Një vit nga largimi i Aleks Luarasit, homazh tek universiteti! Rektori Ruka: Emblemë urtësie! E kemi për detyrë të rrisim veprën e tij

Nov 26, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

aleks luarasiFamiljarë, miq e kolegë u mblodhën për të kujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të profesorit dhe studiuesit të shquar, Aleks Luarasi.

Profesori u nda nga jeta një vit më parë në moshën 80-vjeçare. Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mençurinë, pasionin dhe thjeshtësinë. Për rektorin e universitetit “Luarasi”, Ethem Rukën, profesor Aleks Luarasi ka qenë jo thjesht themelues i universitetit “Luarasi” rreth dy dekada më parë, por edhe një ikonë shpirtërore dhe intelektuale-akademike për studentët, profesorët dhe të gjithë ata që e njohën e që sot e kujtojnë me mall. “Unë jam i bindur që shpirti i tij është këtu sot bashkë me ne. Ka një vit që profesori është larguar. Na ka lënë të gjithëve një dhimbje të pashlyeshme dhe në konceptin tim profesori ishte një person i jashtëzakonshëm, një emblemë urtësie, mençurie, kthjelltësie, me një shpirt të pasur e një zemër të madhe. Ta kujtojmë sot profesorin me shumë mall.

Ne kemi për detyrë që veprën e profesorit ta rrisim me shumë dashuri dhe besoj se ia kemi arritur kësaj”, u shpreh Ruka. Pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë, të cilët u brumosën nga ai, me pronën intelektuale, por edhe me shpirtin e drejtësisë dhe të vërtetës, iu përulën duke e falënderuar për gjithë veprën që la pas. Ndër ta ishte ish-studentja e tij, më pas pedagogia e Drejtësisë pranë universitetit “Luarasi”, Blerina Shkurti. “Profesor Aleksi futet te njerëzit e rrallë.

Ai pa tek unë atë që unë nuk e shihja apo njihja te vetja. Jam falënderuese këtij burri të mençur e modest që ma hapi derën e rrugëtimit tim më të gjatë profesional”. “Meditime” ishte libri që profesor Luarasi e la të pabotuar pasi u nda nga jeta. Nën kujdesin e familjes dhe miqve e kolegëve, libri u promovua duke treguar sërish vlerat e jashtëzakonshme të profesorit si intelektual me vlera, i cili gjithë jetën e tij ua kushtoi studimeve të thelluara të historisë politike dhe juridike të kombit shqiptar.

Gjatë eventit u shfaq edhe dokumentari kushtuar jetës se tij, ku nuk munguan edhe mbresat nga bashkëpunëtorët e tij ndër vite. Aleks Luarasi ka qenë profesor i Historisë së Shtetit dhe të së Drejtës, ndërsa ka shkruar edhe shumë libra studimore. Në vitin 2018 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”.

Po ashtu, Luarasi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm pranë Kryeministrisë dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës nga viti 1992 deri në vitin 1998.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura