Një virus misterioz shkakton nervozizëm e panik tek kinezët. Nuk është sëmundja vdekjeprurëse SARS, po çfarë është?

Jan 6, 2020 | 14:17
SHPËRNDAJE

Autoritetet shëndetësore kineze nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë një lloj misterioz të pneumonisë që ka infektuar dhjetëra njerëz dhe që ka vënë në gatishmëri pjesën tjetër të Azisë.

Megjithëse kanë përjashtuar mundësinë e rikthimit të virusit vdekjeprurës të sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS).

Një total prej 59 personash janë prekur nga pneumonia virale e panjohur e raportuar në qytetin Wuhan. Ndërsa 7 pacientë raportohet se janë në gjendje kritike.

Të gjithë pacientët po trajtohen në karantinë dhe nuk është raportuar asnjë vdekje deri tani.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), simptomat e pneumonisë janë kryesisht ethe, ndërsa një numër pacientësh kanë vështirësi në frymëmarrje. Radiografitë e gjoksit tregojnë dëmtime të të dy mushkërive.

Penumonia u shfaq në fund të dhjetorit dhe shkaktoi frikë në Kinë për rishfaqjen e mundshme të SARS, një sëmundje akute e frymëmarrjes që raportua për herë të parë në vend në 2002 dhe shkaktoi pandemi që përshkoi edhe Azinë.

SARS u përhap në 37 vende të botës, infektoi më shumë se 8.000 njerëz dhe vrau 774 persona nga nëntori i vitit 2002 deri në korrik 2003.

Simptomat e saj përfshijnë ethe, kollë, dhimbje koke të rëndë, marramendje dhe simptoma të tjera të ngjashme me gripin.

Nëse nuk është SARS, atëherë për çfarë bëhet fjalë?

Sipas komisionit shëndetësor Wuhan, infeksioni shpërtheu midis 12 dhjetorit dhe 29 dhjetorit dhe disa prej pacientëve ishin të punësuar në një treg ushqimesh deti në qytet.

Mediat lokale raportojnë se në treg, i cili është mbyllur që nga 1 janari për dezinfektim, u shitën edhe kafshë të tjera të gjalla, përfshirë zogj, lepuj dhe gjarpërinj, duke shkaktuar shqetësime se virusi mund të ishte transmetuar tek njerëzit me anë të kafshëve.

Profesori David Hui Shu-cheong, një ekspert i frymëmarrjes në Chinese University të Hong Kongut, tha që ka shumë të ngjarë që shpërthimi të jetë shkaktuar nga një pneumoni virale krejt e re.

“Shqetësimi tani është nëse shitjet në treg ishinnjë nga arsyet e shpërthimit,”- tha ai për CNN.

Sipas Hui, shumë patogjenë të rinj janë transmetuar te njerëzit nga kafshët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura