duke u përpjekur të qeshë, për ta kujtuar të shoqin, ashtu siç të tjerët kujtojnë gjithnjë ata të dy; kudo bashkë e gjithmonë të qeshur.

Në dokumentarin e realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar flitet për jetën e Françesk Radit, por jo vetëm. Përmes jetës së tij, vjen e gjithë koha, duke nisur që nga vitet ‘70-’80, kur nisi censura në artin shqiptar. “Jeta ka qenë e vështirë në këtë vit pa të, tmerrësisht e vështirë. Më mungon gjithçka e bukur.

Kujtimet janë kujtime dhe jeta është jetë, por ajo që më mungon, është gjithçka e bukur”, rrëfen zonja Radi.

Veliaj peruron bustin e Francesk Radit  (5)

Në dokumentarin “Jetë e trazuar”, ndër artistët që flasin janë: Robert Radoja, Bujar Kapexhiu, Josif Papagjoni, Sadik Bejko, Zhani Ciko etj.

Profesor Sadik Bejko është njohur me kantautorin kur ishte redaktor muzike në Radio Televizionin Shqiptar, asokohe Radi trokiti në dyert e RTSH-së për të provuar talentin e tij, për të regjistruar këngën “Adresa” (1971). Ishte një këngë, të cilën e kishte krijuar vetë. Tekstin e kishte shkruar moshatari i tij, Kastriot Gjini. Por, kantautori do të bëhej shumë i njohur edhe me këngët e tjera, që do t’i këndonte më vonë.

Profesor Sejko mendon se zëri i tij i veçantë ishte i pasur me tonalitete pak a shumë të muzikës moderne dhe asaj të lehtë, që anonin nga muzika italiane.

“Kujtoj se asokohe kishte një problem për të hyrë në radio. Thoshin se në timbrin e tij ka diçka nga Adriano Çelentano. Kjo nuk lejohej në atë kohë”, tregon Sejko.

Veliaj peruron bustin e Francesk Radit  (4)

Në Festivalin e 11-të në RTSH, Françesk Radi interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. Kjo ishte kënga hapëse në këtë festival. Tekstin e saj e ka shkruar profesor Sadik Bejko. Festivalin e hapi kjo këngë sepse kërkohej një këngë me tematikë.

“Ishte me tematikë, për arsye se trajtonte një temë ndërkombëtare. Atëherë, pothuajse e gjithë e majta botërore dhe Shqipëria shqetë- soheshin për luftën në Vietnam. Por, pavarësisht se nuk ishte këngë e ashpër, por ishte e butë dhe e angazhuar, u tha se kishte tone propagandistike. Lufta që bëhej në Vietnam shqetësonte edhe të rinjtë në Shqipëri. Kjo temë ishte gatigati në pohim me propagandën e kohës. Megjithatë, kënga u mor si shkas që Françesk Radi të shkonte për disa vite në Pukë”, ka treguar Sejko.

Përgjatë gjithë dokumentarit, ai që ka qenë më tepër i pranishëm, duke treguar copë- za të jetës së tij, ka qenë vetë Françesku, përmes regjistrimeve që i janë bërë ndër vite, në emisione të ndryshme televizive. Siç nuk e pati asnjëherë zakon, ai nuk u ankua në asnjë moment të këtyre rrëfimeve. Fliste vetëm për muzikën e tij të dashur, kitarën, skenën…

Ai vetë foli për këngët e tij sa të famshme, aq edhe të përfolura e të ndaluara nga regjimi, “Adresa” e “Biçikleta”, këngë që Françesku i riorkestroi e këndoi në liri, gjithmonë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura