Një vendi i tradhëtuar në bukë nga qeveria e vet

May 12, 2018 | 20:29
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ Emisioni “Java” në RTSH të premten e shkuar dhe emisioni “Fiks Fare” i televizionit “Top Channel”, dy-tri ditë më vonë, kanë denoncuar një skandal të madh, që prek gjithë popullsinë e vendit: atë të cilësisë së bukës së përditshme, të mashtrimeve, trukeve dhe spekulimeve me miellin e importit që vjen kryesisht nga Kosova dhe Serbia.

E gjithë hileja, për aq sa ka dalë në dritë deri tani, është luajtur e luhet te niveli i proteinave në miellin e bukës. Standardi europian është 14 për qind. Që nga korriku i vitit 2014, Shqipëria ka pranuar si minimumin e lejuar të proteinës në miellin e bukës nivelin 12,5 për qind. Kjo është sanksionuar në udhëzimin përkatës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Një standard jo si i Europës, por aty afër. I pranueshëm për një vend që aspiron të hyjë në BE dhe ku konsumi i bukës për frymë është nga më të lartët në kontinent.

prec zogaj

 

Por ç’ka ndodhur? Sipas dëshmive në emisionin “Java” dhe investigimeve të “Fiks Fare”, ky standard është mbajtur vetëm shtatë muaj, nga gushti i vitit 2014 deri në shkurt të vitit 2015. Pas kësaj date e deri më sot, falë ndryshimeve që i janë bërë udhëzimit të lartpërmendur, në Shqipëri është lejuar të futet miell me nivel proteine deri në 9 për qind, që përdoret për biskota dhe makarona. Në pamje të parë duket një gjë normale: vendi ka nevojë dhe konsumon edhe biskota e makarona. Pra, është lënë një dritare për importuesit e këtij mielli. Por ulja e stekës në një anë dhe mungesa e kontrollit të cilësisë së miellit në anën tjetër, ka bërë që dritarja të bëhet derë, mielli i papërshtatshëm me nivel proteine 9 për qind të vërshojë në sasi të mëdha dhe të përdoret për të prodhuar bukë. Ky fakt i rëndë është kapur te cilësia e ulët, shija e keqe dhe vlerat e ulëta e të dëmshme ushqimore të bukës. Është kapur gjithashtu te sasitë e mëdha të miellit për “biskota”, që kanë hyrë në tregun shqiptar, sasi të tilla që do të ushqenin gjithë rajonin me biskota, siç u tha nga njohësit e këtij tregu në emisionin “Java”. Ka të dhëna, sipas të cilave, përveç nivelit të ulët të proteinave, cilësinë e bukës e dëmtojnë shtuesit e ndryshëm kimikë që i hidhen produktit. Gjë që e çon lakminë për fitime në rangun e një krimi të pamëshirshëm kundër shëndetit të njerëzve. Këto të dhëna meritojnë të verifikohen me urgjencë. Por një mendje të thotë: përse të mos jenë të vërteta, kush i kontrollon, kush i ndalon batakçinjtë e pangopur me mbështetje politike, që nuk është hera e parë që marrin peng qeverisjen e vendit?

Kjo histori e përzierjes së miellrave është pak a shumë si ajo me karburantin, që ka ndodhur të përzihet me solar, me naftë bruto të papërpunuar apo edhe me ujë dhe t’u shitet zotëruesve të automjeteve po aq shtrenjtë apo edhe më shtrenjtë se karburanti i standardeve europiane.

Nuk besoj se ka papërgjegjshmëri dhe poshtërsi më të madhe për një qeveri dhe për një elitë politike, sesa të lërë gjithë qytetarët e vet në mëshirën abuzivizmit flagrant për çdo mall që u shitet dhe sidomos për mallrat e konsumit të gjerë e të përditshëm, siç janë, për shembull, buka dhe karburanti. Qytetari ia ka deleguar qeverisë dhe shtetit mbrojtjen nga abuzimet dhe ligësia e sipërmarrësve në këto fusha. Nuk ka si përballet vetë, si individ, me një sistem të mbyllur hilerash që s’dihet ku fillon e ku mbaron. Individi është shënjestra e këtij sistemi, është konsumatori që hyn në dyqanin e bukës apo ndalet të furnizojë makinën te pika e karburantit ku duhet të vendosë: merre ose ngordh! Këto janë terminalet e mëdha, ku jo për herë të parë, populli e sheh vetën të tradhtuar deri në bukën e përditshme nga elita e vet politike, që ka si përparësi të përparësive pasurimin e vet, propagandën, teatrin politik.

Asnjë zyrtar i qeverisë së Edi Ramës nuk është dëgjuar të thotë një fjalë për skandalin e miellit të papërshtatshëm që ka prishur bukën, konkurrencën dhe tregun në vend. Të gjithë e dinë se është një histori e pastër korrupsioni. Disa dëgjohen të ankohen e të shprehin nën zë mospajtim, indinjatë, duke drejtuar sytë apo duke bërë me gisht lart, si për të thënë se kjo aferë është licencuar me një heshtje gjoja xhentëlmenësh nga vetë Kryeministri. Nuk e dimë kush paguhet e sa paguhet nën dorë, por e qartë është se Rama dhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, nuk e kanë ndaluar dhe nuk po e ndalojnë këtë abuzim të madh në dritë të diellit. Ata që duan ta justifikojnë qeverinë, përmendin faktin se firma që fut miellin e biskotave për bukë dhe kontrollon këtë treg në Shqipëri është kosovare, se reagimi nga Tirana do të provokonte reagime nga qeveria e Kosovës me pasoja për sipërmarrësit nga Republika e Shqipërisë që operojnë në Republikën e Kosovës, e tjerë. Kjo, që do të reagojë qeveria e Kosovës, duket pa sens dhe nuk ka si besohet. Sidoqoftë, askush nuk i kërkon qeverisë “Rama” t’u ngushtojë apo mbyllë hapësirat kompanive të Kosovës, përkundrazi: unë personalisht dhe gjithë fasha politike-mediatike ku bëj pjesë, duam heqjen e gjithë pengesave që lidhen me shkëmbimet, bashkimin ekonomik de fakto me Kosovën. Veç kësaj, askush nuk kërkon nga qeveria e Tiranës politika proteksioniste që shkojnë kundër tregut të lirë. Kjo, edhe në shkëmbimet me Serbinë. Ne jemi trashëgimtarë të vizionit të Ismail Qemalit që u bënte thirrje serbëve të punonin portet dhe daljet në det të Shqipërisë së pavarur për interesat e tyre, që në këtë rast janë të ndërsjella. Qeverisë i kërkohet pikësëpari ajo që nënvizon pa politikë kryetari i Unionit të Prodhuesve të miellit në Shqipëri, Adi Haxhiyneri: E para, të kryejë kontrollet dhe analizat e rregullta të miellit të importit që hyn në Shqipëri. E dyta, të detyrojë importuesit të vendosin të dhënat ushqimore të miellit në ambalazhin e ngarkesave. Me fjalë të tjera, të mos lejojë të futen krunde për miell buke, të mos lejojë të përdoret mielli i biskotave si miell buke. Kaq! Le të punojnë të gjithë. Kush shkel standardet, të ndëshkohet. Janë kërkesa minimale, që zgjidhin problemin e cilësisë së bukës dhe konkurrencës.

Por nuk mbaron këtu. Siguria ushqimore është një komponente e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Ajo përfshin kontrollin e importimit të grurit dhe miellit të bukës gjithashtu. Dhe s’mund të jetë ndryshe. Dikush prej shtetarëve duhet të reagojë me vizionin e kësaj strategjie për skandalin e bukës. Që të mos e mendojnë edhe strategjinë një letër bakalli.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura