Një vështrim ndryshe për “Bija e vjetër e nënës së re” të Preç Zogajt

Nov 16, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA

Capture

Nëse ndodh ta pyesin se ç’libër do të veçonte mes veprave të tij, në poezi e në prozë, Preç Zogaj rrëfen se do të qe novela “Bija e vjetër e nënës së re”, me të cilën lajmëron se do të gjendet për lexuesin në ditët e Panairit të Librit 2022. Është ndoshta ai krijim që e përmbush idenë e shkrimtarit, se letërsia duhet të arrijë të të prekë, të të emocionojë…të të mallëngjejë.

A nuk janë fundja artet dhe letërsia mjeti për të arritur çlirimin përmes katharsisit?! “Një grua rreth të tetëdhjetave, Marija, futet një mëngjes me vrap, si në amok, si kurrë ndonjëherë, në dhomën e gjumit të djalit të saj të madh, Franit. “Sikur po e ndinin për ta vrarë”, mendon ky për një çast. Në fakt, Marijes i është shfaqur si ndër ëndërr nëna e saj që ka vdekur e re para gjashtëdhjetë vjetësh. Nga ai moment, shtëpia e Franit në Tiranë shtohet me një “fantazmë”, me atë të Marës, gjyshes, të cilën ai nuk e ka njohur. Me këtë episod fillon kjo novelë me titullin tejet intrigues “Bija e vjetër e nënës së re”, që u promovua të premten nga UET PRESS.

Capture

Nga largësia e gjashtë dekadave, “bija e vjetër”, tashmë tetëdhjetëvjeçare, kujton nënën e saj që ka vdekur e re në moshën dyzet vjeçe. Marijen “nuk e ka lënë kjo jetë”, siç thotë autori, të ndalet e të thellohet te një moment kyç, që është vdekja e nënës së saj. Ky është një moment kyç që ngërthen intrigën e novelës dhe “misterin” e saj. Marija ka qenë nuse e re kur i vjen lajmi për vdekjen e nënës.

Lajmësi ka ardhur nga Mirdita në Lezhë për ta marrë. Pra, jo të thërrasë në mort njerëzit e familjes ku është martuar, por për të marrë bijën. Novela në thelbin e vet është një rikthim i Marijes në rrugën e Malit të Gjatë drejt mortit të së ëmës. Pse nuk e shoqërojnë njerëzit e burrit? Pse nuk janë thirrur ata në mort? Shpjegimi i këtyre pyetjeve ka mbetur në mjegull për shumë vite, jo se nuk është ditur, por njerëzit e dy familjeve nuk kanë dashur ta nxjerrin prej andej, sepse duke qenë një shpjegim që lidhet me ndarjen dhe luftën klasore që futi në jetën e shqiptarëve regjimi i porsavendosur komunist, është në fakt një shpjegim që nuk i përket konstitucionit të tyre shpirtëror dhe zakonor.

Në këtë vazhdë, edhe episodi i shtrëngesës të bijës së re nga njerëzit e familjes prindërore për të mos e lënë të kthehet më në derën e burrit të dhënë me shkuesi, me arsyetimin se këta të fundit e sollën atë të vetme, pa shoqërues në mortjen e së ëmës. Trilli artistik i Preç Zogajt këtu kalon çdo limit. Penda e Zogaj do ta argumentonte artistikisht këtë akt të paprecedent për atë kohë, kur iu vesh Koldinajve të deklasuar atributin e ruajtjes së familjes së Marijes, (kjo pa cen në biografi) nga ndëshkimi i veglave të diktaturës.

Por, “Ajo që kishte hequr keq të mësohej me rënien në shtrat me atë djalë, të cilin para se të martohej e kishte parë vetëm në fotografinë, që ia kishte sjellë shkesi Jak Shquti nga Patalana”, kurrsesi nuk do të shkelte mbi besnikërinë ndaj të shoqit, me të cilin ishte ngjizur trashëgimtari i tyre. “Bija e vjetër” që sheh herë pas here dhe bisedon në ëndrra pa fund me nënën e saj të re, është risi në këtë prozë krejt të veçantë të Preç Zogajt, risi kjo që konsiston qoftë edhe në dialogun e mëposhtëm: “Nëna dyzet e një vjeçe: Pa, ti Marije je! Bija tetëdhjetetëvjeçe: Pooo. Nëna e re: Për Zotin, nuk të njofta. Bija e vjetër: Unë ty po.

Nuk ke ndryshu. Nëna e re: Sa vjeç je? Bija e vjetër: (Duke prekur me gishtat e njërës dorë gishtat e tjetrës) tetëdhjetë baj një javë pas ditës së Shën Mëhillit”… Një dualos si ky vjen nëpërmjet një stilistike të rrallë, që konsiston qoftë edhe kur përshkruan Franin, sikur “aty për aty ndërmendi se nuk mund ta linte vetëm (nënë Marien) si ditët e tjera. Nuk mund ta linte vetëm me fantazmën e nënës së saj që kishte vdekur para 59 vitesh”. Duke na dhënë në portretin e nënë Maries personazhin kryesor që beson në botën e përtejme, autori po me mjeshtëri të rrallë artistike e ndërlidh atë me të birin, Franin, që mëton të krijojë me mendjen e tij një si identikit të gjyshes, Marës: “Konturet e para të portretit të saj dolën si një re puplore nga buzëqeshja e paharrueshme, të thuash hyjnore, që ishte krijuar rreth buzëve të Marijes, në çastin që kishte thanë për të “gja më të bukur !!!……

Kjo ishte gjyshja e tij nga nëna, një vegim prej fotonesh…”. Prirjen e Preç Zogajt për të sendërtuar një model letrar krejt të ndryshëm në prozën e sotme shqipe, një lexues i vëmendshëm do ta dallonte edhe në përshkrimin brilant të “arës së madhe si përparëse, oborrit të lartë me qemer guri, kullës, një qilari në luginëzën djathtas, hangarit të drithërave, vozgave dhe veglave të punës, ograjës me lisa në shpatin e malit sipër hangarit…”, si dhe portretit të Gjetë Morfanës që dinte të bënte vetëm lajmësit e të vdekurve… që pasi kishte shoqëruar pa bërë zë Marien për disa orë në rrugëtimin e gjatë mes pllajave, lëndinave e maleve të sertë: “E dinte, se në njërën prej kthesave të luginës, nga një si ballkon mes dafinave, shihej ndërtesa dykatëshe e mbuluar me rrasa bojëhiri, shtëpia e saj e vajzërisë….”. Në këtë novelë, Preç Zogaj prezantohet edhe si njohës gjer në perfeksion i traditës, zakoneve, riteve e dokeve të krahinës së Malësisë së Lezhës, të sintetizuara këto në përshkrimin e ceremonive mortore, sjelljen e përjetimin e vdekjes nga njerëzit e familjes etj.

Më evidente kjo në rastin kur: “Hyrja e saj në hangarin e mbushur me gra, disa në këmbë e shumica ulur në stola të gjatë, u prit me pëshpërimat që kërkonin të binte heshtja e plotë dhe të spikaste kuja e Marijes” dhe kur: “Ajo (Maria) përparoi me kryet ulur në korridorin që të çonte te shtrati ku kishin vendosur xhenazen, pa thekët e verdhë të një mbulese, pastaj një trup të bëshëm gruaje me duart e kryqëzuara në gjoks, me veshjet e krahinës, që i rrinin shumë ngushtë dhe dukeshin sikur po shqepeshin po t’ia prekje…”. Tronditëse në novelë janë sprovat e Marijës për të “gjetur” format e nënës së saj te kufoma e ënjtur nga sëmundja. Pasurinë ligjërimore dhe etnografinë e të folurit të veçantë të P. Zogajt e dallojmë më së miri edhe kur “Vajtimorja më e mirë e Bardhajt e kishte qarë për herë të fundit të ndjerën. Fjalët e saj e kishin shëtitur edhe njëherë Marën e Gjok Lekajt, të bukur si kurrkush, shpirtmirë si Zoja e Bekueme, nëpër kopshtijet dhe korijet e jetës me të cilën ishte ndarë…”.

Mund të perifrazonin edhe dhjetëra episode tjera për të konkluduar se Preç Zogaj vjen në këtë novelë me talentin dhe artin e të shkruarit të një lloje proze të veçantë, me mënyrat dhe mjetet shprehëse si në rrafshin stilistikor ashtu edhe në atë gjuhësor, duke përvijuar pamjen moderne të prozës së sotme shqipe.. Për vetë autorin Zogaj. “Bija e vjetër e nënës së re” është ndër veprat që ka më përzemër. Shkrimtari Rudolf Marku e cilëson si ndër më të mirat e letërsisë shqipe. Si mik i vjetër i autorit ai zbulon se i pat sugjeruar që ta botonte më vete këtë novelë, që sipas tij mund të klasifikohej fare mirë si roman. “E kam konsideruar si veprën më të mirë në prozë të Preç Zogajt dhe ndër romanet më të mirë të letërsisë sonë”, vijoi Marku. Është vepra që autori e vlerëson si më të mirën, ngase temë qendrore- ashtu si edhe në poezitë e tij – është figura e nënës.

Zogaj thotë se nuk ka tendenciozitet në këtë vepër të tij, pasi ky i fundit e vret letërsinë. Nuk ka as mendjemadhësinë t’i rrëfejë një brezi lexuesish atë që ndoshta nuk e kanë jetuar e as e dine. Gjithkush që lexon prozën e tij (këtu kam parasysh edhe romanin “Anjeza nuk u zgjua”), do të ndjente kënaqësi të veçantë. Edhe kjo novelë për absurdin e regjimit komunist, lë mbresa te lexuesit falë mjeteve artistike në shmangie të atij lloj tendencioziteti që e vret letërsinë.

Mjeshtër i Madh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura